Si mund ta sherojme shpirtin?

Si mund ta shërojmë shpirtin?
Psikoterapia, në disa sëmundje, është më shumë efikase se ilaçet, por ndonjëherë janë të domosdoshme edhe ilaçet dhe terapitë e tjera ndihmëse. Ja si mund ta çlirojmë mendjen nga fiksimet, depresioni, frikat dhe ankthi...

Të shërohesh me fjalë

Disa vit burg, pastaj tetë vjet martesë të turbulluar, droga, një pasuri prej 400 milionë dollarësh e harxhuar me një frymë dhe borxhe pa fund. Pika kulmore ishte kur gjatë një ndeshje në ring, boksieri i "tmerrshëm" i kafshoi veshin kundërshtarit të tij Evander Holyfield. Ky është Majk Tajson, boksieri i privuar nga autokontrolli. Përkundrazi, ky ishte Majk Tajson, nëse duhet t‘i besojnë asaj që ai tha në një intervistë televizive më 12 tetor: "Nëse nuk e di kush jam, mund të humbas kontrollin, të shkatërroj familjen time të mrekullueshme ose veten dhe unë nuk dua ta përshkoj më atë rrugë". Sot, Tajson është i bindur se kush është dhe çfarë kërkon, falë një psikoterapie të nisur dy vjet më parë.

Fjalë dhe dëgjim

Psikoterapia apo "kura e shpirtit" tregon një ndryshim, duke përdor fjalët dhe dëgjimin, mendimin dhe marrëdhënien. Ekzistojnë më shumë se 300 të tilla. Por a ekzistojnë provat shkencore se ato funksionojnë? Cila metodë është më efikasja në luftën kundër depresionit dhe cila për të luftuar ankthin? Rilindja e psikoterapisë në mënyrë paradoksale nisi kur Hans Jurgen Eysenck (1916-1997), docent i psikologjisë në Institutin e Psikiatrisë në Universitetin e Londrës, e kritikoi me një serë artikujsh që provonin joefikasitetin e saj në krahasim me ndërhyrjet e tjera. Eysenck, në fakt tregonte se, për të vlerësuar një terapi duhej llogaritur sa pacientë përmirësohen apo shërohen në 100 të kuruar, në një interval të caktuar kohor dhe pastaj t‘i krahasosh me evolucionin natyror të sëmundjes në një grup analog pacientësh. Duke analizuar 19 studime mbi 7 mijë pacientë, ai kishte treguar se psikanaliza arrinte të përmirësonte rreth 44 për qind të pacientëve kundrejt 64 për qind të pacientëve që përmirësoheshin duke biseduar me një person të gatshëm për ta dëgjuar në mënyrë empatike dhe 72 për qind të pacientëve të trajtuar nga mjekë specialistë. Me pak fjalë, psikoterapia rezultonte metoda më pak efikase. Sot, studimet kanë treguar se psikoterapia funksion shumë herë më mirë.

Rezultate të dukshme

Pothuajse gjysmë shekulli distancë, psikoterapistët e terapisë konjektive të sjelljes (CBT) punojnë më shumë mbi modifikimin e sjelljeve vetëshkatërruese, duke e lënë analizën në sfond dhe kontrollojnë sistematikisht rezultatet e punës së tyre. Shërimi apo përmirësimi i pacientit janë dokumentuar jo vetëm nga përballja me pacientët e kuruar në një mënyrë tjetër, por edhe nga analizat biologjike, madje edhe nga diagnostikimi i imazheve": CBT në fakt modifikon plasticitetin cerebral. Jo vetëm kaq. Te pacientët në terapi me antidepresivë vihet re një reduktim 15-20 për qind i hormoneve të tiroides, si tiroksina, të konsideruar si tregues të depresionit. Të njëjtat rezultate, sipas një studimi të Russell Joffe, nga "Mcmaster University Medical Center" në Hamilton, Kanada, arrihen edhe te pacientët depresivë të shëruar me 20 javë psikoterapi. Pastaj janë provat e diagnostikimit të imazheve. Lewis Baxter dhe Jeffrey Schwartz, psikiatër në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, ndanë disa pacientë në obsesi-kompulsiv (që tentojnë të përsëritin në mënyrë të fiksuar disa sjellje) në dy grupe: i pari i trajtuar dy muaj me psikoterapi dhe i dyti me një antidepresiv të quajtur fluoxetina. Para dhe pas terapisë të gjithë iu nënshtruan PET (Positron Emission Tomography) të trurit. Rezultati: psikoterapia funksionon.

Emocionet

CBT ndërhyn te mendimet dhe emocionet. Emocionet dhe marrëdhëniet janë të lidhura me interpretimin e ngjarjeve të përditshme dhe mendimeve që "prodhohen" në ndërgjegje. Psikoterapia propozon modifikimin e interpretimit të ngjarjeve, rrjedhimisht edhe atë të sjelljeve, duke përdorur dialogun sokratik: d.m.th ta stimulojë pacientin t‘i gjejë përgjigjet brenda vetes dhe me ushtrime që synojnë të forcojnë sjellje alternative të shëndetshme. Studime të shumta tregojnë se është efikase sa ilaçet në terapinë e depresionit të lehtë dhe të moderuar. Po ashtu, një nga avantazhet e saj është se njerëzit në depresion të trajtuar me CBT kanë një rrezik shumë herë më të vogël se sa ata me ilaçe për t‘u sëmurë sërish.

Edhe në rastet e rënda

"CBT është rruga më e mirë edhe për kurimin e bulimisë dhe arrin rezultate pozitive në 70 për qind të rasteve. Në krizat e panikut ka sukses 87 për qind", thotë Sandra Sassaroli, psikiatre dhe drejtoreshë e studimeve konjektive në shkollën e psikoterapisë në Milano. "Por funksionon edhe për sindromën e stresit pas traumës, fobitë në përgjithësi dhe fobinë sociale në veçanti. Sot, shtëpitë farmaceutike u këshillojnë edhe gënjeshtarëve ilaçe dhe antidepresivë". Por, për të arritur rezultatet e duhura nevojitet kohë. Për të kuruar një depresion të rëndë apo shqetësimet me ankthin duhen muaj ose javë të tëra. Për më tepër problemet me personalitetin mund të kërkojnë vite. Terapia e krizave të panikut kërkon të paktën 12 seanca, ku një prej tyre kushton nga 50 deri në 150 euro dhe po kaq duhen për të kuruar simptomat e bulimisë. Psikoterapia e sjelljes jep rezultate edhe në rastin e sëmundjeve të rënda. Në shqetësimet bipolare (ajo ku alternohen faza depresive dhe euforie) ndihmon në kontrollin e stresit dhe të njohësh shenjat e kalimit nga një fazë në tjetrën, për të ndërhyrë në kohë me terapinë farmakologjike. Edhe në pacientët e tjerë redukton rrezikun e vetëvrasjes. Po terapitë e tjera psikoterapeutike apo psikanalitike? Për momentin mungojnë studimet shkencore që tregojnë efikasitetin. Por shumë shpejt metoda e përdorur për të provuar këto rezultate mund të aplikohet edhe aty.

Ilaçet nuk mjaftojnë

Sëmundjet mendore janë më të përhapura se sa mendohej. Ato prekin një në katër persona. Pjesa më e madhe e europianëve janë të bindur se nuk kanë të bëjnë fare me këtë sëmundje. Por studimet tregojnë se një në katër veta është i prekur dhe vuan. "Godet" burra dhe gra, por në mënyrë të ndryshme. Gratë kanë një probabilitet 1.5 herë më të madh për t‘u sëmurë nga ankthi dhe depresioni. Burrat vuajnë më shumë nga toksikodipendenza (1 në 8) dhe nga personaliteti antisocial dhe janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të vetëvrasjes (75 për qind e atyre që vrasin veten janë meshkuj dhe kryesisht të rinj). Edhe rastet e rënda të sëmundjeve mendore janë më të shpeshta nga sa mendohej, 1 në 100 persona preket nga skizofrenia. Megjithatë të dhënat bazohen vetën në shifrat e atyre që kërkojnë ndihmë.

Rastet e fshehura

Pjesa më e madhe e të sëmurëve mendorë "fshihet" brenda në shtëpi: jeton keq, pa diagnozë, pa terapi. Kohët e fundit një studim ka treguar se simptomat patologjike, si halucinacionet apo mendimet delirante janë të pranishme dhe në atë pjesë të popullsisë të cilësuar të "shëndetshme". Nga kërkimi doli se te 250 individë të shëndetshëm që iu nënshtruan një testi psikiatrik u zbuluan simptoma që besohej se i kishin vetëm njerëzit që vuanin nga sëmundjet mendore. Por ka edhe lajme të mira. Para së gjithash, edhe nga sëmundjet më të rënda mendore mund të shërohesh. Natasja Melezes, një psikiatre në Universitetin e Torontos, në Kanada, ka ndjekur për rreth një vit 150 pacientë të shtruar për episodin e parë të psikozës në katër qendra universitare kanadeze, deri në rinisjen e aktiviteteve sociale dhe punëtore. Rreth 70 për qind e tyre nisi shkollën dhe punën si më parë. 51 për qind u shëruan plotësisht, ndërsa 74 për qind nuk kishin më asnjë simptomë. Vetëm toksikodependentët kishin ende simptoma 6 muaj pas episodit të parë: sot, thonë psikiatrit, krizat e skizofrenisë janë në rritje pasi "zgjohen" nga konsumi i drogave si kokaina, marijuana dhe ekstazia.

Jeta në familje

Merita e shërimit qëndron jo vetëm te terapitë farmakologjike, por mbi të gjitha edhe te terapeutët psikosocialë. "E ndihmojnë pacientin të kurohet, të bëjë vizitat e kontrollit, apo të shtrohet në spital. I mbështesin në punën e tyre ose në rrugën drejt shërimit. Por rol të rëndësishëm luan edhe familja e të sëmurit, që ndikon në gjendjen e tij emocionale. Kjo lloj asistence sociale mund të duket e parëndësishme por ajo rrit efikasitetin me 30 për qind", tregojnë psikologët. Ideale do të ishte të kujdeseshe për pacientin, kur sëmundja është në fillimet e saj. Pacientët skizofrenikë zakonisht shkojnë te psikiatri tre vjet pas simptomave të para, që shfaqen mes moshën 15 dhe 20 vjeç dhe manifestohen me tërheqjen sociale, braktisjen e shkollës apo punës. Përmes terapisë me ilaçe dhe asaj psikosociale edhe një skizofren mund të jetojë mirë, sepse kështu mëson t‘i trajtojë zërat brenda vetes si trupa të huaj. Pikërisht strategjia e të "injoruarit" të zërave brenda vetes bëri që edhe një skizofren si John Nash të punonte fort dhe të fitonte çmimin "Nobel" në ekonomi.

Më mirë të parandalosh

Kujdesi i nënës, ushqyerja me gji, një baba i pranishëm, jo droga dhe pak alkool. Pastaj aktivitet fizik, shëtitje në natyrë, një ushqyerje korrekte dhe një jetë sociale stimuluese deri në plakje. Kështu mund të eliminosh rrezikun për t‘u prekur nga sëmundjet mendore.

Shkaku i vërtetë i sëmundjeve mendore nuk dihet ende. Dihet që gjenet mund të luajnë rol të rëndësishëm, por edhe se binjakët, që ndajnë të njëjtën "pasuri" gjenetike, njëri sëmuret, kurse tjetri jo. Që këtej del se gjenet nuk mjaftojnë dhe se një rol në shëndetin mendor luan edhe ambienti. Por nëse kjo që themi është e vërtetë, atëherë këto lloj sëmundjesh mund të parandalohen. Atëherë çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur sa më gjatë shëndetin tonë dhe të njerëzve të afërt? Disa masa mbrojtëse janë të njohura prej kohësh.

Taksa parandaluese

Dimë që alkooli është një prej faktorëve që ndikon në zhvillimin e këtyre sëmundjeve, ndaj rritja e taksave të alkoolit mund të çojë në ndalimin me abuzimin e tij. Por nëse dikur ishin të pakta strategjitë e mundshme, sot një numër i madh studimesh ka shtuar të tjerë elementë.

Vetëmjekimi

Është parë se të gjitha substancat abuzuese pengojnë prodhimin e neuroneve si te kafshët ashtu dhe te njeriu. Por jo vetëm kaq, studimet kanë treguar se të gjitha substancat abuzuese, përfshi edhe ato të pranuarat, si për shembull kanabisi, mund të shkaktojnë kriza psikotike në subjektet e predispozuara. Por, para një krize të tillë askush nuk e di nëse është i predispozuar apo jo. Kështu që një gotë verë në drekë mund të jetë një rregull për një jetë të shëndetshme. Shpesh mendojmë se alkooli është një mënyrë për të qenë mirë, por mes atyre që vetëvriten shumë kanë probleme me pijen. Mund të çojë drejt depresionit të fshehur dhe të dëmtojë kapacitetin e trurit për të kujtuar. Ka edhe mënyra të tjera për të qenë mirë, të zbuluara nga eksperimentet te minjtë. "Ushtrimet fizike, si për shembull ecja rrit prodhimin e neuroneve, ose ‘neurogjenezës‘. Aktiviteti fizik rrit fluksin e gjakut në tru dhe kjo ka shumë rëndësi", shpjegojnë psikiatrit. Një tjetër faktor i dëmshëm për trurin është stresi, i cili mobilizon kortizolin që bllokon neurogjenezën. Ndaj nëse stresi përsëritet vazhdimisht për shkak të stilit të keq të jetesës, është shumë i dëmshëm.

Kura e natyrës

Deri tani ishin studiuar shumë pak, por janë rritur provat që tregojnë se është faktor i rëndësishëm. Kërkuesit për shëndetin në Holandë publikuan një studim të gjerë me 345 mijë pacientë dhe dolën në përfundimin se treguesit e ankthit dhe depresionit ishin shumë inferiorë në komunitetet fshatare dhe në subjektet me status social ekonomik më të ulët. Me pak fjalë, sasia e hapësirave të gjelbra në ambientin rrethues është faktor me rëndësi në shëndetin psikik.

Lojëra pozitive

"Është provuar se neurogjeneza, sintomi i mirëqenies së trurit zgjat gjithë jetën", tregojnë mjekët. Kjo mund të arrihet duke mos e lënë trurin të gjenerojnë drejt plakjes. Mirë është ta stërvitësh atë pavarësisht moshës, por jo me aktivitete pasive si shikimi i televizorit, por me stimuj të rinj kulturorë, si loja me letra, zgjidhja e fjalëkryqeve dhe njohja e njerëzve të rinj. Por sot dihet edhe një tjetër faktor i rëndësishëm: kujdesi i nënës në fëmijëri. Ushqyerja me gji dhe përkëdheljet e saj favorizojnë zhvillimin e qelizave cerebrale dhe e bëjnë trurin e fëmijëve më të fortë. Këta fëmijë arrijnë ta menaxhojnë edhe stresin më mirë. Në fund, rëndësi të madhe luan edhe ushqimi. "Është thelbësor. Të gjitha ushqimet që favorizojnë obezitetin dëmtojnë trurin. Yndyrat shtazore, sheqernat dhe insulina luajnë rol negativ, sepse transportohen edhe në tru. Diabetikët, për shembull ose ata që vuajnë nga kolesteroli i lartë në gjak janë më të prirë për depresionin", shpjegojnë specialistët. Me pak falë një dietë e pasur me fruta dhe perime dhe e varfër në yndyra shtazore bën diferencën.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama