Qeveria vë në rreth 12 mijë persona që nuk kanë shlyer paratë e kredive të marra nga bankat shtetërore para privatizimit të tyre. Agjencia e Trajtimit të Kredive ka gjetur zgjidhjen për të mbledhur 17. 4 miliardë lekë që i detyrohen shtetit 12 192 debitorë. Paratë u dhanë në formën e kredisë rreth 15 vjet më parë nga bankat shtetërore të nivelit të dytë, por asnjë qeveri nuk ia doli t’i mblidhte këto detyrime. Drejtori i ATK-së, Feti Zeneli, bën të ditur për gazetën “Shekulli” se i ka propozuar Ministrisë së Financave një draft me strategjinë për mbledhjen e borxheve. Sipas draftit mësohet se, në këtë proces do të përfshihet pushteti vendor, ALUIZNI, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, madje edhe Policia e Shtetit. Në draft propozohet që debitorët e ATK-së të mos marrin asnjë shërbim nga institucionet shtetërore deri në momentin që do të shlyejnë detyrimin së bashku me interesat dhe kamatëvonesat. Agjencia e Trajtimit të Kredive propozon që për mbledhjen e këtij borxhi debitorëve që nuk u gjendet koletarali t’u sekuestrohen prona të tjera që të arrijnë vlerën e kredisë.
Masat
ATK kërkon që të mundësohet dërgimi në organet e pushtetit vendor, zyrat c Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, DRSHTRR, ALUIZNI, Tatime, Dogana, pikat e kalimit kufitar, Policinë e Shtetit, bankat e nivelit të dytë, pasqyrimi tek regjistri i kredive, fondacionet kredidhënëse dhe institucionet e tjera, të listës së debitorëve të ATK-së, duke kërkuar nga këto institucione debitorëve të mos u ofrohet asnjë shërbim pa paraqitur vërtetim nga ATK-ja, ku të tregohet, se nuk kanë asnjë detyrim ndaj saj lidhur me kreditë. Agjencia e Trajtimit të Kredive do të kërkojë bashkëpunimin me pushtetin vendor, evidentimi i adresave të reja të vendbanimit, të gjendjes pasurore, statusit të gjendjes civile, për çdo debitor që figuron si kredimarrës në zonën e tyre administrative. Gjithashtu do të kërkojmë të vendosen kufizime të shërbimeve për të gjithë ata persona që figurojnë debitorë pranë ATK-së, deri sa të paraqesin dokumentacionin e shlyerjes së këtij detyrimi. Agjencia e Trajtimit të Kredive do të kërkojë nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të mundësohet dhënia e informacioneve të sakta e të shpejta për çdo pasuri të këtyre debitorëve, pavarësisht mangësive që mund të paraqesë dokumentacioni i dosjes për lëshimin e dokumenteve të pronësisë.
Gjithashtu do të kërkohet të nxirret një qarkoreje prej Kryeregjistruesit që të krijojë lehtësi lidhur me ofrimin e shpejt të këtij informacioni, duke u dhënë përparësi përgjigjeve për aplikim nga ATK-ja dhe duke vendosur kufizime për transaksionet e këtyre pronave në emër të Agjencisë pa pritur të plotësohet dosja e dokumentacionit nga debitori. Po kështu, do të kërkohet vendosja e kufizimeve të shërbimeve ndaj klientëve që janë debitorë të ATK-se në 31.12.2013 deri sa të paraqesin vërtetim që nuk kanë detyrime ndaj Agjencisë. Një tjetër institucion nga ku do të merret informacion dhe do të pezullohet shërbimi për kredimarrësit që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj ATK-së është edhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, e cila do të japë informacion për çdo mjet të lëvizshëm në pronësi të debitorit. Problem ka qenë mosveprimi në asnjë rast i Policisë Rrugore për të bllokuar mjetet sipas urdhrit të Përmbaruesit. ATK-ja kërkon vendosjen e kufizimeve të shërbimeve ndaj klientëve që janë debitorë të ATK-së më 31.12.2013 deri sa të paraqesin vërtetim që nuk kanë detyrime ndaj Agjencisë. Një tjetër institucion që do të punohet ngushtësisht është edhe ALUIZNI, nga i cili do të kërkohet të jepet informacion i saktë për të gjithë ato prona që janë në proces legalizimi ose që kanë kaluar për t'u pajisur me dokumente pronësie nga debitorët. Po kështu do të kërkohet vendosja e kufizimeve të shërbimeve ndaj klientëve që janë debitorë të ATK-së në 31.12.2013 deri sa të paraqesin vërtetim që nuk kanë detyrime ndaj Agjencisë. Zyrat e Licencave do të ofrojnë informacion për të gjithë ato shoqëri që figurojnë debitorë pranë ATK- së dhe kanë emra të njëjtë administratorësh apo aksionerësh, të pezullojnë përkohësisht shërbimin ndaj atyre.
Përmbarimi
Lidhur me Shërbimin Përmbarimor Publik, ATK do të kërkojë të nxirret një urdhër nga Ministria e Drejtësisë në mënyrë që kthejnë pranë ATK-së të gjitha Urdhër Ekzekutimet që janë dërguar atje vit pas viti për veprime ligjore, në mënyrë që të procedohet me përmbarimin privat, duke i rivënë në ekzekutim këto dosje.