Kur na pëlqen një djalë, kalojmë një pjesë të mirë të kohës duke u përpjekur që të zbulojmë nëse është i fejuar, në ç’mënyrë mund ta bëjmë për vete dhe a ka ndonjë mënyrë të shpejtë për të nxjerrë jashtë loje vajzën që na pengon për të realizuar qëllimet tona. Duke përjashtuar vajzat e maskuara, shembuj jo të rrallë për t’u transformuar nga shtriga në Borëbardhë vetëm për të kapur gjahun e dëshiruar, të tjerat kanë nevojë për këshilla që të fitojnë pa shumë lodhje zemrën e djalit që duan.
Ç’duhet bërë? Këshilla e parë: duke u shtirur nuk fitoni asgjë, por as “të hapeni si vaji në lakra” nuk ju leverdis. Për të kuptuar nëse i pëlqeni një djali dhe ai po përpiqet t’ju joshë, duhet t’i lini kohë të hedhë hapat e tij, duke i zbuluar vetëm ato pjesë të vetes që doni t’i tregoni.
Këshilla e dytë është të mos tregoni asnjë traumë tuajën që keni kaluar në fëmijëri, pas pyetjes “Po tani si je?”. Në këtë mënyrë njohja do të jetë më e lehtë dhe do të filloni të kuptoni se çfarë duhet të prisni. Një këshillë tjetër shumë e vlefshme është: mos u shtyni kurrë nga ndjenja për të fituar diçka, përndryshe frika që biseda nuk është spontane do të prishë bukurinë e çdo veprimi. Ju duhet të ndiheni të çliruara dhe të tregoni interesin tuaj pa u kushtëzuar. Kjo nuk do të thotë hiqeni ajo që nuk jeni, por thjesht të silleni mirë dhe t’ia fitoni zemrën bashkëbiseduesit.
Tashmë ka ikur koha kur dikur mësonim si t’i joshnim meshkujt duke i ngacmuar me këmbë apo duke i gërvishtur me thonj. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të jemi vetvetja, ndoshta në një version më të lehtë: pa “make-up”.
Për të joshur duhet zgjuarsi
Një studim ka konfirmuar se për të tërhequr një mashkull, më shumë veshja dhe pamja e fytyrës, vlen personaliteti dhe ndjenja e humorit. Bukuria nuk është gjithçka: në fund të fundit, të dyja gjinitë si ajo mashkullore edhe femërore, tërhiqen më shumë nga zgjuarsia dhe bukuria e shpirtit, sesa nga pamja fizike. Sensi i humorit, shijet muzikore dhe personaliteti në përgjithësi janë shumë më të rëndësishme për të nxitur flakën e dëshirës. Këtë e konfirmon edhe një studim i kohëve të fundit i kryer nga Lynx. Pjesëmarrësit në studim, deklaruan se gruaja e ëndrrave duhej të ishte e zgjuar, t’i pëlqente muzika dhe kinemaja (31% dhe 28%), si dhe të ishte e pasionuar pas udhëtimeve (32% e më shumë).
Natyrisht që e njëjta gjë vlen edhe për gratë; vetëm 14% e meshkujve e konsiderojnë të rëndësishme pamjen. Të dhëna që nuk duken kaq pa vlerë nëse shfletohen revistat e modës dhe ndizet televizori, ku sfilojnë pa mbarim bukuri të pakapshme të cilave nuk u kërkohet të shprehen në mënyrë tjetër veçse duke bërë garë se cila ka fustanin më të bukur: shpesh modelet e imponuara nga shoqëria jonë mund të kenë pasoja të mëdha mbi ndjeshmërinë e vajzave sidomos mbi adoleshentet. Prandaj është e rëndësishme të përsëriten se cilat janë gjërat që janë vërtet me rëndësi për t’u shoqëruar me të tjerët, duke i dhënë më shumë përparësi interesave dhe mendimeve sesa pamjes së jashtme.
Sigurisht, kjo nuk do të thotë që ju të mos kujdeseni për pamjen tuaj, edhe pse ky është një zakon i këndshëm dhe i shëndetshëm, në qoftë se kryhet pa stres dhe presion nga jashtë: një mënyrë e shëndetshme jetese, me një dietë të ekuilibruar dhe ushtrime të rregullta fizike është kura më e mirë e bukurisë dhe ka të bëjë aspak me gjërat sipërfaqësore.
Së fundi pak ironi: askush nuk është i përsosur, është normale që të kesh boshllëqe fizike ose kulturore, por nuk duhet të harroni se njerëzit e përsosur nuk ekzistojnë, madje ka gjasa që edhe partneri juaj të fshehë ndonjë defekt.