Në rast të një dështimi të negociatave të ndërmarra së fundmi nga Parlamenti Europian për gjetjen e një zgjidhjeje politike mes palëve që do ta rikthente opozitën shqiptare në Kuvend, mandatet e deputetëve të opozitës skadojnë më 10 janar, por rikthimi i tyre në aktivitetet parlamentare mund bëhet dhe në seancën e fundit për këtë vit më datën 18 dhjetor. Nëse demokratët refuzojnë në bllok pjesëmarrjen në Kuvend, duke mos pranuar as zëvendësimet e deputetëve, atëherë mandatet e demokratëve do t’i përfitojnë deputetët e partive të koalicionit.
Afatet
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 71 të saj, konkretisht në germën “d” të pikës 2, përcakton se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur deputeti mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Duke u nisur nga ky përcaktim i ligjit themeltar të shtetit, si dhe duke qenë se Partia Demokratike më datë 10 korrik, vetëm pak orë pas incidentit të dhunshëm mes demokratit Gent Strazimiri dhe dy deputetët socialistë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, do të vendoste për ndërprerjen e marrëdhënieve të saj me Parlamentin, sipas llogarisë matematikore të këtyre afateve, rezulton se opozitës i skadojnë mandatet e saj jo më datë 10 dhjetor, pra dje, jo më 10 janar 2015. Kjo për shkak se në këtë periudhë kohore prej gjashtë muajsh, Kuvendi nuk ka funksionuar gjatë muajit gusht, i cili njihet edhe në Kodin e Punës, si muaj zyrtar i pushimeve të ligjvënësve shqiptarë. Dhe për këtë arsye, përllogaritja e gjashtë muajve që janë përcaktuar në Kushtetutë, është bërë vetëm për muajt që Kuvendi është zyrtarisht funksional. Sipas kësaj logjike, dhe duke iu referuar afateve, rezulton që data e fundit për rikthimin e opozitës në Kuvend është pikërisht data 10 janar. Por, duke qenë se Kuvendi edhe në këtë datë, është zyrtarisht jofunksional, për shkak të përfundimit të sesionit të tretë parlamentar të kësaj legjislature, dhe puna e tij rifillon të hënën e tretë të muajit janar, që përkon më datën 19 janar, atëherë kjo është dhe data e fundit që deputetët e djathtë kanë mundësinë e ruajtjes së mandateve të tyre. Ndërkaq, Parlamenti Europian dhe mazhoranca po tentojnë për një zgjidhje politike që do ta rikthente opozitën në Kuvend, pikërisht në seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar, që do të mbahet më 18 dhjetor.
Zëvendësimi i deputetëve
Por, në rast se vendimi i Partisë Demokratike mbetet i pandryshuar, që do të sillte dhe djegien e mandateve të deputetëve të saj, atëherë Kodi Zgjedhor ka parashikuar dhe procedurat që do të ndiqen nga Kuvendi për të plotësuar vakancat në radhët e deputetëve. Në nenin 164, ku përcaktohet ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës, në pikën 1 të këtij neni, Kodi Zgjedhor thekson se mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës, ku në rastin konkret është mungesa e paarsyetuar e deputetit për 6 muaj në Kuvend. “Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati”- thuhet më tej në pikën 1 të nenit 164 të Kodit. Në këtë rast, Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës dhe nisjen e procedurave për zëvendësimin e saj. Ndërsa në pikat 2 dhe 3 të këtij neni, Kodi thekson se mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Më pas, KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. “Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”- përcakton Kodi Zgjedhor në pikën 4 të nenit 164 të tij.
Pro dhe PR-ja
Shehi, i gatshëm të thyejë bojkotin për mosdjegien e mandatit
Pavarësisht debatit për afatin se kur digjen mandatet e deputetëve të PD-së, më 18 dhjetor, grupi i PD-së duket se nuk do ta mbështesë deri në ekstrem qëndrimin e lidershipit demokrat. Zërat kundër djegies së mandatit dolën në mënyrë publike nga ana e deputetit, Dashamir Shehi, i cili ka bërë të qartë se nuk do të pranojë që të djegë vendin në Kuvend për ‘kapriçiot’ e kryedemokratit Lulzim Basha. Madje Shehi, në qëndrimet e tij, është i qartë se bojkotoi i opozitës e ka kryer misionin e tij, pasi disa prej kushteve janë plotësuar nga ana e mazhorancës së majtë, që nga ngritja e komisioneve hetimore apo dhe ndryshimi i Rregullores së Parlamentit. Sa i përket çështjes së dekriminalizimit të Parlamentit, Shehi ka theksuar se dy deputetët e PS-së po hetohen nga prokuroria për incidentin e ndodhur ndaj demokratit Strazimiri. Ndërkohë që për thyerje të bojkotit është shprehur dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, i vetmi aleat i PD-së që po i qëndron deri më tani besnik kryedemokratit Basha. Gjithsesi, Mediu preferon që më parë ta bëjë publik qëndrimin në një mbledhje të pritshme të grupit parlamentar të PD-së, ku pritet të vendoset për sa i përket çështjes së bojkotit të Kuvendit.