Si mund te parandalojme kancerin?

Si mund te parandalojme kancerin?
Janë të shumta këshillat për të pasur një shëndet të mirë. Shpesh bëhet fjalë për këshilla shumë provokative, pasi për shembull disa ngulmojnë se është mirë që të marrësh multivitamina me shumicë, për shkak se reduktohet rreziku i kancerit. Të tjerë thonë të kundërtën. Në lidhje me parandalimin e kancerit flitet edhe se të bën dëm që të qëndrosh pasiv dhe të kesh një jetë sedentare, për të mos folur për duhanin. Ndërkaq ka edhe një numër të madh këshillash për ushqimet e mira, ose të ashtuquajturat “superushqime” që ndihmojnë organizmin në parandalimin e sëmundjeve në përgjithësi dhe të kancerit në veçanti, siç është për shembull domatja.

Në fakt sipas mjekëve, njeriu ka shumë në dorë për sa i përket stilit të jetesës, që t’i japë vetes një jetë të shëndetshme, veçanërisht në pleqëri kur trupi ka nevojë më shumë për mbështetje dhe energji. Këtë e thotë edhe një mjek onkolog, i cili ka 20 vite që merret me sëmundjet kanceroze. Sipas tij është më efikase dhe më e mirë që parandalosh një sëmundje se sa ta kurosh. Gjithsesi në tërësinë e masave që duhen marrë në këtë drejtim, ai vetë ka nxjerrë disa nga masat që në të vërtetë do të ishin shumë të dobishme për parandalimin e kancerit. Dhe bëhet falë për masa që mund t’i marrë pa vështirësi çdokush prej nesh, duke filluar nga blerja e këpucëve të rehatshme dhe komode e deri te vendosja e orareve në konsumimin e vakteve.

Dhe të gjitha këto rregulla mbështeten në prova shkencore. Bindja e tij prej eksperti është se pikërisht përmes parandalimit, mund të fitojmë shumë në luftën kundër kancerit. Sipas tij, kanceri është armiku i fundit që i qëndron në “kokë” fatit të çdo një në tre grave në rang botëror dhe një në dy burra. Ai thotë që mund të mos arrijmë që të kuptojmë kurrë një sëmundje si kanceri dhe se një e vërtetë tjetër është se një parandalim i mirë është më efikas edhe se një kurë jashtëzakonisht e mirë. Sipas tij, kanceri është si një gjigant i fjetur brenda të gjithëve ne. Ndonjëherë qëllon që të zgjohet befas, herë të tjera me ngadalë dhe në raste të tjera fare dhe këtu kemi të bëjmë me individë me fat. Por në shumë raste, para se të “zgjohet”, ai luftohet heshtur nga mekanizmat e shumtë që ka trupi kundër tij.

Zakonisht problemet ndodhin kur diçka e dobëson mekanizmin tonë mbrojtjes. Në atë moment, qelizat nisin që të funksionojnë keq dhe tumori kanceroz zhvillohet jashtë çdo kontrolli. Ai beson se mënyra më e mirë për të parandaluar kancerin është të bërit çdo gjë që është e mundur për ta parandaluar përmes mënyrave të thjeshta të jetës së përditshme, për një trup të shëndetshëm dhe sa më pranë natyrës. Trupi ynë në mënyrë të vazhdueshme është në kërkim të situatës së homeostazës në të cilën të gjitha sistemet e brendshme janë në perfeksion, në balancë të përkryer.

Kur e rëndojmë trupin tonë me shumë strese, me shumë probleme si dhe me substanca të vështira për t’u tretur dhe përballuar si droga, apo alkooli apo edhe të ngrënët e tepruar, atëherë kjo situatë e brishtë balance brenda trupit nis dhe prishet dhe në këtë çarje futet sëmundja. Këto janë edhe momente gjatë të cilave kemi shanset më të mëdha për t’u sëmurë. Mjeku këshillon hapa që janë jashtë të menduarit konvencional, si për shembull vë në dyshim përdorimin e multivitaminave, si të disa pilulave që thuhet se kanë të gjitha elementet e frutave dhe perimeve të freskëta që i përdorim shpesh në ditë. Ai thotë se edhe pse pikëpamjet e tij mund të duken si jo të zakonshme, të gjitha kanë mbështetje në fakte shkencore. Një nga këshillat është mënyra se si i mbajmë këmbët, çfarë lloj këpucësh veshim. Sipas tij këpucët e rehatshme, sportive, me lëkurë të mirë dhe komode janë shumë të rëndësishme për parandalimin e kancerit.

Kjo sepse një këpucë e tillë redukton burimet e panevojshme të inflamacionit në trup. Inflamacioni është pjesë e procesit natyror shërues të trupit dhe shkaktohet kur trupi takon një stimul të dëmshëm, të tillë si ndonjë baktere, plagë, apo irritantë të tjerë. Megjithatë kur inflamacioni bëhet kronik, mund të jetë shkatërrimtar. Kjo mund të vërtetohet nga shumë prova. Dhe shumë sëmundje të rënda të njeriut, përfshi edhe ato të zemrës, lidhen me inflamacionin por edhe kanceri nuk përjashtohet aspak. Kanceri zakonisht shkaktohet nga gjene që janë të dëmtuar, apo me të meta. Gjenet mbajnë instruksione që më pas u thonë qelizave tona se çfarë duhet që të bëjnë dhe kjo është e koduar brenda AND-së sonë.

Çdo gjë që dëmton AND-në apo godet procesin e saj natyror të vetëndreqjes mund të shkaktojë rrezik kanceri. Kur trupi përballet me inflamacionin kronik, trupi e ndalon procesin e tij vetëshërues për t’u përqendruar tek inflamacioni dhe lufta kundër tij. Dhe kur “dyqani” i riparimeve të trupit i ka ulur qepenat, atëherë bëhet shumë vulnerabël ndaj çdo lloj sëmundjeje. Ndaj nëse do të vishnim këpucë të parehatshme, që do të na vrisnin, apo do të na shtrëngonin, duke na shkaktuar plagë, do të thotë që do t’i shtojmë një sasi të panevojshme dhe të tepërt inflamacioni trupit. Nëse kjo do të ndodhte shpesh, atëherë trupi ynë do të mbingarkohej dhe do të ndodhte procesi i mësipërm.

Një tjetër këshillë është ajo e mospërdorimit të multivitaminave, përveç rasteve të shtatzënisë, kur është e nevojshme për shkak të zhvillimit të fetusit. Edhe pse bëhet një propagandë e madhe është e vërtetuar tanimë se multivitaminat nuk e parandalojnë aspak kancerin, pra nuk kanë asnjë efekt mbi të. Madje në të kundërt, disa suplemente si vitamina E dhe vitamina C mund të dëmtojnë shëndetin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama