Nuk kam ardhur në Shqipëri prej gati 20 vitesh. Kam qenë disa herë gjatë viteve ’90-’92, ndërsa Shqipëria ndryshonte. Hera e fundit ka qenë marsi i vitit 1992. E kisha të qartë që gjatë këtyre viteve Shqipëria kishte ndryshuar shumë, por isha kurioz të shihja si dhe sa kishte ndryshuar. Sigurisht dy ditë udhëtim nuk mjaftojnë asnjëherë për të kuptuar, megjithatë unë jam i idesë që më mirë të shohësh me sytë e tu, se sa përmes gazetave. Gjithsesi nuk kam ardhur vetëm për kuriozitet. Kam ardhur sepse gjatë viteve të fundit jam marrë me drejtimin e institutit, IPALCO. Prej 2-3 vitesh po përqendrohemi, jo vetëm mbi karakteristikat e përgjithshme që kiza botërore ka shkaktuar, por më së shumti të gjejmë mënyrën se si Evropa t’i përgjigjet kësaj krize, apo si mund ta kalojë atë. Që t’i përgjigjet konfigurimit të ri, Evropa duhet të bëjë një kërcim cilësie në procesin e vet të integrimit, duke zgjeruar horizontin e integrimit evropian edhe me atë zonë, që mund ta quajmë si Euromesdhe. Pra diçka më shumë nga ç’është tentuar të bëhet këto vite me procesin e Barcelonës, apo Bashkimin për Mesdheun. Nga ky këndvështrim janë thelbësore dy gjëra, së pari kompletimi i integrimit të Ballkanit në BE brenda një periudhe të shkurtër dhe tjetri, futja e Turqisë në BE. Në të dyja këto çështje Shqipëria ka një rëndësi të atillë, që tek ne, në Romë, apo në Bruksel nuk vihet në dukje, madje as klasa politike shqiptare nuk është e ndërgjegjshme për rolin e rëndësishëm që ka. Po zhvilloj disa takime. Kam një takim me ministrin Meta, takova Ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, etj., për të parë si mund të intensifikojmë dialogun mes një organizate italiane si kjo e jona dhe organizatave homologe shqiptare, apo Qeverisë, në këtë drejtim.
Vetëm pak ditë më parë kryeministri shqiptar, Sali Berisha, firmosi me kryeministrin Berluskoni “Aleancën Strategjike”...
Sigurisht që kjo është e rëndësishme. Por ndërmarrja jonë është diçka më shumë se përkthimi i raporteve bashkëpunuese mes Shqipërisë dhe Italisë, si në rastin e kabullit që bën transmetimin e energjisë elektrike, etj. Por kjo lidhje tashmë ekziston. Rreth gjysmë milioni shqiptarë që jetojnë në Itali janë një lidhje shumë e fortë. Çështja qëndron te qendërzimi i rajonit mesdhetar në këtë konfigurim të ri të botës, si në kohët e Venecias. Dhe kjo do të sjellë një mënyrë të re të vlerësimit të gjërave, qoftë kjo në lidhje me Italinë, por edhe me Shqipërinë, e cila është një çelës në raport me Serbinë, Malin e Zi, Kroacinë, etj. Dhe nga ky këndvështrim, përtej marrëdhënieve diplomatike mes qeverive, të forcohen marrëdhëniet mes shoqërive civile, apo në nivel ekspertësh. Në Itali, nuk ka asnjë lajm nga Shqipëria, përveçse ndonjë krimi të bërë nga ndonjë shqiptar, por nuk ka as perceptimin më të vogël të mundësive që ofron. Në këtë drejtim ne mendojmë të bëjmë diçka.
Në marrëveshjen e saponënshkruar flitet për ngritjen e centraleve bërthamorë në Shqipëri, importim energjie, etj, cili është mendimi juaj, duke ditur që këto çështje janë diskutuar gjatë në opinionin italian?
Qeveria juaj ka bërë një zgjedhje që të synojë fort mbi sektorin e energjisë, një sektor kyç për të trajtuar në një periudhë të shkurtër, jo vetëm energji nukleare, por edhe hidroelektrike, të rinovueshme etj. Ministri juaj ma bëri të qartë strategjinë dhe kjo është diçka e rëndësishme edhe për Italinë, pasi do të jetë importues i energjisë, ndoshta me kosto më të ulët se ajo që importon nga Franca. Por nuk besoj se energjia nukleare është prioriteti juaj, por as yni. Nëse këto vite në Itali, me të drejtë Qeveria mbylli një çështje që zgjati ca si shumë, që duhet të braktisnim përdorimin e kësaj energjie, personalisht juve keni nevojë për më shumë kohë, për të qenë të aftë të prodhoni energji nukleare, pasi nuk është diçka e thjeshtë. Kërkon edhe infrastrukturë institucionale, rregullatorë dhe ju nuk i keni akoma dhe besoj se do t’ju duhet edhe ca kohë për t’i pasur, kështu që të duash të bësh diçka të tillë me shpejtësi, do të ishte një katastrofë. Aq më shumë që nuk do të gjeni as para, sepse askush nuk rrezikon, diku ku nuk ekziston as infrastruktura e duhur, kështu që nuk më duket se kjo është zgjidhja e duhur.
