Si funksionon Google Translator

Si funksionon 'Google Translator'
Shërbimi i përkthimit që ofron interneti mund të ketë edhe shumë gabime dhe pasaktësi, por sot për sot, është ndër mjetet më të mira të komunikimit, madje më i miri i të gjitha kohëve

Duke përdorur softuerë që fillimisht u krijuan në vitet ‘80 nga shkencëtarët e IBM, “Google” ka krijuar një mjet për përkthimin automatik në gjuhë të ndryshme, i pakrahasueshëm me asnjë mjet tjetër. Është një mjet që nuk bazohet në presupozime intelektuale si mjetet e tjera të ngjashme të së shkuarës, nuk është një algoritëm i perceptuar vetëm për të nxjerrë kuptimin e një shprehjeje sintaksore, apo nga fjalori. Në fund të fundit, nuk ka të bëjë fare me kuptimin. Në vend që ta konsiderojë një shprehje gjuhësore si diçka që duhet të dekodohet, “Google Translator” e konsideron atë si diçka që është thënë më parë. GT ka në përdorim të saj një fuqi të madhe kompjuteristike për të kontrolluar internetin brenda një fraksioni sekonde, në kërkim të një shprehjeje të ngjashme që ekziston në tërësinë e informacioneve të tij që i shkon për shtat shprehjes që duhet përkthyer.

Tërësia e informacioneve që skanon motori i kërkimit përfshin të gjitha materialet e publikuara që nga viti 1957 nga Bashkimi Europian, çdo material të Kombeve të Bashkuara dhe një sasi të madhe dokumentesh të tjera nga arkivat e gjykatave, raportet e kompanive, artikuj të ndryshëm dhe libra që ekzistojnë në internet, si dhe materiale të hedhura nga individë të ndryshëm nëpër uebsajte apo blogjet personale. Të gjitha, në shumë gjuhë të ndryshme. GT përdor disa metoda të sofistikuara statistikore për të bërë bashkë tiparet e përbashkëta që kanë miliona dokumentet e publikuara në internet dhe prej tyre përzgjedh atë që ka më shumë mundësi që të përkojë me fjalinë, apo fjalën që kërkohet të përkthehet. Në numrin më të madh të rasteve është një metodë që ia ka dalë mbanë të funksionojë dhe madje, jo pa sukses.

Është me të vërtetë një gjetje e shkëlqyer dhe një shenjë shumë optimiste për të gjithë ata që kryejnë kërkime për shpikjen e një softueri që të arrijë të përkthejë nga një gjuhë në tjetrën me saktësi maksimale. “Google Translator” nuk mund të funksionojë pa një korpus shumë të madh materialesh të publikuara në internet. Pra është tërësisht i varur nga këto materiale që përbëjnë edhe bazën e kërkimit të tij. Puna e saj është e përqendruar te miliona orët e punës që kanë kryer përkthyesit në dokumentet që janë në internet. Për momentin, ky mjet ofron një mënyrë përkthimi të dyanshme, në 58 gjuhë të ndryshme, që përbëhen nga 3306 shërbime të veçanta përkthimi më shumë se sa kanë ekzistuar ndonjëherë në të gjithë historinë njerëzore, deri më tani.

Bëhet fjalë për një ndërmarrje të vështirë, së cilës i duhet dhënë kohë që të zhvillohet dhe të perfeksionohet. Kjo sepse shumë gjuhë nuk kanë asnjë lloj materiali të përbashkët si në rastin e përkthimeve që kërkohen nga islandishtja në farsi, apo nga vietnamishtja në jidisht. Gjithçka varet nga sasia e materialeve që ndodhen aktualisht në internet. Kjo ndikon shumë edhe në cilësinë e përkthimit. Sa më shumë materiale që të ekzistojnë në të dyja gjuhët të cilave kërkohet përkthimi, aq më i saktë ka shans që të jetë ai. Kjo do të thotë se përkthimet në gjuhët më të përdorura në botë kanë përqindje shumë të lartë saktësie dhe mbi të gjitha, një variacion të madh në të gjitha fushat e shkencës, teknikës dhe të sferave të tjera. Por kryesisht programi i “Google Translator” është ndërtuar, duke pasur për bazë anglishten, pra duke iu referuar asaj. Kjo jo për shkak se “Google” ndodhet në Kaliforni, pra në një vend anglishtfolës, por sepse është anglishtja gjuha me të cilën kanë pasur dhe kanë një komunikim dhe shkëmbim më të madh edhe gjuhët e tjera dhe kjo e bën atë që të jetë pa dyshim një gjuhë reference. Pra nëse mes dy gjuhëve nuk ka ndonjë material të madh të përbashkët, atëherë motori i kërkimit i adresohet përkthimeve që këto gjuhë kanë në anglisht dhe mes tyre gjen edhe frazën më të përshtatshme të përkthimit. Në vendin e dytë vjen spanjishtja dhe më pas frëngjishtja, gjermanishtja dhe rusishtja. Por nuk duhet harruar në këtë mes edhe përdorimi gjithnjë e më i madh i gjuhës kineze dhe asaj mandarine. Këto dhjetë vitet e fundit ka pasur fluks shumë të madh për materiale të ndryshme në këto gjuhë aziatike, që tashmë kanë arritur të bëhen gjuhë kryesore, jo vetëm për shkak të numrit të madh të njerëzve që i përdorin, por mbi të gjitha të shtimit të sferave ku ato përdoren. Ndihmesë shumë të madhe japin në këtë mënyrë të të përkthyerit edhe përkthimet e romaneve dhe librave artistikë të shkrimtarëve të mëdhenj edhe në gjuhë të rralla. Kështu, për shembull, një nga burimet ku kërkon “Google Translator” janë klasikët apo autorët bashkëkohorë që ndodhen edhe në internet dhe të përkthyer në gjuhët e rralla. Kjo do të thotë, për shembull, që autori modern John Grisham, i cili është përkthyer edhe në gjuhët shumë të rralla, përbën një kontribut shumë të madh në funksionimin e “Google Translator”. Kjo është një pajisje, një soft jashtëzakonisht inteligjent që ka revolucionarizuar mënyrën e përkthimit mekanik dhe i ka dhënë shpresë një të ardhmeje edhe më të mirë në këtë drejtim. Sigurisht që nuk do të mundet kurrsesi një makinë që të përkthejë në mënyrën më të duhur nuancat gjuhësore, pasi kjo është shumë personale njerëzore dhe ka të bëjë me mënyrën e të ndjerit të njeriut dhe të të përjetuarit dhe të të përdorurit të fjalëve.

Janë të shumtë ata që i referohen përditë në punën e tyre kësaj “vegle” të zgjuar dhe me shumë rezultat. Kjo po ndihmon edhe për njohjen dhe zotërimin e gjuhëve nga një numër gjithnjë e më i madh njerëzish, që tashmë dhe për hobi kalojnë kohën, duke u përpjekur që të gjejnë kuptimin e një fjale, apo shprehjeje të gjuhës së tyre në një gjuhë tjetër. Sigurisht që ndonjëherë mund të dalin edhe fjalë, apo fraza pa kuptim, pjesërisht, apo plotësisht. Megjithatë lloji i “budallallëkut” që një makinë përkthimi arrin që të prodhojë është zakonisht më pak i rrezikshëm se sa gabimet që bëhen nga njerëz përkthyes. Kjo sepse që në fillim, në një përkthim jo të mirë të bërë nga GT, e dallon se gjërat nuk shkojnë mirë pasi gabimi është lehtësisht i dallueshëm, jo si në rastin e gabimit njerëzor kur është më e vështirë të dallosh një gabim. Në një gabim njerëzor, gjithsesi nuk ka vend për gafa trashanike dhe ti mund të verifikosh atë që nuk shkon, vetëm duke parë burimin kryesor. GT pak a shumë sillet si një përkthyes i zakonshëm i cili jo çdo ditë shpik gjëra të reja. Edhe ai përdor një fond në caktuar fjalësh dhe termash, të cilat i ka fiksuar dhe në mënyrë gati automatike i përdor në vendin dhe në kohën e duhur.

GT operon me përkthimin mbi bazën e asaj që jo çdo fjali është e ndryshme dhe se gjithçka është thënë dhe rithënë disa herë. Të gjitha gjuhët u shërbejnë të njëjtave nevoja, në të njëjtën mënyrë dhe e kryejnë këtë funksion më së miri. Nëse bëjmë të njëjtat gjëra në mënyrë të vazhdueshme, është sepse përballemi me të njëjtat nevoja dhe veprime, kemi të njëjtat frikëra, dëshira dhe ndjesi. Aftësia e përkthyesve dhe thelbi i të funksionuarit të “Google Translator” janë, edhe pse në mënyrë të ndryshme, reflektime paralele të humanizmit tonë të përbashkët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama