Nuk mjafton vetëm ëndrra për një shtëpi dhe një bashkëshort për të vendosur nëse ai që kemi përpara është në gjendje të interpretojë rolin e protagonistit. Tani janë femrat protagonistet e ëndrrave të tyre, dëshirave dhe aspiratave. Por kë kërkojnë atëherë? Është e thjeshtë dhe e ndërlikuar në të njëjtën kohë: një shok aventurash. Duket si një mision i pamundur, por mos i humbisni, sepse diku në ndonjë cep është fshehur edhe shpirti juaj binjak. Mjafton të kërkoni me kujdes, sepse të jeni të sigurt që keni për ta gjetur. Por... mos prisni të gjeni njeriun perfekt.
Në fund është- ose duhet të jetë- e lehtë. Ndonjëherë një fjalë mjafton sa për njëqind. Por nuk është vetëm kjo e rëndësishme, duhet të biem edhe në dashuri dhe të gjithë e dimë se kjo është paksa e vështirë. Nëse ka shkëndija, atëherë jeni me fat dhe do t‘u duhet të mendoni vetëm për disa gjëra të vogla, siç janë mosmarrëveshjet. Pra, nëse gjithçka mes jush përputhet, atëherë nuk keni pse prisni më. Është momenti i duhur: ndoshta keni gjetur shokun e aventurave.
- Çfarë bën në jetë?
Nuk është as çështje prestigji, e as rroge. Ato që kanë rëndësi janë cilësia dhe sasia. Nëse jeni tip nervoz, do të ishte mirë të qëndronit larg personave që punojnë si pilotë ose janë ushtarë. Nëse jeni hipi, duhet të gjeni dikë që i përshtatet karakterit dhe natyrës suaj. Për shembull, punën dhe përkushtimin maksimal të një menaxheri nuk do të mund ta duronit. Gjithashtu nëse jeni një femër në karrierë, do ta kishit të vështirë të gjenit një njeri që ju pëlqen, por mund të formoni një çift ideal me një mësues idealist. Sigurisht që zgjedhja është paksa e vështirë, por duhet t‘i bëni mirë llogaritë (sepse fundja nuk do të martoheni me punën e tij, por me personin që punon).
- Si është në shtrat?
Ka shumë femra që dëshirojnë të arrijnë deri në martesë. Kush do ta mohonte një fustan të bardhë? Para se të thoni (ose thjesht të mendoni) "përgjithmonë", do të ishte mirë ta testonit në shtrat. Seksi është një pjesë shumë e rëndësishme në një lidhje për t‘ia lënë rastësisë, ose më keq, për të menduar se edhe nëse gjërat nuk funksionojnë, do të rregullohen me kalimin e kohës. Duke njohur aftësitë e njëri-tjetrit në shtrat, është një avantazh dhe lidhja bëhet më e bukur. Gjithashtu ka edhe një bazë të fortë.
- Keni diçka të përbashkët?
Si çdo mashkulli, atij i pëlqen futbolli, ndërsa juve të bëni pazar. Ku qëndron problemi? Nëse juve ju pëlqen të darkoni dhe të dilni me miqtë, dhe ai ngurron, nuk ka dyshim që do të keni shumë debate. Jeni të sigurta se mund të shkoni kur të doni në teatër, edhe pse ai dëshiron të shkoni në kinema për të parë një film aksion? Do të vazhdoni të udhëtoni, edhe pse për atë maksimumi ekzotik janë dy javë pushim në Rivierë? Është e vërtetë që dy kahe të kundërta tërhiqen, por gjithçka ka një limit.
- Jeni si "djalli dhe uji i shenjtë"?
Politika dhe feja, në fund të fundit këto janë dallimet më të mëdha që ekzistojnë mes dy personave. Gjithsesi, nëse keni vendosur ta lidhni jetën me personin e zemrës dhe ai nuk ndan të njëjtat mendime me ju lidhur me dy çështjet e lartpërmendura, duhet të mateni mirë pasa se të hidhni hapin e madh. Mosmarrëveshjet lindin menjëherë, qoftë edhe për diçka më të vogël: për shembull ku do të organizohet ceremonia e dasmës, apo ku do të shkollohen fëmijët. Një çift ka nevojë edhe për zënka, pasi lidhja forcohet më shumë, por duhet ta mendoni seriozisht këtë fakt dhe të jeni të vetëdijshëm për të, sesa të bëni sikur nuk ekziston.
- Të pëlqejnë fëmijët?
Ndoshta nuk është një argument që mund të diskutohet që në takimin e parë, megjithatë, herët ose vonë do të preket si temë. Ai ëndërron një familje me shumë fëmijë, ndërsa ajo është me partinë e "Dink" (nga anglishtja: "double income no kids" - të ardhura të dyfishta, asnjë fëmijë). Ose e kundërta, ajo ka ëndërruar gjithmonë të ketë katër fëmijë, ndërsa ai e kundërshton idenë. Gjithsesi kjo është një temë shumë e rëndësishme, e cila ju bën të ndryshoni mendim në çdo moment. Kështu që duhet të keni medoemos një mendim të përbashkët: në lojë janë shumë dëshira për t‘i injoruar.