Mund të duket një faktor jo shumë i rëndësishëm, por në fakt është. Ai që nuk e mendon veten me një person tjetër, më mirë të mos e provojë. Nëse për partnerin bëhet fjalë vetëm për një lidhje kalimtare, atëherë ai e ka shumë të vështirë të përdorë termin "ne". Nëse do të dëgjoni nga goja e tij shqiptimin e kësaj fjale, atëherë do ta kuptoni se qëllimi i tij është ta vazhdojë aventurën. Në këtë pikë duhet kuptuar se çfarë reagimi shkakton e gjithë kjo te femra: gëzim, apo dëshirë për t‘ia mbathur?
Bën projekte për të ardhmen
Nëse pas një periudhe frekuentimi ai fillon të bëjë projekte për të ardhmen, edhe duke imagjinuar një takim të vetëm pasi kanë mbaruar pushimet, do të thotë se e ka shumë për zemër marrëdhënien. "Në një flirt të thjeshtë nuk bëjnë pjesë projektet. Të mendosh për të ardhmen dhe të bësh plane janë sigurisht shenja pozitive", thotë psikologia.
Flet për familjen
"Sa më shumë të thellohet njohja reciproke, aq më shumë rritet intimiteti dhe mundësia që flirti të transformohet në një lidhje të fortë dashurie. Një moment shumë i rëndësishëm është kur partneri fillon të flasë për familjen e tij, miqtë, punën, ose kur tregon ngjarje të rëndësishme të jetës së tij. Në këto raste vërehet qartë dëshira që ka ai për një njohje më të thellë dhe më intime", pohon psikologia.
Sinjale negative: kur ai të dëgjon pa interes
Nëse është femra ajo që dëshiron të hapet e para dhe të ndajë me mashkullin eksperiencat personale, atëherë duhet të ketë kujdes nga reagimi i tij: "Nëse mashkulli duket i mërzitur dhe i papërqendruar ndërsa dëgjon tregimet e vajzës, dyshimet që nuk dëshiron të hyjë në intimitet me të janë të forta", thekson psikologia. "Në këto raste mund të ndodhë që ai të ndërrojë temë dhe të mos ketë dëshirë të flasë për ngjarje të ndryshme të jetës së tij private. Me ose pa dashje, e vërteta është se po krijon bllokadë dhe kjo nuk është aspak shenjë e mirë".
Përpiqet të shmanget
Një sinjal i cili tregon dukshëm se mashkullit nuk i intereson lidhja dhe ka dëshirë vetëm të flirtojë, është kur ai nuk dëshiron të flasë për të ardhmen, nuk programon asgjë, nuk dëshiron të ketë kontakte të mëvonshme, pra kur nuk mendon për të nesërmen. "Gjithsesi, nëse dëshironi ta vini provë, mund ta bëni duke i kërkuar të dilni bashkë hapur. Nëse reagon keq, atëherë është e qartë se për të bëhet fjalë vetëm për një flirt".
Ai të pëlqen vërtet? Vëre në provë!
Nëse e kuptoni se i interesoni vërtet atij dhe ndjeni që edhe ai është i përfshirë nga lidhja, atëherë vëreni në provë. Mos kini frikë të njiheni nga të tjerët. Është e vërtetë se gjatë pushimeve koha ecën shpejt dhe për pasojë nuk kemi shumë kohë për të kuptuar nëse ia vlen të besojmë dhe ta lëmë veten të udhëhiqet nga ndjenjat. Mos e nënvlerësoni flirtin veror, dhe të mendoni se gjërat mund të kishin shkuar ndryshe nëse do të ishit njohur në qytet. Mendoni me kujdes dhe gjakftohtësi. Të humbisni rastin për të thelluar njohjen vetëm sepse jeni njohur në plazh, nuk është motivi i duhur.
Ju pëlqen vërtetë? Mos hezitoni!
"Mos luani rolin e vajzës që kënaqet vetëm me një natë, kur e dini që nëse ai nuk ju merr në telefon, ndiheni përtokë", thotë psikologia. "Duhet të jeni vetvetja, edhe atëherë kur jeni me pushime. Lejohet ndonjë çmenduri e vogël, por gjithmonë pa e tepruar". Nëse ai të pëlqen vërtet, është e vështirë ta transformosh flirtin në diçka më serioze kur mbani maskë.
Ajo që duhet të bëni? Mos e mërzisni
Nëse jeni të bindur se nuk do të keni qëllime serioze, mos filloni me pretekste, xhelozi apo të bëni skena. Sipas psikologes, ky është një gabim që nuk duhet bërë. Kjo sjellje e papritur mund të shkaktojë një ndryshim drastik të raportit, duke provokuar te mashkulli një dëshirë të vazhdueshme për t‘u larguar.
Nuk duhet të ndryshoni mendim
Natyrisht që në jetë ndodh të ndryshosh mendim, por nëse keni filluar ta kristalizoni lidhjen, e në të njëjtën kohë situata për ju ka ndryshuar, atëherë duhet të tregoheni të sinqertë dhe të thoni atë që ndjeni. Nuk duhet të hezitoni. Është më mirë të flisni kur gjërat sapo kanë nisur: "Mos kini frikë. Jeta e njeriut karakterizohet nga aftësia për të pranuar humbjet dhe fitoret, praninë dhe mungesën", përfundon psikologia.
Nga : Gazeta Shqip