Si t’i zbulosh mashtrimet e tij?
- Botuar: 16 vite më parë
- Shkruar nga:
Ke të dashur, por dyshon në të ardhmen e lidhjes suaj? Pyetesh se a të mashtron, apo thjesht nuk është i kënaqur me ty dhe i duhet pak më shumë hapësirë? Duhet ta dish se nuk ekzistojnë shenja plotësisht të sigurta që do të thoshin se i dashuri yt nuk është i interesuar në ty, por ja cilat janë më të shpeshtat.
Largohet nga ti
Kjo është njëra nga shenjat e para se diçka nuk është në rregull. Eviton kontaktin fizik me ty, gjen mijëra arsyetime që të mos takoheni. Megjithatë, nuk duhet që të alarmohesh menjëherë, ndoshta “tipi” ka probleme personale të cilat kanë ndikuar që të mos i bjerë mend për asgjë. Para se ta kalosh tërë natën duke qarë, informohu dhe merr vesh se për çka bëhet fjalë me të vërtetë. Mos e sulmo dhe mos u bëj histerike, por ngadalë bisedo dhe zgjidhi problemet në mënyrë të civilizuar. Duhet që t’i analizosh mirë arsyetimet e tij që të mos takoheni. Është e vërtetë se djemve ndonjëherë u pëlqen që të dalin vetëm me shokët, pa vajza, për të pasur mundësi që të bisedojnë për temat e tyre të preferuara: futbollin dhe vajzat. Por, nëse ai del me shoqëri ku ka edhe vajza, ku do të mund të përshtateshe edhe ti, atëherë këtu me të vërtetë diçka nuk është duke shkuar si duhet.
Të bën vërejtje
Nëse i dashuri yt vazhdimisht komenton atë që thua apo bën ti, duke mos hezituar që të të bëjë edhe vërejtje, kjo mund të ketë shumë domethënie.
Opsioni i parë është se e bën shumë nervoz, sidomos nëse nuk sillet gjithmonë ashtu. Por, mund të jetë edhe se ai është një djalë shumë i pasigurt në vetvete, prandaj duke të ngacmuar dhe nënçmuar, e ngritë vetëbesimin e tij.
Duhet ta dish se koha e kaluar me të dashurin tënd duhet të jetë e këndshme. Ai duhet që të jetë edhe shoku yt, përpos që është i dashuri yt. Fakti që ai është shumë i bukur, nuk dmth se duhet ta durosh sjelljen nënçmuese të tij, meqë kjo nuk është dashuri më.
E zë në rrenë
Gjithkush që rren, e ka të vështirë që t’i mbajë mend të gjitha gënjeshtrat. Nëse e zë në një rrenë, ai duhet që të thotë rrena të tjera për ta mbuluar vetveten. Askujt nuk i pëlqen kur zbulon se e rrenë i dashuri, por nëse me të vërtetë e do, atëherë duhet të mundohesh që ta kuptosh se për çfarë rrene bëhet fjalë. Nëse të ka gënjyer diçka rreth vetes së tij, psh nëse të ka thënë se është futbollisti më i mirë në shkollë, e në të vërtetë nuk është, kjo mund të thotë vetëm se ka dashur që të duket më i rëndësishëm në sytë e tu, pra nuk është ‘rrenë e keqe’. Por, nëse e tepron me rrena, duke thënë se ka qenë këtu e atje, se ka bërë këtë e atë, atëherë me siguri se ke të bësh me një rrenacak të rëndomtë, nga i cili duhet menjëherë të ikësh.
Reagon bujshëm kur e pyet sesi e ka kaluar ditën
Kjo është një pyetje e rëndomtë, në të cilën do të eksitohet vetëm ai që ka diçka për të fshehur dhe që ka frikë se do të zbulohet sekreti i tij.
Të fshehë
Përkundër faktit që jeni bashkë tash e dy vjet, ai asnjëherë nuk të ka njoftuar me shokët ose familjen e tij. Kjo mund të thotë se ai nuk e ka seriozisht me ty, apo , në rastin më të keq, mund të thotë se tashmë ka një të dashur. E, kodoshi me të vërtetë nuk të duhet, apo jo?
I injoron problemet e tua
Nëse ia beson ndonjë problem e ai të injoron plotësisht, atëherë ke të bësh me një person egocentrik i cili është i interesuar vetëm për veten e tij. Nëse me të vërtetë i pëlqen, ai do të dojë që të dijë më shumë rreth teje, që të marrë pjesë në jetën tënde dhe që të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve.