Ruletë drithëruese me shumë prapaskena! Askush nuk u fokusua te dy golat gjatë 120 minutave, por e gjithë vëmendja dhe diskutimi shkon te 18 penalltitë.
Gjermania fitoi 6-5 me penallti dhe i dha fund makthit 50-vjeçar ndaj italianëve. Vërtet Manuel Nojer priti dy 11-metërsha dhe dy prej italianëve gjuajtën jashtë, por një prej shkaqeve ka qenë vendimi i kapitenit Bastian Shvajnshtaiger.
Para gjyqtarit Viktor Kasai dhe Xhixhi Bufonit, lideri gjerman përcaktoi portën ku do gjuheshin penalltitë duke surprizuar gjyqtarin kryesor dhe irrituar kapitenin e Italisë.
Shvajni irriton Bufonin
Bastian Shvajnshtaiger ka fituar çdo trofe veç Europianit. Ka përjetuar shumë dështime dhe triumfe. Eksperienca e ka mësuar të marrë vendime të guximshme duke iu referuar statistikave apo ngritur sytë nga qielli.
Teksa Kasai hodhi monedhën, Shvajnit i ra të përcaktonte portën ku do të gjuheshin penalltitë. Pyetja ishte para tifozëve gjermanë apo italianë? Normalisht një "qitës" penalltish gjuan më mirë para tifozëve të tij. Por, kapiteni gjerman befason gjyqtarin Kasai, i cili e pyeti për herë të dytë. Shvajni ishte i vendosur: "Para tifozëve italianë".
Vendimi i tij bën që të kthejë kokën me habi edhe portieri Bufon, i cili irritohet nga ideja e kapitenit gjerman. Vendimi i dytë i irriton dyfish italianët.
Shvajnshtaiger vendos që italianët të gjuajnë të parët. Një situatë mjaft e pazakontë, por me një vendosmëri të jashtëzakonshme nga "zemërluani" i Gjermanisë.
Nuk ishte vendim i rastësishëm, por i menduar mirë. "Po, në të dyja zgjedhjet që bëra, fitova. U mendova pak sesi kishte ndodhur në të kaluarën. M'u kujtua finalja e Champions-it 2012 në Mynih ndaj Çelsit kur humbëm me penallti teksa zgjodhëm ta gjuanim portën para tifozëve tanë.
M'u kujtua gjithashtu gjysmëfinalja e Champions-it 2012 kundër Realit të Madridit kur gjuajtëm në portën ku qëndronin tifozët madrilenë dhe fituam.
Edhe në duelin Zvicër-Poloni (4-5) këtu në Francë, polakët fituan sepse gjuajtën në portën para tifozëve zviceranë.
Për këtë arsye u mendova dhe lejova të gjuhej para fansave italianë. Ky vendim i gëzoi shumë ata...", sqaron Bastian Shvajnshtaiger.
Në fakt, vetë Shvajni e humbi toruan së bashku me Mylerin dhe Ozilin, por fakti që e humbën dhe 4 italianë, bëri që dy vendimet e kapitenit gjerman të ishin të drejtë, fituese dhe të arsyeshme.
PËRGATITI: ENIAR IBRO