Pirro Thomo një specialist karriere në fushën e trashëgimisë, në restaurimin e objekteve të kultit të krishterë, por edhe të banesave historike tregon në një intervistë për “Shekullin” se çfarë ka ndodhur në vitet 1967-’68 me objektet e kultit. Sipas profesor Thomos, këto vite kanë qenë të vështira, jo vetëm për ndërtimet e kultit të krishterë, por në përgjithësi edhe për ato të kultit islamik, xhamitë, teqetë, tyrbet etj. Janë rreth 120 monumente kulti të cilat janë shpëtuar nga vala e shkatërrimit në vitet 1967-’68.
Profesor mund të na thoni përse vitet ’67-’68 janë cilësuar si vitet më të vështira për ndërtesat e kultit? Ka ndodhur vetëm me objektet fetare që i përkisnin krishterimit apo në përgjithësi?
Këto vite kanë qenë të vështira jo vetëm për ndërtimet e kultit të krishterë, por në përgjithësi edhe për ato të kultit islamik, xhamitë, teqetë, tyrbet etj. Siç dihet mbas vendimit për ndalimin e ceremonive fetare dhe mbylljen e institucioneve të kultit, pasoi një valë shkatërrimtare e paparë dhe e padëgjuar e objekteve fetare, ndërtesave, ikonave, kodikëve, dokumenteve e librave fetare, duke mos kursyer dhe ato ndërtesa që për vlerat e tyre ishin shpallur si monumente kulture dhe duke i sjellë fondit të kulturës kombëtare një dëm të pallogaritshëm. Në këtë frymë u ngrit dhe një komision me detyrë të rishikonte listën e monumenteve të kultit, për mbajtur ato më të rëndësishmet.
Cila është puna që ju së bashku me Gani Strazimirin, Theofan Popën, Aleksandër Meksin keni bërë konkretisht për të mbrojtur ketë pasuri?
Atëherë së bashku me kolegët Gani Strazimirin, Theofan Popën dhe Aleksandër Meksin, kundërvepruam me shpejtësi dhe me forcë, aq sa mundëm të zbusnim valën e parë. Duke argumentuar për dëmet e pallogaritshme që do të pësonte trashëgimia kulturore kombëtare, arritëm, së pari, nxjerrjen i një urdhri nga organet shtetërore për ndalimin e mëtejshëm të shkatërrimit të objekteve me vlerë dhe së dyti, mundëm të ruajmë në një masë të konsiderueshme numrin e objekteve Monumente Kulture. Komisioni i ngritur për rishikimin e listës së monumenteve të kultit e kishte reduktuar atë në rreth 30 monumente nga rreth 200 që ishin në listë. Me këmbënguljen e Strazimirit dhe Meksit, të cilët u ndodhen në minorancë, u thirrëm dhe unë e Popa në komision. Kërkuam që të rifillonte nga e para rishikimi i listës, duke vënë në dukje vlerën e çdo monumenti si përfaqësuese e fazave të ndryshme historike, veçoritë arkitektonike dhe artistike, piktorët që i kishin stolisur ato, rëndësinë e pajisjeve të brendshme, ikonostaseve, dhe objekteve të tjera të gdhendura në dru.
Kështu nuk mund të hiqeshin nga lista ato pak monumente të periudhës paleokristiane dhe bizantine që kishin arritur deri në ditë e sotme, ose ekzemplarët përfaqësues të tipologjisë së pasur e të larmishme të arkitekturës pasbizantine dhe asaj islamike, si dhe shpërndarja gjeografike e tyre. Po kështu nuk duhej diskutuar ruajtja e kishave të pikturuara nga piktorët e hershëm pasbizantinë të periudhës paraonufriane, kishat e pikturuara nga kryemjeshtri i shekullit 16 Onufri, nga Onufër Qiprioti, Nikolla i Onufrit, nga familja e Linotopasve, nga kryemjeshtri i shekullit 18 David Selenicasi, nga vëllezërit korçarë, Konstandin dhe Athanas Zografi, nga piktorët grabovarë të familjes së Çetirëve, apo xhamitë e te-qetë të zbukuruara me arabeska e peizazhe, si përfaqësuese të artit islamik et. etj. Po kështu nuk mund të hiqeshin nga lista e monumenteve ato ndërtesa që përmbanin kryevepra të arteve të aplikuara, si ikonostase me ikona të Konstandin Shpatarakur apo të Konstandin Jeromonahut etj.
Po me objektet e tjera të trashëgimisë kulturore si ikonat, apo objektet e tjera të gdhendura në dru, metal etj., që rrezikoheshin të zhdukeshin, çfarë u bë?
Sigurisht, ishte dhe një pjesë shumë e madhe dhe e rëndësishme e trashëgimisë kulturore që rrezikohej të dëmtohej ose të zhdukej. Pas sigurimit të mbrojtjes së monumenteve, një tjetër punë e vështirë priste të kryhej: dokumentimi dhe grumbullimi i ikonave dhe objekteve të tjera fetare me vlerë, punë të cilën e përballoi pothuajse i vetëm Theofan Popa. Vetëm po të njohësh numrin e ikonave dhe objekteve të tjera fetare me vlerë, po të dish se ku ndodhen kishat nga të cilat këto objekte që janë mbledhur, si dhe në çfarë kushtesh ato janë mbledhur, vetëm atëherë mund t’i kuptosh dhe t’i çmosh përmasat e kësaj pune kolosale të Theofanit. Mjafton të përmendim se mbi gjashtëmijë ikona dhe objekte të tjera kishtare ruhen në fondet e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë dhe pothuajse po kaq në Berat, Gjirokastër e gjetkë.
Nga vala shkatërruese e monumenteve të kultit a u rrezikua kisha e Labovës së Kryqit?
Nga vala e parë e pakontrolluar e shkatërrimit të objekteve fetare sigurisht që ishte e rrezikuar, por për fat të mirë ajo nuk u prek.
Është hedhur hipoteza që në këtë kish ruhej një kryq nga druri i shenjtë ku u kryqëzua Krishti, i cili u vodh në vitin 1980, madje thuhet se është vjedhur nga Pranvera Hoxha. Ç’dini për këtë vjedhje?
Në shumë kisha ruhen relike të cilat konsiderohen të shenjta. Po kështu edhe në kishën e Labovës së Kryqit mund të ketë pasur relike të tilla, që nga banorët e zonës mendoheshe se lidheshin me drurin e kryqëzimit të Krishtit. Unë nuk i kam parë ndonjëherë këto relike, as kam dëgjuar të flitet nga njohësi i thellë i liturgjisë fe-tare dhe i objekteve të saj, Theofan Popa, me të cilin kam bashkëpunuar për mbi13 vjet dhe me të cilin e kemi vizituar këtë kishë disa herë për qëllime studimore. Ndërsa për vjedhjen e këtyre relikeve për herë të parë po e dëgjoj, se përndryshe do të ishte bërë problem, siç ka ndodhur dhe për ngjarje të ngjashme në atë kohë.
Monumente kulti
Si përfundim i diskutimeve të gjata e të vështira arritëm të mbajmë në mbrojtje rreth 120 monumente kulti, duke i grupuar ato në monumente me rëndësi të veçanta arkitektonike (si p.sh. kisha e Labovës së Kryqit, Mesopotamit, xhamia e Mirahorit në Korçë, e Allabegies në rrethin e Dibrës, teqja e Dollmës në Krujë, kisha e Rubikut, e Planës etj, me rëndësi të veçanta të pikturës murale (të autorëve të përmendur më sipër, apo piktura e xhamisë së Ethem beut në Tiranë, etj., ndërtesa që ruhen për ikonostase (si p.sh. katedralja e Korçës, e Beratit, kisha e Leusës, etj.) ndërtesa në gjendje rrënojë (si p.sh. kisha e Shirgjit, e Shën Anës mbi fshatin Derviçan etj.) me qëllim për mos u dukur shumë e gjatë lista e monumenteve. Por nuk u mjaftuam vetëm me këtë arritje. Kërkuam kohë për të bërë dokumentacionin e plotë të atyre monumenteve që u sakrifikuan gjatë këtij procesi, para se të hiqeshin nga lista. U grumbullua kështu një material i bollshëm, që përbënte dhe një bazë të mirë edhe për studimet që pasuan.