Takimi Berisha-Berluskoni u shoqërua edhe me shumë komente, lidhur me një shaka që Berluskoni bëri në lidhje vajzat shqiptare, ç’mendoni?
Berluskoni është gatuar kështu dhe duhet marrë ashtu si është bashkë me shakatë. E gjithë kjo zhurmë do të thotë, që nuk po merremi me gjëra më të mëdha, me vizione strategjike, për të cilat fola. Nuk është e thënë që janë të drejta, por sigurisht janë më të rëndësishme se të gjitha batutat mbi gratë shqiptare. Kërkojnë një diskutim, një verifikim, por nëse vëmendja spostohet tek batutat, nuk flitet për gjëra të rëndësishme. E kuptoj lojën mediatike, por kjo largon vëmendjen.
Duhet ta kuptoni që shoqëria shqiptare është shumë e ndjeshme kur flitet për çështjen e emigracionit dhe problemet e tij...
Ky shekull do të jetë shekulli i lëvizjeve më të mëdha masive, që njerëzimi ka njohur ndonjëherë. Çështjet e mëdha të kësaj tronditjeje botërore që po jetojmë, kriza, janë të gjitha të lidhura me demografinë. Historia e njerëzimit është një histori emigrimi. Njerëzit kanë lëvizur gjithnjë dhe emigracionet janë përjetuar si trauma. Zgjidhja për të lehtësuar pasojat negative të tij është të gjejmë një mundësi për të shpërndarë zhvillimin dhe njerëzit do të lëvizin më pak. Në momentin që Shqipëria do të rritet, shqiptarët do të ikin më pak jashtë. Kjo minimizon dhe problemet që sjellin këto trauma, tensionet. Me sa më kujtohet një ditë gushti, në bregun italian shfaqet një anije me emrin “Vlora”, me mbi 20 mijë persona në bord. Ky ishte një episod traumatik që ndodhi brenda një ditë-nate, i vështirë për t’u menaxhuar, por në 20 vitet e mëpasshme kanë ardhur 400, apo 500 mijë shqiptarë. Janë probleme që ndodhin dhe që duhen pranuar. Pastaj kjo përzierje popujsh është edhe faktor zhvillimi. Kjo i ka shërbyer edhe Italisë. Në disa rajone ne nuk do të kishim këtë zhvillim që kemi arritur pa emigrantët. Por në këtë konfigurim të botës, është në interesin e të gjithëve të zbulojmë formulën më të mirë për të qenë konkurrues. Shkalla e parë (nëse kjo do të jetë rruga e drejtë) është integrimi i Ballkanit dhe i Turqisë. Shqipëria e Turqia ka karakteristika të përbashkëta, si feja islame. Dhe duke qenë se një nga problemet është bashkëjetesa, ju jeni një test i mirë. Problemi juaj është edhe yni.
E nëse flasim për tensione, jo më pak e tillë është situata politikë në Shqipëri. I keni ndjekur ngjarjet e fundit, dialogun pozitë-opozitë?
Këto janë probleme që gjithkush duhet t’i zgjidhë në shtëpinë e vet dhe të japësh leksione nga jashtë nuk është fort e drejtë, megjithatë problemi i përbashkët juaji dhe i yni është që nëse kjo situatë do të precipitojë, kjo dobëson bazat e demokracisë dhe kjo vonon hyrjen e Shqipërisë në Evropë. Kjo lidhet me strategjinë që ju thashë më sipër. Sa më shpejt të hyjë Shqipëria në Evropë, aq më shpejtë do të zgjidhet edhe çështja e Turqisë. Unë jam ndër ata që shpreson që Shqipëria të hyjë në 5 vitet e ardhshme. Nëse ka një situatë të pastabilizuar politike, nëse aq më keq vijon kërcënimi për ta bërë Parlamentin jofunksional vazhdon, integrimi vonohet. Unë e di që për shkak të legjislacionit tuaj, brenda marsit deputetët socialistë duhet të betohen, se në të kundërt digjen mandatet dhe thellohet kriza. Urojmë të gjithë që këto probleme të zgjidhen dhe kjo dialektikë të mbetet brenda rregullave, sepse duhen pranuar rregullat e lojës. Ka organizma të parashikuara nga Kushtetuta, komisione, etj, ku ngrihen probleme të tilla. Nuk besoj se Rama do të bënte mirë ta çonte situatën në pasoja ekstreme, kështu që të shpresojmë që këto dialogje, që fatmirësisht kanë nisur të gjejnë një zgjidhje të pëlqyeshme. Zgjidhja është që Parlamenti të punojë. Kjo është politika, gjetja e mundësive për kompromise dhe zgjidhje.
Nëse kthehemi pas në kohë, ju keni mundësuar një dialog politik Nano-Berisha, në Trieste në vitin 1991, ç’kujtoni nga ai takim?
