Momente lufte mund t'i cilësoje ato ng jarje të ditës së djeshme që ndodhën pranë stadiumit "Skënderbeu", madje e gjithë dita ka qenë me ankth dhe frikë në këtë qytet.
Incidentet ndodhën nga përplasjet mes grupit të parë të tifozëve të Partizanit, që mbërritën herët në mëngjes në Korçë dhe tifozëve vendës. Goditje me njëritjetrin, tifozë të plagosur, shkopinj, tymuese, xhama të thyera, dhunime mjetesh dhe shumë gjëra të tjera ka qenë bilanci i "luftës" që ndodhi dje në Korçë deri në orët e pasdites.
"Panorama Sport" ka qenë pranë vendit të ngjarjes dhe më poshtë po paraqesim kronologjinë e ndodhive:
Ora 22:00 - Në orët e mbrëmjes së të enjtes, një ditë përpara ndeshjes, një grup prej rreth 60 tifozësh të Partizanit niset në drejtim të qytetit juglindor për të qenë të nesërmen në stadium.
Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që tifozë të ekipeve kundërshtare të niseshin drejt Korçës një natë para. Kjo ndodhi pikërisht me "Ultras Guerrils".
Ora 01:00 - Ky ka qenë orari kur "Guerrils"-at, të nisur nga kryeqyteti, kanë mbërritur në qytetin e Pogradecit dhe menjëherë janë vendosur përpara hotelit ku ishte vendosur ekipi i tyre i zemrës.
Duke mbështetur skuadrën e tyre, ata kanë ndezur fishekzjarrë dhe kanë brohoritur duke zgjuar futbollistët dhe stafin teknik përpara një ndeshjeje si ajo e djeshmja, por sigurisht duke u dhënë zemër lojtarëve.
Ora 03:00 - Pasi kanë lënë Pogradecin, ky grupim tifozësh të Partizanit, në orën 03:00 të mëngjesit ka mbërritur në qytetin juglindor të Korçës. Tifozët janë vendosur në qendër të tij, madje kanë qëndruar në një prej lokaleve 24 orë hapur. "Ultras Guerrils" e ka pritur mëngjesin rrugëve të këtij qyteti, për të filluar incidentet e para.
Ora 09:00 - Pikërisht në këtë moment kanë filluar edhe lëvizjet e para të tifozëve miq, të cilët kanë pasur kontaktet e para me disa prej mbështetëse të Skënderbeut. Në një prej rrugëve të qytetit, një mikrobus me një stemë të Partizanit goditet dhe i thyhet xhami, ndërkohë që mbërrin policia dhe forca të shumta për të qetësuar situatën.
Ora 11:00 - Tifozëria e kuqe lëviz për në qendër të qytetit dhe vendoset përpara Katedrales, madje për disa momente ultrasit ulen përpara saj dhe këtu fillojnë incidentet e para. Në mënyrë të çuditshme dhe të pakuptimtë, "Guerrils"-at godasin një grup tifozësh të vegjël korçarë, sigurisht për arsye se edhe këta të fundit kanë thërritur duke mbështetur ekipin e tyre të zemrës. Në këtë çast mbërrin sërish një tjetër furgon policie dhe e qetëson situatën. Mirëpo, disa metra më tutje, thyhet edhe një xham autobusi nga "Guerrils"-at dhe disa xhama pallatesh që ndodheshin më larg se Katedralja.
Ora 11:30 - Duke parë se situata sa vinte dhe po rëndohej në lidhje me përplasjet e mundshme, kanë qenë disa uniforma blu që kanë qëndruar pranë tifozëve dhe i kanë shoqëruar rreth unazës së qytetit më këmbë deri në momentin kur ultrasit e "demave" u vendosën në aneksin e stadiumit "Skënderbeu".
Ora 12:00- Akomodimi i "Guerrils"-ave bëhet pikërisht në një cep të aneksit të stadiumit "Skënderbeu", atje ku sistemohen pranë një lokali dhe këtu drekojnë mes picave dhe birrave. Sigurisht që nuk kanë munguar këngët dhe sharjet në kor në adresë të tifozërisë vendëse, të "Ujqërve të dëborës".
Ora 13:40- Pikërisht ky ka qenë orari që plas edhe "lufta" në qytetin e Korçës. Duke sharë në kor, 100 metra më larg tifozëve miq, afrohen tifozë të Skënderbeut, të cilët sa vijnë e bëhen më të shumtë në numër. Mes ofendimeve mes njëritjetrit, "Guerrils"-at turren drejt "Ujqërve" dhe këtu ka përplasje me thika, gurë, apo mjete të tjera të forta, sherr që zgjat për disa minuta.
Por, pikërisht kur në këtë moment duheshin uniformat blu, ka qenë e vështirë të gjeje, me përjashtim të disa uniformave të Policisë Rrugore, që nuk mund të ndërhynin, pasi ata kishin punën e tyre dhe po ruanin hyrjet e të gjitha anëve të stadiumit.
Janë pikërisht tifozët miq ata që afrohen dhe thyejnë xhamat e lokaleve, shtëpive dhe makinave që ndodheshin aty pranë. Ndërkohë, tifozët vendës ndërhyjnë përsëri dhe të kuqtë tërhiqen.
Një moment i çuditshëm ndodh pak më vonë kur një makinë afrohet pranë tifozëve të Partizanit dhe nxjerr nga bagazhi shkopinj të gjatë druri duke ndihmuar tifozët miq dhe largohet menjëherë pa u vënë re nga ato pak uniforma blu që ishin pranë në ato momente.
Kështu veprohet për rreth 20 minuta me radhë, ku dukej se ishte gjendje "lufte" dhe si pasojë tifozët miq kanë thyer edhe xhamin kryesor të derës së stadiumit "Skënderbeu".
Ora 14:00- Pas kaq shumë minutash sherresh, mbërrijnë më së fundi furgonat e parë të policisë, të cilët mezi kanë qetësuar tifozët miq dhe i kanë tërhequr sërish në pjesën e aneksit të stadiumit "Skënderbeu". Policët fillojnë të zbusin situatën dhe të qetësojnë tifozët e Partizanit që vazhdonin të ishin të acaruar. Largohen tifozët korçarë që ishin pranë dhe furgona të shumta nisin të mbërrijnë për të rrethuar tifozërinë mike, që edhe pse rreth 60 tifozë dhe jo më shumë në numër tronditën një qytet të tërë.
Ora 15:00- Kjo ka qenë ora që thuajse ka përfunduar aventura e rrahjeve, sharjeve, dhunës, pasi, përveç qindra policëve nga rrethet përreth, mbërrijnë edhe forcat e FNSHsë nga kryeqyteti, të cilët rrethojnë të gjithë pjesën pranë stadiumit dhe askush nuk guxon më të lëvizë nga vendi.
Me pak fjalë, kjo ishte kronologjia e ditës së djeshme e tifozëve "Guerrils", që mbërritën pa u gdhirë mirë dhe që sollën atë rrëmujë që me fjalë është shumë pak ta përshkruash. Ata që e panë nga pranë mund ta cilësojnë me plot gojë një gjendje "lufte", edhe pse mbi të gjitha ishte thjesht një ndeshje futbolli dhe asgjë më shumë.
LLAZI SARO