Ndiqnin çdo lëvizje të baronetëve, kontrollonin bizneset e tyre, madje "fusnin hundët" edhe në çështjet më intime. Mes tyre kishte diplomatë, të cilët nga ambasadat e shpërndara në çdo cep të kontinentit informonin për çdo gjë në Londër, apo policë që grumbullonin të dhëna për t‘i futur në raporte e dokumente të rezervuara. Nga ana tjetër kishte funksionarë të Ministrisë së Thesarit, që llogarisnin dhe verifikonin se sa ishin fitimet e tyre, deri në qindarkën e fundit. E kështu, emrat e "Fab Four" shfaqen në dosjet e Bankës së Anglisë, në kartelat e "Foreign Office", apo skedarët e "New Scotland Yard". Një dokumentacion i pabotuar mbi "Beatles", që ruhet mes rafteve të "National Archives" në "Kew Gardens", në hyrje të Londrës.
Brenda tyre gjen shumë gjurmë mbi tetë vitet kur shkëlqeu grupi i famshëm, kur shëtisnin nëpër botë e monitoroheshin ditë pas dite, orë pas ore. Raporte dhe informacione të klasifikuara që tregojnë për ta dhe njerëzit që i rrethonin. Megjithatë, nga dokumentet angleze nuk duket asnjë gjurmë për ndjekjet që shërbimet sekrete amerikane, si CIA dhe FBI, nisën ndaj Xhon Lenonit, kur në vitin 1969 muzikanti filloi betejat e tij për paqe dhe kundër luftës në Vietnam. Në dosjet londineze gjendet edhe historia e një skupi fals gjatë udhëtimit të tyre të parë në SHBA; po ashtu edhe prapaskena e turneut të tyre në vitin 1966 në Japoni, ku i kërcënonin se do i vrisnin; dëshmitë e tratativave në vitin 1967 për blerjen e një ishulli në Egje; si dhe dokumentet mbi arrestimin për drogë të Xhon Lenonit dhe ankesa për një ekspozitë me piktura erotike për nder të Joko Onos në vitin 1970. Në "Kew Gardens" gjendet edhe akti final i aventurës së tyre të jashtëzakonshme dhe shkresat që Pol MekKartnei kishte ngritur ndaj tre ishshokëve pas ndarjes së grupit në fillim të vitit 1971.
I gjithë ky material është marrë javët e fundit nga kërkuesi Mario J. Çergino dhe po studiohet me kujdes për të nxjerrë në pah të tjera sekrete. Kapitulli i parë i atyre dosjeve gjigande ndërton edhe një herë ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 11 shkurtit të vitit 1964, në ambasadën angleze në Uashington, menjëherë pas koncertit të "Beatles" në kryeqytetin amerikan. Për këtë flet edhe dokumenti i "Foreign Office", numër 366/ 3429 i 20 shkurtit të atij viti, ditën kur deputeti i Uestminster, Kuenel, pyeti ministrin e Punëve të Jashtme nëse kishte ndërmend të përpilonte ndonjë deklaratë zyrtare mbi aksidentin që u kishte ndodhur disa të rinjve të një grupi muzikor të njohur si "Beatles". Gjithçka nisi me një artikull të "Daily Express", që tregonte se në festën e bërë nga ambasadori David Ormsbi-Gore, katër pjesëtarët e grupit u trajtuan keq nga shërbimet e sigurisë.
Lajmi që duket paska qesharak, në të vërtetë përbënte një "rast" të veçantë. Por çfarë ndodhi vërtet atë mbrëmje në ambasadën angleze? Në morinë e njerëzve që rrethonin ndërtesën, një vajzë 18-vjeçare, e quajtur Beverli Markovic, i preu me gërshërë një grusht flokësh njërit prej pjesëtarëve të grupit, dhe pikërisht Ringos. Ky sulm u bë menjëherë objekt i një raporti që u nis shumë shpejt drejt Londrës nga funksionari Xhon Killik. Gjatë atyre orëve u përhap me shpejtësi edhe lajmi se ajo që kishte marrë flokët e bateristit të "Beatles"-ave kishte qenë gruaja e një diplomati anglez. Më 21 shkurt ministri i Punëve të Jashtme iu përgjigj pyetjes së bërë nga Kuenel: "Hipoteza se ‘Beatles‘ u trajtuan keq është absolutisht e pabazë. Në ‘Kew Gardens‘ është edhe prova e asaj që pohon ministri: një letër e menaxherit të kuartetit, Brian Epstein, që falënderon ambasadorin në Uashington për mbrëmjen e mrekullueshme". "Beatles"- at u larguan nga Amerika dhe gjithmonë e më të famshëm nisën të qarkullonin në Evropë dhe Azi. Ishte vera e vitit 1966 kur zbarkuan në Japoni.
Qëndrimi i tyre në Tokio zgjati nga 29 gushti deri më 3 korrik. Edhe këtu shërbimet sekrete nuk iu ndanë për asnjë moment: njerëz të ambasadës dhe spiunë. Bollëku dhe popullariteti i jashtëzakonshëm i shqetësonte pushtetarët. Një i ngarkuar anglez me këtë punë postoi në Londër një raport që ruhet në arkiva me titullin "Beatles në Tokio". Në të shkruhej: "Problemi i vetëm është siguria. ‘Beatles‘-at duhej të mbroheshin nga fansat. Por më të rrezikshmit kanë qenë kundërshtarët fanatikë të grupit dhe gjithçka që ka lidhje me ta. Me pak fjalë, armiq që i kanë kërcënuar me vdekje". Më pas vijon: "Operacioni i përgatitur nga policia japoneze ka qenë i barabartë me atë të Lojërave Olimpike të vitit 1964: rreth 35 mijë policë dhe një kosto e përgjithshme rreth 30 mijë sterlina". Pastaj, në fund e mbyll raportin me fjalinë: "Fatkeqësisht, ne të ambasadës nuk patëm kënaqësinë që të takonim ‘Beatles‘- at.
I vënë në siklet, menaxheri i tyre, Epstein, më shpjegoi se pas eksperiencës së Uashingtonit djemtë vendosën që të mos marrin më pjesë në pritjet e organizuara nga ambasada". "Beatles" u kthyen në Evropë dhe pas suksesit të jashtëzakonshëm në të gjithë botën të albumit "Sgt. Pepper‘s", në verën e vitit 1967 shkuan me pushime në Greqi. Por, para se të largoheshin u takuan me avokatët e tyre, për të nisur procedurat mbi blerjen e një ishulli në Egje, me një vlerë rreth 120 mijë sterlina. I gjithë operacioni duhet të qëndronte i fshehur. Në një dokument të Departamentit të Thesarit, avokatët e Lenonit, MekKartneit, Herisonit dhe Starit paraqisnin kërkesat e klientëve të tyre, ku shkruanin se "‘Beatles‘ kanë nevojë për një vend për të pushuar dhe bërë muzikë. Duhet ta kuptoni se duke qenë të famshëm në nivel ndërkombëtar, për ta është thuajse e pamundur të gjejnë një vend në botë larg turmave të fansave dhe gazetarëve". Këto shkresa nga ministria iu drejtuan Bankës së Anglisë. Letërkëmbimi vazhdoi për disa javë rresht, por në fillim të vjeshtës një funksionar u komunikoi superiorëve të tij "se ‘Beatles‘ hoqën dorë nga projekti, sepse patën vështirësi ligjore dhe shuma e kërkuar për blerjen e ishullit ishte rritur".
Një vit më vonë, Xhon Lenon dhe Joko Ono do të dilnin për herë të parë në kronikat e gjyqësorit. Ishte 18 tetori i vitit 1968 kur policia angleze bëri kontroll në apartamentin tyre londinez në "Montague Square" Nr.34 dhe i arrestoi për përdorim dhe mbajtje të substancave të ndaluara, si kanabis". Më 1 nëntor, deputeti Artur Levsi kërkon një seancë parlamentare, nëse "policia e ka paralajmëruar shtypin mbi përpjekjen për të dhunuar rezidencën private të Xhon Lenonit". Dyshimi është i madh. Dikush në Angli dëshiron të kërcënojë një nga artistët më popullorë dhe rebelë të atyre viteve të trazuara. Në dokumentin "Metropolitan Police/2/ 7933" është përgjigjja e kreut të sektorit të Antidrogës, Paul Davidson: "Vetëm në orën 12:03 hymë në banesë. Nuk ishte i pranishëm asnjë eksponent i shtypit. Ndërkohë, një fqinj lajmëroi avokatin David Xhekobs, që mbërriti në vendngjarje në orën 12:35. Megjithatë, kur erdhën qentë e Antidrogës fotografët ishin ende aty. Policia doli bashkë me Lenonin dhe Joko Onon në orën 13:00 dhe në orën 13:30 rreshteri Godard informoi zyrtarisht shtypin për arrestimin e të dyve". Ylli i "Beatles"- ve u paraqit në Gjykatën e Merilebonit më 28 nëntor dhe u dënua që të paguante një shumë prej 150 sterlinash.
Por për të telashet me drejtësinë nuk përfunduan me aq. Policia dukej sikur donte të ndërhynte gjithmonë kundër Lenonit. Më 3 mars të vitit 1970, inspektori i policisë, Frederik Luf, shkruan në një tjetër raport atë çka ndodhi më 15 dhe 16 janar në "London Arts Gallery", në rrugën "New Bond". Po hetonte për "Ekspozitën e litografive të Lenonit", pas një denoncimi të bërë kundër pronarit të galerisë, amerikanit Euxhene Ivan Shuster. Bëhej fjalë për Xhorxh Uilliam Holms, një burrë i datëlindjes 1906, pensionist, i cili pasditen e 15 janarit kishte shkuar në komisariat duke thënë: "Po kaloja përpara galerisë dhe vura re që ishin ekspozuar punime të Xhon Lenonit. Pashë disa litografi... U tmerrova. Ishin karikatura që riprodhonin raportet seksuale me natyrë neveritëse. Sinqerisht më habiti fakti se një grua mund të "riprodhohej" në pozicione të tilla. Unë vetë u ndjeva i kontaminuar nga ato që pashë. Nëse mendoj se nëna ime apo gruaja ime mund të përfundonte në atë gjendje mendore, pyes veten se ku ka përfunduar mirësjellja njerëzore".
Një ditë më vonë policia e denoncoi për "turpësi" pronarin e galerisë, duke urdhëruar mbylljen dhe sekuestrimin e 8 litografive me temë seksuale nga 14 që gjendeshin në ekspozitë. Edhe veprat e sekuestruara përmendeshin në raportin e "New Scotland Yars" më 21 janar të vitit 1970. Sipas asaj që shkruante inspektori Luf, litografitë ilustronin raportin e Lenonit me Joko Onon, martesën e tyre dhe aktivitetin seksual. Më pas Luf shton të tjera detaje: "Dizajnot përshkruanin veprimet e mëposhtme seksuale të turpshme që Xhon bënte me Jokon". Një dokument i fundit i gjetur në "Kew Gardens" vjen nga Gjykata e Lartë. Është procesi gjyqësor i Pol MekKartnit kundër tre shokëve të vjetër, pas shkrirjes së grupit. Këto dokumente mbajnë datën 9 gusht 1972 dhe tregojnë për të drejtat që Poli, Xhorxhi dhe Ringo kishin marrë për pjesët e kompozuara nga Poli. Mes tyre shumë numra, llogari, bilance, fitimet marramendëse të djemve nga Liverpuli, pjesëtarë të grupit më të madh të të gjitha kohërave.
Gazeta: Shqip