Në përfundim të tij ata zbuluan se nga të gjitha format e qëndrimeve pasive që ata morën në shqyrtim, qëndrimi përpara televizorit me orë të zgjatura, ishte më i dëmshmi. Kjo, sepse një qëndrim i tillë ka lidhje me presionin e lartë të gjakut. Sa më shumë të shohin televizor fëmijët, aq më i lartë është presioni i gjakut dhe efektet e kësaj janë shumë të rënda, pavarësisht nga pesha e fëmijës.
Për më tepër, sjellje të tjera sedentare, si përdorimi i kompjuterit, nuk ishin të lidhura me një rrezik të tillë, pra me përfshirje të presionit të gjakut. Këto rezultate tregojnë se jeta sedentare dhe më specifikisht qëndrimi i stërzgjatur para ekranit lidhet me nivelin e presionit të gjakut dhe me shkallën e obezitetit. Për të përcaktuar nivelin e inaktivitetit, përgjatë një jave, fëmijët që morën pjesë në këtë studim, mbajtën açelerometra, një aparat që mat rrahjet e zemrës gjatë 24 orëve dhe të gjitha situatat ku ndodhet trupi: shtrirë, ndenjur, apo në lëvizje. Studiuesit e konsideruan një nivel të caktuar rrahjesh të zemrës, gjatë një dite, si një nivel sedentar. Të dhënat që morën nga fëmijët përmes aparatit i bënë bashkë me të dhënat e ofruara nga secili prej prindërve dhe kështu arritën që të dilnin në përfundimin e mësipërm: presioni i gjakut sa vjen e bëhet më i lartë me kalimin orëve të një fëmije para ekranit të televizorit.
Gjatë javës së provës, fëmijët në përgjithësi kaluan një 5-orësh në ditë në mënyrë sedentare dhe nga këto 1.5 orë u kaluan para televizorit. Gjatë kësaj kohe shkencëtarët vunë re se presioni i gjakut ishte rritur shumë dhe se ekzistonte një lidhje shumë e fortë dhe e ndjeshme mes tij dhe qëndrimit para ekranit. Fëmijët që shihnin çdo ditë nga 90 deri në 330 minuta televizor kishin një presion gjaku të tipit sistolik dhe se krahasuar me presionin e gjakut kur fëmija bënte një tjetër veprim sedentar (lexim, kompjuter), ai ishte shumë më i ndryshëm. Rezultatet e këtij studimi janë botuar në faqet e revistës shkencore “New Scientist” dhe sipas kërkuesve bëhet fjalë për një alarm të vërtetë. Kjo, pasi fëmijët e një moshe të caktuar, kryesisht deri në pubertet, kalojnë një kohë shumë të gjatë para ekranit të televizorit dhe pasojat e një ndenjeje të tillë sedentare dhe të gjatë do të shfaqen më vonë në jetën e tyre.
Sipas statistikave, pjesa më e madhe e fëmijëve nga mosha 4 deri në moshën 12 vjeç kalojnë mbi 3 orë në ditë para ekraneve të televizorit, dhe ky numër shtohet gjatë stinës së dimrit, kur shpesh televizori është e vetmja mundësi që kemi për t’u argëtuar. Prindërit duhet që t’u gjejnë fëmijëve mënyra të tjera për të kaluar kohën, qoftë edhe duke i izoluar nga ekrani i televizorit, pasi një gjë e tillë u rrezikon seriozisht shëndetin. Një nga mjekët e grupit të studimit bëri të ditur se koha e përshtatshme dhe e lejueshme e qëndrimit para ekranit është jo më shumë se dy orë në ditë dhe kjo me pauza njëorëshe. Vetëm në këtë kohëzgjatje ekrani i televizorit nuk do të shndërrohet në një “ekran vrasës”, por do të jetë një mjet zbavitës e edukues. Nëse fëmijët do të abuzojnë me të, si çdo gjë tjetër me të cilën kalohet masa, edhe ai do të jetë kundërproduktiv.