Shume fytyrat e Tiranes

Shume fytyrat e Tiranes
Të dalësh nëpër rrugë me një karton në dorë, ku është shkruar “Tirana”. Nëpër rrugët e Amsterdamit, të Vjenës apo edhe të fqinjit tonë, Shkupit. Kinse për të tërhequr vëmendjen e njerëzve. Të qëndrosh palëvizur, duke pritur dhe provuar pikërisht reagimet. Me fjalë, por edhe mimikë. Për të zbuluar stereotipe aktuale kryeqytetesh. Nga qytetarët e katër kryeqyteteve. Dy të parët perëndimorë, dy të fundit ballkanikë. Dy të parat anëtare të BE-së e dy që ende e ëndërrojnë atë.

Këtë gjetje kanë provuar tre të rinjtë që kanë ideuar projektin ‘Urban Legend”. Arkitekti nga Vjena, Thomas Stini, sociologia holandeze, Fleur Dikken dhe gjeografia njerëzore, Margot Deerenberg nga Amsterdami. Me një metodë unike, ku si pyetja, si përgjigjja zbulojnë nocione kulturore. Duke u afruar, hequr vellon e sipërfaqes së dukshme, duke kërkuar ngado imazhe, duke folur në mënyrë specifike me njerëzit, për të kuptuar gjendjen e një qyteti, një mjedisi urban dhe sigurisht, jetës urbane.

Fillimisht duke nisur nga qytetet e tyre. E duke grumbulluar një lumë pyetjesh kureshtare nga ata qytetarë që nuk e njohin Tiranën se nga bie. Pyetje kureshtare edhe nga ata që kanë dëgjuar të flitet se Tirana dhe Shqipëria janë një vend me natyrë të mrekullueshme, me energji të mëdha njerëzore, por nuk kanë qenë kurrë. Por pyetje edhe me habi negative, se ç’i lidh këta të rinj, ç’duan ata në një vend të pasigurt e me probleme si Tirana dhe Shqipëria. ‘Për fat të keq shumica dinë shumë pak rreth Shqipërisë, por ata mbartin edhe shumë kuriozitet për të”, thotë Margot Deerenberg -, pasi në Amsterdam apo Vjenë, Shqipëria iu duket disi larg për turizëm dhe kësisoj e kanë përqendruar vëmendjen diku tjetër.”

“Por kanë edhe shumë interes për vende disi në kaos, pasi janë mërzitur tashmë me monotoninë e rregullit të tepruar. Ky është edhe ndryshimi kryesor mes kryeqendrave të vendeve të BE-së dhe atyre jashtë BE-së që kemi vizituar”, shton Tomas Stini. Dhe iu bëri përshtyje se si shumë qytetarë në Shkup nuk kishin qenë ndonjëherë në Tiranë, ndërkohë që në Tiranë dëgjuan të kundërtën.

Pyetjet në Vjenë, përgjigjet në Tiranë

Në mënyrë magjepsëse pyetjet që qytetarët e një kryeqyteti, fjala vjen, Vjenë, marrin përgjigje nga qytetarët në Tiranë e me radhë. Si për shembull, një nga pyetjet: “Nëse qyteti juaj do të ishte një person, si do ta përshkruanit atë?” apo ‘Si iu duket jeta e të rinjve shqiptarë krahasuar me jetën e të rinjve austriakë apo holandezë” janë pyetje që vijnë nga Vjena apo Amsterdami, edhe pse në përgjithësi mundohen mos të bëjnë pyetje krahasuese, të mos gjykojnë, por thjesht të dokumentojnë.

“Edhe në Tiranë kemi marrë përgjigje të mençura, të vërteta, të mrekullueshme. Megjithëse shumë njerëz në fillim nuk dinë çfarë pyetjesh t’iu bëjnë qytetarëve në qytete të tjera, sa përqendrohen dhe mendohen një moment, sjellin një mori pyetjesh. Mendoj se nuk jemi mësuar të përqendrohemi tek njerëz të vendeve të tjera në mënyrë personale”, thotë Fleur Dikken.

Koncepti i Urban Legende është të ndërtojë pikërisht një komunikim virtual, shkëmbim kulturor mes qyteteve të ndryshme apo skajeve të ndryshme. Por këto qytete vlejnë vetëm në funksion të së tashmes. Se si ato jetojnë sot. Me të mirat e të këqijat. E shkuara vjen vetëm në filtrimin e së tashmes dhe jo e shkëputur prej saj. Plot me pamje tipike nga qyteti, njerëzit, histori reale njerëzore. “Na bëri përshtypje që qytetarët në Tiranë, jo vetëm të intervistuarit, por edhe kalimtarët ishin të shqetësuar për imazhin. Nuk donin të filmonim gjëra të shëmtuara. Nuk duan që të duken keq. Por është e rëndësishme që pyetjeve t’iu përgjigjesh me objektivitet dhe kritikë”, thotë Thomas Stini. “Ndërsa në Amsterdam dhe Vjenë jemi në kërkim të gjërave joformale dhe të paplanifikuara, qytetarët në Shkup dhe në Tiranë nuk janë aspak të kënaqur që të paraqiten në këtë mënyrë. Ne jemi për të kundërtën e kësaj, por është mirë të mësojmë nga njëri-tjetri edhe në këtë drejtim”, shton Margot Deerenberg. Por çfarë zgjedhin për të filmuar?

Tirana, nga plehrat deri si kyçim biçikletat

Përveç bisedave skaj më skaj, ata janë në kërkim të detajeve tipike, stereotipeve krahasuese mes qyteteve. Mbishkrimet në mure, sistemimin e plehrave, zbukurimet publike e deri si të kyçim biçikletat. Këto i japin formë hapësirës publike dhe mbartin informacion për një qytet. Që nga moria e benzave, vagonat e ndryshkur, hajmalitë ndaj syrit të keq nëpër dyert e shtëpive, librashitësit e rrugës, telat e telefonave nëpër shtylla etj.

“Janë tipike në Tiranë. Por do veçoja edhe që Tirana ka edhe kënde të hapsirave publike, që e dekorojnë qytetin në një mënyrë fantastike dhe e bëjnë pamjen e saj kaq magnetike”, thotë Margot. “Tirana ka shumë fytyra të ndryshme. Çdo rrugë, çdo qoshe, çdo lagje ka atmosferën e saj. Unë e shoh Tiranën si një qytet dinamik, një qytet të gjallë. Herën e parë që vizitova Tiranën ishte në 2008 dhe jam kaq e habitur kur shoh ndryshimet vizuale që qyteti ka bërë në kaq pak vite. Shpresoj që projekti ynë të arrijë të portretizojë këto fytyra, për t’i nxitur qytetarët tanë të zbulojnë më shumë për këtë qytet magjepsës dhe për banorët e saj”, thotë Fleur.

“Ndryshimet në katër qytetet e kërkimit tonë bëhen më të dukshme sidomos tek “dekori” që zgjedhim kur i përgatisim videot. Është një projekt që merr shumë energji, megjithatë unë nuk njoh asgjë tjetër që në të njëjtën kohë të japë kaq shumë energji!”, thotë Thomas. Dhe e ardhmja iu përket qyteteve si Prishtina, Sarajeva dhe Bukureshti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama