Si mund te frenohet fenomeni brain drain

Si mund të frenohet fenomeni
Fenomeni i njohur si "brain drain" ose largim i trurit nga Shqiperia përfshin elitën intelektuale të vendit, pikërisht atë që jep inpulsin e zhvillimeve cilësore, atë që projekton të ardhmen. Për fat të keq kjo elitë, që deri më sot e ka çarë rrugën drejt dijes në sajë te talentit të vet, mbetet në shumicën dërrmuese të rasteve pasuri e universiteteve perëndimore ku ajo formohet.

Vendi i origjinës, Shqipëria, mbetet vetëm në nostalgjinë e kujtimeve dhe të ndonjë plani të vakët, kushedi.... një ditë edhe mund të kthehen.

Që kjo ditë të mos jetë e largët, që "brain drain" të frenohet qeveria e kryeministrit të djathtë Berisha e ka aplikuar për herë të parë "Fondin e Ekselencës".

Në këtë kapërcyell të viteve, 25 të përzgjedhur nga universitetet e Shqipërisë, do të përfitojnë mbështetje financiare për të kryer studime pasuniversitare në universitetet më të mira të botës.

Kryeministri Berisha duke iu drejtuar të përzgjedhurve tha se: "Me këtë fond prej 750 mijë eurosh fillojmë realizimin e një prej zotimeve elektorlae: frenimit të brain drain nga Shqipëria."

Përzgjedhja e studenteve u krye në bazë të të dhënave të universiteteve ku ata kanë studiuar por dhe të aplikimeve të atyre vetë lidhur me interesat e vazhdimit të studimeve pasuniversitare.

Fondi i Ekselences qe do te rritet ne vitet ne vazhdim. Ai do të përdoret jo vetëm për kryerjen e studimeve të doktorates apo post-doktoraturës, por edhe për çmime për studentë fitues në konkurse apo olimpiada ndërkombëtare, mbështetje financiare të botimeve me nivel të lartë shkencor.

Qeveria e kryeministrit të djathtë Berisha iu rikthye me „ Fondin e Ekselencës" një tradite të njohur në Shqipërinë e viteve ´ 20 dhe ´30- të të shekullirt të kaluar kur studentët më të mirë mbështeteshin finnaciarisht për të kryer kërkime shkencore pas studimeve në universitetet e njohura të Europës dhe SHBA.

Në bazë të një marrveshjeje të nënshkruar mes qeverisë së Tiranës dhe përfituesve të parë nga "Fondi i Ekselencës" këta të fundit janë te detyruar që  të kthehen në Shqipëri dhe të punojnë në atdhe të paktën për 5 vjet.

Ani Ruci : Dw-World.de

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama