Familja Bojaxhi ia dorëzoi këtë thesar Havasë bashkë me amanetin: "Të ruhet, të mos griset dhe të mos digjet!". Një premtim që shkodrania e mbajti për 35 vjet. Historinë e Mesharit e tregon sot i biri i gruas së mirë, Besnik Alibali, bashkë me historinë e peripecive që nëna e tij duhet të kalonte për të mbrojtur librin.
Kuptohet që nuk ishte e lehtë të ruhej ajo vepër në vitet më të egra të regjimit komunist, kur ndalohej çdo lloj botimi fetar. Besniku tregon se nëna e tij ishte njohur me familjarët e humanistes shqiptare përmes një gruaje me origjinë kroate, Luiza Raskut. "Ato vinin vinin të pinin kafe në shtëpinë e nënës sime", thotë Alibali për kohën kur familja e tij jetonte e qetë, pa ndonjë kontradiktë me regjimin e kohës.
Ai kujton edhe copëza bisedash mes nënës së tij dhe familjareve të Nënë Terezës.
"Ato i thoshin nënës se Nënë Tereza ishte bërë e famshme nëpër botë. Në një nga letrat ku ato i kërkonin një ndihmë ekonomike, bamirësja u përgjigjej: 'Ju duhet t'i njihni më mirë se askush vlerat shpirtërore të njerëzve të varfër'".
Kaq për kujtimet. Më tej Besniku shpjegon se si është kaluar Meshari dorë më dorë për tri dekada. Për vite me radhë libri është ruajtur nga nëna dhe motra e Nënë Terezës. Në vitet '70, të shtyra nga rrethanat, ato ia dorëzuan Havasë, që atë kohë jetonte në Tiranë dhe familja e saj gëzonte një reputacion të mirë për regjimin e kohës. Kjo i siguroi dy gratë Bojaxhi që Libri i Shenjtë, do të ishte më i sigurt në shtëpinë e Havasë sësa në të tyren, ky kontrollonte hera-herës policia sekrete.
Po shpejt u prish qetësia edhe në shtëpinë e Alibalëve në Tiranë, që pësoi një goditje nga regjimi i kohës. Në këto kushte, Havaja u detyrua ta largonte librin nga shtëpia, që t'i shpëtonte djegies apo sekuestrimit nga shteti. Ia dorëzoi së resë së saj, Ylvijes, gruas së Besnikut. Familja e re Alibali jetonte në Durrës dhe Besniku në atë kohë ishte veshur oficer.
Ylvija nuk jeton më qysh prej 2 vitesh. Libri ruhet pa tensionin e dikurshëm në Bibliotekën e Besnik Alibalit, tani me profesion gazetar dhe autor librash. Besniku informon se Meshari ndodhet në gjendje mjaft të mirë edhe pse kanë kaluar 234 vite që nga botimi i tij. Vetëm një pyetje nuk merr përgjigje në gjithë këtë histori. A është futur ky libër në biblotekën e familjes nga vetë Nënë Tereza, apo ka qënë i familjes?
Kur mori librin në dorëzim, Havaja mësoi vetëm që dy gratë Bojaxhi e ruanin atë si relikte të shenjtë, jo vetëm për vlerat fetare, por edhe për afrinë shpirtërore që u krijonte me Nënë Terezën, që kishin vite pa e parë.