Ka qenë një takim, por nuk më kujtohet saktë as data. E di që tek ju është komentuar si një ngjarje e madhe, por nuk ka pasur asgjë të tillë. Mua më kujtohet fare mirë, ajo që ndodhi më pas, pasi përplasjet politike në Itali dhe përplasjet politike në Shqipëri sollën telashe për mua dhe për Nanon dhe patëm pasojat tona, Fatosi ca më të rënda se të miat. Ai ishte një takim mbi Ballkanin dhe qëllimi nuk ishte Shqipëria, por Jugosllavia.
Ky ishte problemi më i madh i kohës, të cilin nuk ditëm ta menaxhonim dhe ndodhi ajo që ndodhi. Shqipëria pati problemet e veta, por Jugosllavia ca më shumë. Ky ishte falimentimi më i madh i Evropës në këtë periudhë tranzicioni, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Një katastrofë e vërtetë. Kështu që takimi Nano-Berisha ka qenë i rëndësishëm vetëm për ju, pasi për ne ishte më i rëndësishëm argumenti themelor. Nuk kishte një “temë” shqiptare dhe nuk di se çfarë është thënë mes Berishës dhe Nanos.
Ju thatë se keni ardhur shpesh në Shqipëri, gjatë viteve 1990-1991, cila ka qenë arsyeja?
Më kujtohet mirë kjo fazë në të cilën kam qenë i përfshirë në çështjen shqiptare. Rënia e komunizmit në Shqipëri erdhi më vonë se pjesa lindore e Evropës. Nëse në Evropën Lindore ndodhi gjithçka brenda pak muajve, në gjysmën e dytë të vitit 1989, mbaroi në dhjetor me çështjen rumune, komunizmi në Shqipëri vazhdonte të mbahej. Gjatë vitit 1990 ishte problemi i hyrjes nëpër ambasada dhe pati një diskutim me qeverinë komuniste. Aso kohe ishte President Ramiz Alia. Ne negociuam për daljen në Evropë të këtyre mijëra njerëzve që kishin hyrë nëpër ambasada dhe natyrisht kërkuam që si “këmbim” të kësaj të zhvilloheshin zgjedhjet. Ishin zgjedhjet e para të “lira”, të cilat u fituan sërish nga partia komuniste.
Atëherë pati një tjetër takim dhe kam qenë i pari ministër evropian, madje kam paraprirë Gensherin me dy ditë, që kam takuar në qershor të vitit 1991, Alinë. I kërkova të ngrinin një parti koalicioni, pavarësisht se ata kishin fituar dhe ata ngritën një të tillë. Zv/kryeministër i kësaj qeverie ka qenë një miku im, Gramoz Pashko dhe e kam ndihmuar, madje më shumë se Berisha, aso kohe. Ishte një situatë e vështirë, pasi duhet të përfaqësonte një qeveri jokomuniste në një sistem që po rrëzohej.. Kjo ishte arsyeja që edhe jetëgjatësia e saj ishte e shkurtër.
Kujtuat eksodin e vitit 1991, cili ka qenë roli juaj në menaxhimin e kësaj situate?
Italia bëri gjënë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë në këtë tranzicion demokratik, Operacionin “Pelikan”. Për 1 vit e gjysmë, Italia ka mbajtur gjithë Shqipërinë dhe ka qenë misioni i vetëm më i suksesshëm i gjithë Evropës në ndihmën që i ka dhënë Evropës Lindore. Më kujtohet si të ishte dje, kur negociuam mbi misionin “Pelikan”. Me të ndodhur eksodi i Vlorës, erdha në Tiranë, madje në Aeroportin e Tiranës dhe për disa orë, brenda aeroportit, atij të atëhershmit, jo të sotshmit, që ishte një tip barake, thërrita ministrat shqiptarë. Atje, pa lëvizur diskutuam mbi këtë operacion. Diskutonim mbi nevojat emergjente, sasitë e vajit, miellit, etj... Dhe ishte një situatë tepër e sikletshme. Territori shqiptar patrullohej nga trupat italiane, që kanë garantuar nga Durrësi, gjatë dimrit të ’91-shit dhe ’92-shit, shpërndarjen me helikopterë dhe kamionë të ndihmave, deri në fshatin më të humbur.
Ishte një operacion që funksionoi, ndihmoi shumë njerëz, ndihmoi dhe Berishën për të realizuar zgjedhjet dhe për të ngritur një Qeveri, që më pas pati problemet e veta me piramidat. Megjithatë në atë periudhë, rreziku ishte i madh. Episodi i Vlorës na dha të kuptonim që nëse nuk ndërhynim menjëherë me mbështetje, nga Shqipëria do të largoheshin 1 milionë vetë, pasi nga shoqëria shqiptare nuk mbahej në këmbë asgjë dhe nuk kishte asgjë. Dhe kjo ishte gjëja më e mirë që ka bërë Italia, pa mohuar dhe punën e Qeverisë së asaj kohe. Më besoni ishte një situatë e vështirë. Ndërsa ne diskutonim në aeroport mbi operacionin “Pelikan”, në Rinas vinin avionët me shqiptarë të kthyer. Por nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër.
Panorama