Fitime më të larta
Bëhet fjalë për një opinion të dalë nga studime që nuk kanë fare të bëjnë me të ashtuquajturën luftë seksesh. Njëri prej tyre, me emrin “Gratë janë të rëndësishme”, është zhvilluar në vitet 2010-2011 dhe mban firmën e “McKinsey”-t, një nga shoqëritë më të rëndësishme të këshillimit drejtues në botë. Duke vëzhguar në më shumë se 50 vende stilin e pushtetit të mijëra menaxherëve burra e gra dhe lidhjen mes tyre me rezultatet e kompanisë, “McKinsey” arriti në përfundimin se nëse një kompani ka një grua si drejtuese, kjo është një garanci më e mirë suksesi se sa ato që drejtohen nga meshkujt.
Madje u pa se me gratë në krye të detyrës, kompanitë arrinin të fitonin më shumë. Kjo, sipas studimit, ndodh sepse gratë menaxhere, më shpesh se sa burrat, adaptojnë disa lloje sjelljesh që për momentin rezultojnë shumë efikase. Po sipas studimit, nëse një grua në një post drejtues rrethohet nga shumë punonjës meshkuj, ka rrezik që sjelljet e saj të ndikohen nga ato të tyre. Ndaj është shumë e rëndësishme që numri i punonjësve dhe ndarja në femra meshkuj të jetë ajo e duhura.
Të komunikueshme dhe të kujdesshme
Po cilat janë këto sjellje që sipas “McKinsey”-t gratë në detyra drejtuese aplikojnë në krahasim me meshkujt?
Fillimisht drejtueset femra priren të kalojnë më shumë kohë me kolegët e tyre meshkuj, duke u shpjeguar, mësuar, duke u bërë tutore, bashkëpunëtore, përveçse i dëgjojnë me kujdes. Pastaj gratë janë më të zonjat në sqarimin e objektivave, përgjegjësitë e gjithsecilit dhe çmimet për rezultatet e arritura. Për më tepër, femrat më shpesh se meshkujt, respektohen më shumë në rolin e tyre si drejtuese, sepse marrin gjithmonë parasysh pasojat etike të vendimeve dhe mënyrën se si i vlerësojnë të tjerët ato. Përkundrazi, burrat në poste drejtuese janë më të zotë se gratë vetëm në 2 nga 9 sjelljet “pozitive” të analizuara (në 5 të tjerat rezultatet janë të ngjashme ose në avantazh të lehtë për gratë) në kontrollin e punës të çdo bashkëpunëtori dhe në kapacitetin për të marrë vendime të vetëm e për t’i aplikuar më pas.
Më tepër pragmatizëm, por mbi të gjitha më tepër kujdes ndaj zhvillimit, ndaj marrëdhënieve, ndaj komunikimit dhe vlerësimeve që të tjerët mund të japin për zgjedhjet e tyre nga ana e grave menaxhere; më shumë vendosmëri dhe aftësi për të respektuar rregullat nga ana e burrave. Deri këtu duket sikur nuk ka asgjë të re. Sipas shumë antropologëve, prej mijëvjeçarësh ekzistonte kjo diferencë në pushtetin e ushtruar nga femrat dhe nga meshkujt
Çështje etike?
“Që burrat dhe gratë kanë në përgjithësi një etikë të ndryshme, d.m.th. një mënyrë të ndryshme për të vlerësuar se si është më mirë të sillemi, edhe kur bëhet fjalë për administrimin e pushtetit, është një mendim i ngulitur që prej viteve ‘80 e që ka kaluar çdo lloj kërkimi sociologjik dhe psikologjik”, thotë një politologe e Universitetit të Pavias. “Shumë studiues mbështesin tezën se nuk ekziston vetëm një dimension i etikës, ai mashkullor i bazuar te drejtësia, por që gratë krijojnë një tjetër të bazuar te koncepti i kujdesit”. Ajo që teorizoi këtë diferencë e para ishte Carol Gilligan, pedagoge e psikologjisë evolutive në Universitetin e Harvardit. Nga studimi u arrit në përfundimin se gratë kanë një mënyrë të tyren për të vlerësuar zgjedhjet: as inferiore, as superiore se mënyra e meshkujve, por thjesht ndryshe.
Drejtësi dhe kujdes
Parimi që rregullon zgjedhjet e femrave në fakt nuk është ai se çfarë është e drejtë apo e gabuar, por ai i kujdesit, d.m.th. se çfarë është më mirë ose me më pak dëme në një moment të caktuar për numrin më të madh të personave. Gratë, shkruante Gilligan, më tepër se pas një sistemi rregullativ e vlerësonin botën për lidhjet njerëzore. “Ajo që duket hapur, duke parë se si gratë e ushtrojë pushtetin, është se ato kanë një botë të tyre, një botë të veçantë”. Edhe Anne Stevens, docente e studimeve europiane në Universitetin e Birmingemit dhe autore e librit “Gratë, pushteti dhe politika”, tregon se nga studimet e shumta në Amerikë dhe Europë del se femrat e jetojnë politikën me më shumë përgjegjësi dhe me më pak konfliktualitet.
Pjesa kritike
Por a mjafton që gratë të jenë në pozicione drejtuese, sepse janë më të kujdesshme dhe më të përgjegjshme në atë që bëjnë? “Qeverisja femërore është një rast shumë i hershëm për t’u analizuar deri në fund”, tregojnë psikologët. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e studiuesve sot mendon se të dyja sekset i përdorin të dyja këto dimensione të etikës (drejtësinë dhe kujdesin) për të bërë zgjedhjet e duhura. Kjo varet edhe nga rrethanat. Sot ndryshe nga shumë vjet më parë, duket se rrethanat janë pjekur për të ushtruar pushtetin në një botë që gjithmonë e më shumë po drejtohet nga gratë, gjë që nuk i pengon meshkujt të veprojnë si ato. Shembulli më i mirë për këtë është Presidenti amerikan, Barak Obama, që mes të tjerave u ka besuar grave role shumë të pushtetshme (nga Hilari Klinton, sekretare e Shtetit deri te Sonia Sotomajor, gjykatëse e Gjykatës Supreme në vend). Obama fitoi dhe entuziazmoi njerëzit në të gjithë botën falë një premtimi: “Ju kam për zemër”.