Si ta besh lumturine zakon jete

Si ta besh lumturine zakon jete
Ka njerëz që qeshin shumë pak dhe mendojnë se kjo ka të bëjë me karakterin e tyre dhe nuk është diçka që mund të mësohet. Në fakt edhe të qenët mirë me veten dhe vet e qeshura mund të mësohet, madje të shndërrohet në një nga zakonet më të mira të jetës sonë.

Ka shumë momente në të cilat nuk do të dinim se si të vinim buzën në gaz për të mos folur për qeshjen. Kjo, për arsye nga më të ndryshmet. Situata në të cilën mund të ndodhemi do të na bënte që të mendonim se e fundit që mund të bëjmë është buzëqeshja. Në fakt nuk është kështu. Buzëqeshja, si edhe gjëra të tjera, mund të “mësohet” dhe nëse vendosim që ta bëjmë zakon pak nga pak që të buzëqeshim, pra me fjalë të tjera të çojmë lart cepat e gojës, atëherë shumë shpejt do të fillojmë të ndihemi edhe më të lumtur brenda vetes. Madje mund të buzëqeshim dhe qeshim edhe pse mund të mos e kemi një shkak. Mjafton që në këtë rast të bëjmë sikur e kemi një shkak dhe rezultati do të jetë i njëjtë. Për të arritur efektin e dëshiruar mjafton që të bëjmë disa ushtrime shumë të thjeshta, si për shembull ai i të qeshurit të paktën 20 herë në ditë dhe i po aq buzëqeshjeve.

Në të gjitha rastet kur qeshim, apo buzëqeshim prodhojmë dhe lëshojmë serotoninë, që është një neurotransmetues, i cili na bën të ndihemi mirë me veten tonë. Njerëzit që zakonisht qeshin dhe buzëqeshin shumë thonë se ndihen më të lumtur dhe sa më shumë t’u buzëqeshësh të tjerëve, aq më shumë ata të buzëqeshin ty. Kur buzëqeshja dhe e qeshura bëhen zakon, atëherë në jetën tënde kanë hyrë shumë momente të këndshme e qetësuese dhe kjo bën që niveli i lumturisë të shtohet pa fund.

Ka edhe më. Sipas disa studiuesve, e qeshura nxit për mirë edhe sistemin imunitar dhe ndihmon trupin tonë në pastrimin e toksinave të ndryshme. Kjo do të thotë se sa më shumë të qeshim aq më të mirë do ta kemi sistemin e tretjes, dhe se do të sëmuremi, madje më pak nga gripi dhe ethet.

Zakonet e lumturisë

Ne të gjithë kemi zakonet tona, ndër të cilët edhe e qeshura dhe e buzëqeshura, që përsërisim në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditës. Secili nga këto zakone korrespondon me linja nervore në trurin tonë. Sa më shumë që ne përsërisim një veprim të menduar aq më e madhe bëhet kjo linjë, ashtu sikundër ndodh me një rrugë që rrihet shumë shpesh nga makinat, apo nga këmbësorët. Kur ne krijojmë një zakon, ai pastaj rregullohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mendja jonë jokoshiente. Kështu që nuk do të jetë një surprizë mësimi i fajit se njerëzit që nuk janë të lumtur shpesh e kanë për zakon që të jenë të tillë dhe njerëzit e lumtur kanë zakon të mbajnë fort linjën e kësaj gjendje shpirtërore.

Lajmi i mirë është se krijimi i zakoneve të vogla të reja mund të sjellë rezultate shumë të mira, madje mjaft të kënaqshme. Sigurisht që ka nga ata të cilët kanë shkaqe reale dhe shumë serioze në themel të mungesës së lumturisë, apo trishtimit, të cilat duhet që të shihen me kujdes për t’u shëruar, apo ndrequr. Por ndërkohë mund të provojmë me ushtrimet e ndryshme që krijojnë brenda nesh zakonin e mirë të buzëqeshjes, qeshjesh dhe vetë lumturisë. Janë zakone të cilat mund t’i ushtrojmë përditë dhe përmes ushtrimit të të cilëve mund të shohim vetë përmirësimin e jetëve tona. Nëse i praktikojmë përditë këto ushtrime lumturia jonë do të rritet proporcionalisht.

Madje ka psikologë të cilët konsiderohen si “psikologët e lumturisë”, që mendojnë se ushtrimi i buzëqeshjes do të na çojë shumë pranë lumturisë së vërtetë, duke na ndryshuar një sërë zakonesh të këqija. Në vend që të përpiqemi të lëmë zakonet jo të mira që kemi, ne mund të fillojmë nga zëvendësimi i tyre me zakone të mira. Për një nga eksperimentet e bëra për këtë arsye është mbledhur një grup njerëzish të depresionuar dhe u është bërë një skanim i trurit. Ky skanim është përqendruar në lobin e majtë të trurit, një zonë që u korrespondon mendimeve dhe ndjenjave të lumturisë. Sikundër pritej, këta persona dolën që ishin depresivë. Ndërkaq, mjeku që kryesonte eksperimentin u tha vetëm që gjatë tre muajve të ardhshëm të bënin tri gjëra në mënyrë të vazhdueshme. Ja çfarë duhet të bënin këta persona:

Të qeshnin dhe të buzëqeshnin për 20 minuta çdo ditë; 2. Të ecnin për rreth 20 minuta në ajër të pastër çdo ditë; 3. Të përqendroheshin në mendime të lumtura dhe kujtime që i sillnin kënaqësi. Në fund të muajit të parë secili prej këtyre personave raportoi se në fakt krahasuar me një muaj më parë situata e tyre ishte më e mirë dhe ata ndiheshin disi më të lumtur. Pas tre muajsh ata iu nënshtruan një skaneri tjetër të trurit dhe prej këndej doli se edhe situata depresive kishte ndryshuar për mirë.

Brenda tre muajsh ata arritën që të ndryshonin aktivitetin e tyre fizik të rrjeteve të tyre nervore dhe kiminë e trurit vetëm nga ndryshimi i mënyrës së të menduarit dhe nga depresivë nisën që të bëhen shumë optimistë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama