Si mijëra femra nëpër botë, Mary mendoi se një ndërhyrje e tillë do të ishte e sigurt dhe një mënyrë e kollajtë për të përmirësuar pamjen. Procedura përfshinte injeksionin e një substance xheli nën lëkurë. Megjithëse ndërhyrje të tilla u zhvilluan për të trajtuar deformimet, kirurgët kuptuan shpejt se mund të përdorej edhe për të kënaqur dëshirat e njerëzve. Tani ndërhyrje të ngjashme janë shumë më të shpeshta se rastet e qëllimit fillestar. “Përdoruesit” e tij priten të rriten edhe më tepër në vitet në vazhdim. Jashtë, ligji i ka shpallur këto trajtime si të padëmshme, ndryshe nga botoksi.
Por pas morisë së problemeve që po dalin, ligji duhet të rishihet. Dëshmitë mjekësore tregojnë se ato mund të shkaktojnë probleme mjekësore që përfshijnë verbërinë, kolapsin e fytyrës, herpes, sëmundje reumatike dhe ngjyrë blu-vjollcë të lëkurës. Shembulli është patjetër rast ekstrem, por për të ditur efektet që mund të ketë botoksi, pyetëm mjeken dermatologe Entela Shkodrani. Iu drejtuam së pari estetistes Lida Sherifi, por meqenëse mohoi kategorikisht se mund të kishte ndonjë efekt anësor nga botoksi, iu drejtuam dermatologes.
Entela Shkodrani
“Botoksi ka komplikacione, por jo të kësaj grade”
Shumëkujt mund të mos i pëlqejë pamja që sheh në pasqyrë një mëngjes dhe ta marrë vendimin aty për aty, se disa mbushje të vogla s’janë ndonjë qamet i madh. Jo vetëm bëhen fare kollaj, por të tregojnë më mirë. Dhe në fakt, është e vërtetë që kur ndërhyrja bëhet me masë dhe në mënyrën e duhur, rezultati është i mirë. Shembulli që ju sollëm më lart vinte nga Anglia, ndërsa në Shqipëri deri tani nuk ka raste të tilla.
Megjithatë, sipas mjekes dermatologe Entela Shkodrani, rreziku ekziston gjithnjë. “Unë nuk kam dëgjuar që pasojat e botoksit apo injeksioneve në lëkurë mund të çojnë deri në verbim. Komplikacione ka patjetër nëse nuk injektohen në mënyrën e duhur, por jo të lidhura me verbimin. Mund të shkaktojë strabizëm apo rënie të kapakut të syrit, gjë që zgjat për një muaj e shkon sërish në vend. Paraliza faciale është një tjetër rrezik që vjen prej ndërhyrjeve të këtij lloji”.