Voto për tokën! Fikeni dritën gjatë "Orës së tokës", Ngrohja globale po lë shumë të pastrehë, Ruani pyjet. Kurseni ujin. Mbingrohja globale. Bëni një zgjedhje para se të jetë shumë vonë. Janë slogane që agjencitë publicitare të botës hedhin për fushata sensibilizuese për ngrohjen globale. Kryeqytetasit i gjejnë në ekspozitën me foto, postera dhe kartolina, në Muzeun Historik Kombëtar, organizuar nga "Mania Card".
Deri më 20 dhjetor do të tregohen sesi problemet e ndryshme të mjedisit dhe shoqërisë, transmetohen tek njerëzit, me ide të thjeshta, me imazhe të goditëse, në shumicën e të cilave personazhe janë kafshët, po edhe njerëzit në situata bezdisëse po edhe katastrofike, "të parashikuara" këto fantazia e atyre që mbajnë në gjendje alarmi me kësi lloj sloganesh vetëdijen e njerëzve.
Globi i imagjinuar si një mollë e kafshuar apo si një akullore që po shkrin nga efekti serë, një kaproll i "bërë" nga gjithfarë mbeturinash (me sloganin: Mbeturinat mund të riciklohen, natyra jo), Tarzani i përzënë nga shkatërruesit e pyjeve (15km2 të pyjeve tropikale zhduken çdo minutë).
Nëpërmjet kësaj gjuhe simbolike flasin agjencitë nga Franca, Rumania, Danimarka, Hollanda, Amerika, edhe ajo shqiptare, "Mania card". Efekti i këtyre reklamave ndahet në tri kategori: ato që e rrëfejnë hapur dëmin e shkaktuar, të tjera që tregojnë një zgjidhjet që shmangin problemet, e të fundit japin panoramën e një bote më të mirë.
Logjika e dëmit që njeriu shkakton me prerjen e drurëve tek "Tarzani" ("Uncle Grey", Danimarkë"), një kuti boje e zmadhuar në përmasa që ndot miliona litra ujë tek "Ndotja" (Contrapunto, Madrid), apo oxhaku i një shtëpie që simbolikisht çan vrimën e ozonit tek "Ndërtimi" (Leo Burnett Brussels, Belgjikë), shenjojnë rrezikun që sjell ndotja, pakujdesia e njerëzve, aksioni i tyre me qëllim përfitimin kundër ligjeve të natyrës dhe ligjeve të shkruara.
Ku shkojmë po të abuzojmë kështu?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje, krijuesit e reklamave shpesh e vënë në gojë të kafshëve. Në njërën prej fotove ariu polar brenda një kutie kartoni: "Ngrohja globale po na lë pa strehë" (DRAFTFCB, Kili). Tek një tjetër, figura e një elefanti që jepet nëpërmjet gërmave të emrit që krijojnë formën e kafshës, duket sikur thotë: "A thua do të mbeten vetëm fjalët? Koha po kalon." ("Elefanti", Rapp Collins, Vendet e Ulëta).
Pasi kanë arritur të tërheqin vëmendjen me përfytyrimin e dëmeve, imazhet fillojnë punën për nxitjen e veprimit, ku edhe në këtë rast mesazhi mbështillet bukur nga ideja e krijuesve. Kjo vihet re në fotografinë e një breshke që në vend të zhguallit ngarkon rrotën e një makine ("Breshka rrumbullake", SHBA), apo kameleonit që ankohet: "Është koha të pastrojmë natyrën" (agjencia "Australie", Francë).
Këndi i veçantë i ekspozitës, ku janë renditur edhe një sërë kartolinash, i takon problemeve që vuan shoqëria sot, alkooli, varfëria, sëmundjet infektive, prostitucioni. Duke nisur me ilustrime të vogla, apo vizatime të thjeshta në të cilat mbishkruhet "Thjesht dua një bluzë të pastër" apo "Çdokush meriton një jetë pa shumë lukse, thjesht ushqim dhe ujë, kaq pak" (Be Human Kind, Oxfam), e duke vazhduar më pas me ato "Dashuri e sigurt", duket sikur duan të thonë që "një kontribut të vogël me kujdesin tënd, mund të japësh edhe ti".
Të bën përshtypje tek njëri prej imazheve, ai i agjencisë (Betc Euro RSCG, Francë), me titull "Sa?", në fokus të të cilit është një vajzë e re në rrugë dhe një makinë që I ka ndalur tek këmbët. Përgjigjja që është "7 vjet". Më poshtë shkruhet: "Të kryesh marrëdhënie seksuale me një minorene dënohesh deri në 7 vjet burgim". Pra, krijuesit, ka raste kur zgjedhin një gjuhë më të drejtpërdrejtë dhe pa shumë efekte të ikonave.
Tek një tjetër fotografi, ajo me titull "Natasha" (Leo Burnett Pty, Ukrahinë" ndodh e kundërta. Është imazhi dhe marrëdhënia që krijojnë elementet mes tyre, ai që të ngërthen. Një femër e strehuar në kartëmonedhën 50 euroshe dhe slogani: "Ky është çmimi që mund të paguani për të punuar jashtë shtetit jo ligjërisht."
Shqipëria në ekspozitë është përfaqësuar me 6 fotografi të artistit Bujar Marika (1943-2009), vizatime të thjeshta, apo fjalë në frëngjisht "je temps, tu temps...". Njëri prej krijimeve të para dy viteve, me titull "Ajzbergët e karbonizuar vizitojnë Venecien", Marika tregon kështu rrezikun e ngrohjes globale.
Agjencia "Mania Card" ia kushton këtë aktivitet artistit, që u nda nga jeta pak kohë më parë. Përveç ekspozitës, agjencia, ambasadore e lëvizjes "ACT"-it në Shqipëri, i bën ftesë të gjithë krijuesve shqiptarë për të marrë pjesë në projektin "Carta Bianca". Projekti synon rritjen e ndjeshmërisë së publikut shqiptar për Mbrojtjen e Natyrës, Ngrohjen Globale dhe Ndryshimet Klimatike dhe Vlerat e Virtytet Njerëzore.
Gazeta Shekulli