Si t‘i qendrojme besnike mendimit tone

Si t‘i qëndrojmë besnikë mendimit tonë
Zakonisht nuk na pëlqen të ndryshojmë mendim, sidomos kur bëhet fjalë për të përmbysur tërësisht pozicionin tonë. Ndaj kjo gjë ndodh rrallëherë, pavarësisht të dhënave dhe informacioneve që kemi kundër bindjeve tona. Sigurisht që një gjë e tillë edhe mund të rastisë, por nëse kjo gjë ndodh, atëherë hyjnë në funksion shumë kundërshtime psikologjike. Për të kuptuar arsyen, duhet parë mënyra me të cilën mendja e njeriut ndërton opinionet e veta. "Imagjinoni një rrjetë, të formuar nga shumë nyje të lidhura. Në fakt, çdo opinion përbëhet nga të dhëna të ndryshme, emocione, eksperienca, bindje, që në mënyrë koherente lidhen me njëra-tjetrën, duke krijuar një lloj ‘rrjete të ekuilibruar‘. Për ne, ky ekuilibër konjuktiv është shumë i rëndësishëm, ndaj informacionet që na shqetësojnë merren rrallëherë në konsideratë", shpjegon një psikologe sociale. "Të ndryshosh mendim ka një çmim, i cili mund të jetë shumë i lartë dhe kjo gjë na merr shumë energji, vëmendje, kohë. Për të ndryshuar mendim duhen vënë në funksion të gjitha nyjat e rrjetës sonë, duke i rishikuar e duke i ribashkuar edhe një herë, për t‘i vënë në një ekuilibër koherent", vazhdon më tej psikologia.

Ndër të tjera, çdo ndryshim opinioni ka një kosto. Kjo është arsyeja që gjithmonë na duket e vështirë të ndërrojmë punë edhe pse nuk jemi të kënaqur me atë që kemi. "Veç të tjerash, kostoja e të ndryshuarit mendim është emotive dhe veçanërisht e dhimbshme. Të jesh praktikant katolik, ose tifoz i çmendur i skuadrës së Interit, do të thotë shumë për një grup dhe të ndryshojmë këtë mendim është njësoj si të heqim dorë nga identiteti ynë", shpjegon më tej ajo.

Nëse dikush e deklaron veten ekologjik, do ta pranonte me vështirësi që i ka pëlqyer të bëjë një xhiro me makinë në mal, edhe pse kjo gjë nuk ka fare lidhje me të. "Koherenca është konsideruar një virtyt jashtëzakonisht pozitiv në kulturën e një individi, prandaj të ndryshosh mendim është edhe më e vështirë, nëse më parë në publik kemi shprehur një opinion tjetër".
Mendimet që kemi kundrejt njerëzve (miqve, kolegëve, partnerit) janë shumë rezistente ndaj ndryshimit. Zakonisht, kur takojmë një njeri që nuk e njohim, duhet të krijojmë me shpejtësi një mendim dhe ta pozicionojmë në kategorinë e duhur. Ja shembulli më banal: burrë/grua; i bardhë/i zi; i ri/i moshuar; pastaj: simpatik/i shëmtuar; i qeshur/serioz etj. Në fakt, të gjithë njerëzit janë të prirur ta gjykojnë personin që kanë përballë nga pamja e jashtme, gjë e cila nuk i ndihmon kurrë.

Kështu, nëse njohim dikë, kemi nevojë të regjistrojmë shumë informacione për të ndryshuar gjykimin tonë të parë, ose në të kundërt ai person duhet medoemos të na bëjë të jetojmë një eksperiencë të magjishme për të ndryshuar rrënjësisht përshtypjen e parë. Ja për shembull: imagjinoni sikur në takimin e parë keni dalë me vajzën që ju pëlqen dhe ju duket shumë e ëmbël. Pas pak sekondash ajo ju pëshpërit në vesh duke ju thënë se ka një pasion të zjarrtë për të bërë seks oral, apo se ka qenë e arrestuar për çështje banale...

Të bombardohemi për një kohë të gjatë nga informacione që vënë në krizë bindjet tona, apo të jetojmë një eksperiencë të frikshme, kjo do të na tjetërsonte. Për një psikolog të famshëm amerikan, faktorët që luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshim e opinionit janë racizmi, mendjemadhësia, injoranca, frika e shumë të tjera.

Faktorë të tjerë që psikologu i quan "rezonancë" ndikojnë në prekshmërinë e lartë. Është rasti kur njerëzit magjepsen nga një mendim i ri dhe tronditës, i cili ju duket menjëherë i gjetur dhe i përshtatshëm, pa i ditur në fakt arsyet. Këto lloj ndryshimesh hasen shpesh kur bëhet fjalë për artin ose muzikën. Në fakt, për psikologun, të ndryshosh mendim për dikë apo diçka të caktuar, është e pamundur.

Sipas tij, ka edhe nga ata njerëz që janë të gatshëm të ndryshojnë. Nga njëra anë elasticiteti i madh ose i vogël varet nga mosha. Për shembull, adoleshentët, duke jetuar një fazë eksplorimi të botës dhe vetes, janë më të hapur ndaj ideve të reja; ndërsa duke u plakur, njeriu sa vjen e bëhet më konservator. Nga ana tjetër ka pjesë të personalitetit që të shtyjnë drejt ndryshimit, ose të bëjnë t‘u qëndrosh besnik bindjeve të mëparshme. Një prej tyre është "tendenca e vetëkontrollit". Për shembull, njerëzit me një vetëkontroll të lartë kërkojnë gjithmonë të vishen në mënyrën e përshtatshme për vendin dhe rastin e duhur, ndërsa ata që e kanë kaq të theksuar këtë virtyt, ndiejnë se duhet të veshin xhinse edhe në një festë ose dasmë. Zakonisht "ekstremistët" kanë tipare personaliteti të forta dhe dogmatike. Nëse ndryshojnë, atëherë bëhet fjalë "për një ndriçim hyjnor".




Artikujt e fundit


Reklama

Reklama