Shuma 2.493.400 Lekë". Edhe pse të habit shifra shumë e lartë për një aktivitet të kësaj natyre, nuk mund të dimë saktë pse një institucion shtetëror jep një shumë kaq të majme për t'u shërbyer fondacioneve private. Ç'lidhje ka Ibrahim Kodra me 100-vjetorin e Pavarësisë. Duke iu referuar lajmeve dhe intervistave të dhëna në kohën kur u çel ekspozita zbulohet e gjithë natyra abuzive e këtij aktiviteti dhe lekët e dhëna. Për rastin flagrant të pazareve të ulëta të dy institucioneve, Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës me fondet e shtetit, të cilat fshihen pas "lisit të madh" të pikturës Mjeshtrit të ndjerë Ibrahim Kodra, do të flasim më hollësisht sesi ka ndodhur më poshtë.
Por... të mos harrojmë se abuzimet e kanë rrugën hapur edhe në projektet e ardhshme. Ja një rast: Konkursi për veprat muzikore të kompozuara në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912-2012) që do të përfundoi në nëntor do të kushtojë rreth 50 milionë lekët të vjetra. Cilat janë arsyet që veprat e kompozuara në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë të jenë kaq të shtrenjta.
EKSPOZITA E IBRAHIM KODRËS
Siç u shpall dhe u reklamua në media ekspozita e Ibrahim Kodrës doli sikur ishte një bashkëpunim dhe kontribut i koleksionistëve dhe fondacioneve me mbështetje simbolike të MKTRS-së dhe Galerisë Kombëtare të Arteve. Atëherë buxheti nuk ishte bërë transparent dhe nuk pyetëm pse kjo ekspozitë e Ibrahim Kodrës u la të nënkuptohej që ishte kontribut i shoqatave. Drejtori i Galerisë zoti Rubens Shima u shpreh se kishte ndihmuar me konceptin kuratorial dhe motivi për këtë ekspozitë ishte rikthimi në atdhe i Ibrahim Kodrës me ekspozitën "Shqipëria fantastike".
Ekspozita "Shqipëria fantastike" u çel në mars dhe ka qëndruar hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë deri më 20 Maj. Veprat i kishin sjellë disa koleksionistë dhe emrat e tyre u mbajtën tepër sekret. Disa ishin gati në Galerinë Kombëtare. Pra koleksionistët privatë janë shpërblyer për këtë ekspozitë dhe emrat ngelën anonimë. Fasada e kësaj ekspozite u bë tepër poetike për të humbur çdo gjurmë. "Hapet me të parën vepër të piktorit dhe të fundit të tij. Aty gjenden dhjetëra vepra të cilat asnjëherë më parë nuk janë ekspozuar në Shqipëri. (Dokrra, te gjitha i kishim parë vite më parë-red), në vendin ku piktori deshi të prehej". Këtë ekspozitë e ngriti në qiell edhe Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në Parlament si projekt të madh për Pavarësinë. Kryeministri Berisha i dha një një rëndësi të vecantë kësaj ekspozite. Kjo justifikonte çdo shpenzim, sado i madh të ishte. Ai e cilësoi Ibrahim Kodrën si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit në të gjitha kohërat, një krijues vigan që ekspozoi veprat e tij me piktorët më të mëdhenj të kohës.
"Ai vjen sot në vendin e tij, tha Kryeministri, në 100 vjetorin e Pavarësisë, më dinjitoz se kurrë, me kontributin e tij të madh në gjeninë krijuese të kombit, me këtë ekspozitë të mrekullueshme". Kryeministri u shpreh se kryevepra e të gjitha kryeveprave të Ibrahim Kodrës është "Shqipëria Fantastike". Për realizimin e kësaj ekspozite del se është paguar edhe Fondacioni "Ibrahim Kodra" në Milano, edhe koleksionisti privat Kozma Dashi, si dhe koleksionistë të ndryshëm privatë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Presidenti i fondacionit që mban emrin e Kodrës, Fatos Faslliu ka bërë reklamën e fondacionit të tij me intervista në media me rastin e kësaj ekspozite të bërë me 25 milionë lekët e marra nga taksapaguesit shqiptarë.
MOTIVIMI I FONDEVE
Kongresi i Lushnjes dhe ngjarjet e 21 janari
Pa diskutuar sinqeritetin e gjysmës së deklaruar të shpenzimeve si shumën prej 8.44.000 Lekëve të konkursit mbarëkombëtar mbi realizimin e posterit festiv të “100-vjetorit të pavarësisë”, që u zhvillua në janar, pranë galerisë kombëtare të arteve, si dhe shumën prej 622.000 Lekëve për koncertin e 92-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, i cili u organizua në teatrin “Vaçe Zela”, në datën 21 janar 2012, ngrihen shumë pikëpyetje mbi motivin e këtyre aktiviteteve. Si i erdhi ndërmend qeverisë që të përkujtohej Kongresi i Lushnjës, më 21 janar, i historikisht i kishte zhvilluar punimet në 23 Janar. Pse u bë dy ditë më parë dhe si ka mundësi që u zhvillua paralelisht me ngjarjet e 21 janarit.