Si t’i mesojme shpejt gjuhet e huaja?

Si t’i mesojme shpejt gjuhet e huaja?
Ja një listë këshillash sa argëtuese aq edhe të vlefshme për të mësuar sa më shpejt gjuhët e huaja: nga filmat, këngët e deri te komunikimi i përditshëm për të pasuruar fjalorin. Por mbi të gjitha, mos kini frikë nga gabimet.

Të mësosh një gjuhë të huaj, përveçse domosdoshmëri në kohën e globalizimit, është edhe një eksperiencë shumë e bukur. Të bën të njohësh kultura të reja dhe të dish të komunikosh me njerëz të rinj. Në fillim interesi është shumë i madh, por më vonë me kalimin e kohës prioritetet ndryshojnë dhe të duket gjithmonë e më e vështirë që të bësh “llogaritë” me librin e vështirë të gramatikës, që duhet patjetër ta lexosh. Ajo që të duhet është një strategji ndihmëse, e cila të ndihmon të mos humbasësh për asnjë ditë “stërvitjen”. Kjo disiplinë mund të ndihmojë, por për ata që nuk e kanë një virtyt të tillë kemi edhe një listë këshillash sa argëtuese aq edhe të vlefshme.

Të dëgjosh këngë

Mundohuni të gjeni tekstet e këngëve në gjuhën që ti kërkon të mësosh. Përpiqu t’i fiksosh fjalët dhe pastaj këndoje. Kjo do të ndihmojë shumë të kujtosh shprehje të reja, por edhe gramatikën. Truri yt do të mësojë të njohë modele linguistike, që më pas gjatë ndonjë bisede do të rikthehen në mendje me shumë lehtësi. Kjo mënyrë është shumë e mirë, sepse përsërit, dëgjon dhe vendos në praktikë jo vetëm fjalët dhe gramatikën, por edhe ritmin dhe tingullin e gjuhës. Ndërkaq, të kënduarit mund t’ju bëjë të ushtroheni në mënyrën se si duhet t’i thoni fjalët.

Të lexosh libra për fëmijë

Është një mënyrë shumë e mirë, sidomos nëse sapo ke nisur të mësosh një gjuhë të huaj. Pikërisht kështu fëmijët nisin të ushtrohen. Mendja jote do të memorizojë imazhet dhe do t’i lidhë me fjalët e përdorura.

Leximi i librave

Lexo libra të shkruar në gjuhën që dëshiron të mësosh. Nxirri të gjitha fjalët e reja që nuk i di teksa lexon. Në fillim do të jetë e vështirë, mos mendoni se do të arrini të kuptoni çdo fjalë apo frazë. Me kalimin e kohës do ta kuptosh se fjalori juaj do të nisë të pasurohet pak nga pak.

Lexo revista dhe materiale në internet

Lexo revista apo artikuj në internet. Mjafton një artikull i shkurtër çdo ditë. Pastaj mund ta printosh dhe ta lexosh edhe para se të flesh. Zgjidhni zakonisht tekste të thjeshta që e keni më të lehtë t’i kuptoni.

Mos ki frikë nga gabimet

Nga gabimet mund të mësosh shumë. Nuk duhet të kesh frikë apo turp. Nuk duhet të jesh perfekt. Kujto që të gjithë kështu e kanë mësuar gjuhën në fillim. Përpiqu të mësosh disa fraza për t’u përdorur gjatë një bisede në gjuhë të huaj.

Shihni shumë filma

Mirë do të ishte që filmat të kishin titra. Përpiqu të gjesh një nga filmat e preferuar në gjuhën që do të mësosh. Kërko filma të shkurtër dhe argëtues. Të mësosh një gjuhë të huaj duhet të jetë gjithmonë një eksperiencë që ju kënaq pa masë.

Komuniko me të huaj

Zër miq të huaj. Shoqëria dhe bisedat me ta, qofshin ato edhe virtuale, janë një mënyrë e mirë për të mësuar shpejt dhe rrjedhshëm. Çdo ditë një bisedë e shkurtër të ndihmon të ushtrohesh në gjuhën që do mësosh.

Një mësues i mirë i huaj

Metoda më efikase, por edhe më e kushtueshmja për të mësuar një gjuhë të huaj, është të gjesh një mësues të mirë. Por nëse nuk ke mundësi të paguash shumë, atëherë përpiqu të bësh ndonjë shkëmbim: mësoji dikujt gjuhën tënde dhe ti mëso gjuhën e tij.

Si përshtatet truri

Kur Karl Kim emigroi në SHBA nga Koreja e Jugut ndërsa ishte adoleshent, rreth dhjetë vjet më parë, u lodh shumë për të mësuar anglishten. Tani ai e flet atë rrjedhshëm dhe kohët e fundit ka pasur një mundësi të veçantë për të parë se si truri ynë përshtatet ndaj një gjuhe tjetër. Kim tani është student në laboratorin e Joy Hirsch, një neuroshkencëtar në Nju Jork. Ai dhe Hirsch kohët e fundit kanë provuar se fëmijët dhe të rriturit nuk përdorin të njëjtën pjesë të trurit kur mësojnë një gjuhë të dytë. Kërkuesit përdorën instrumentin e quajtur MRI (imazhet e rezonancës magnetike) për të studiuar trurin e një grupi njerëzish që flisnin dy gjuhë. Një grup ishte ai që e kishte mësuar gjuhën e dytë që fëmijë, ndërsa tjetri përbëhej nga njerëz që ashtu si Kim, e kishin mësuar gjuhën e dytë shumë vonë në jetë. Të dyja grupet iu nënshtruan një rezonance magnetike.

Kjo e lejoi Kim dhe Hirsch të shihnin se në cilat pjesë të trurit kalonte më shumë gjak dhe bëhej më aktive. Ata pyetën të dyja grupet se çfarë kishin bërë një ditë më parë, njëherë në një gjuhë pastaj në tjetrën dhe nuk flisnin me zë të lartë, sepse çdo lëvizje mund të ndërpriste “skanimin”. Kim dhe Hirsch panë në mënyrë specifike qendrat e gjuhës në tru. Zona ‘broca’ mendohet se kontrollon fjalët, ndërsa ajo e quajtur ‘wernicke’ kuptimin. Kim dhe Hirsch gjetën se të dyja grupet e njerëzve përdorën të njëjtën pjesë të zonës ‘wernicke’-s, pavarësisht se çfarë gjuhe ishin duke folur. Por mënyra se si ata përdornin zonën ‘broca’ ishte e ndryshme.

Njerëzit që mësonin një gjuhë të dytë kur ishin fëmijë përdornin të njëjtën zonë ‘broca’ për të dyja gjuhët. Njerëzit që e mësonin gjuhën e dytë më vonë në jetë përdornin një pjesë speciale të kësaj zone për gjuhën e dytë, afër asaj që aktivizohej për gjuhën mëmë. Si i shpjegoi Hirsch këto ndryshime? Ai beson se te fëmijët e vegjël mund të përziheshin të gjitha gjuhët në të njëjtën zonë të trurit. Një mundësi e dytë është se ne ndoshta mund t’i mësojmë gjuhët ndryshe kur jemi fëmijë dhe ndryshe kur jemi të rritur. Sipas tij, fëmijët, sidomos në moshën 8-9 vjeç, i mësojnë dhe i kapin më shpejt gjuhët e huaja. Kjo, sipas ekspertëve, është vërtetuar edhe shkencërisht dhe nuk lë vend për dyshime.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama