Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare këngëtarja e madhe shqiptare, Vaçe Zela. Bilbili i këngës sonë u shua në orën 01:00 të mëngjesit të së enjtes, në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë. Trupi i këngëtares së madhe do të vijë të premten në Shqipëri, ku do t'i kryhen edhe nderimet e fundit.
Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm, Vaçe Zela për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Vaçe Zela është kthyer në idhullin e shumë brezave. Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe historisë së muzikës shqiptare zërin e saj të artë.
Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më vonë në Radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë.
Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh jeton në Zvicër. Ajo është e vetmja grua shqiptare e nderuar me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.