Kur nuk flemë mirë, zgjohemi me dhimbje koke, pa humor, me dhimbje trupi apo sy të fryrë. Disa detaje, në pamje të parë të parëndësishme, bëjnë ndryshimin e madh duke shmangur pasojat e një gjumi të keq gjatë natës. Specialistët keshillojnë se një darkë e lehtë dhe pa shumë karbohidrate është thelbësore për të mos pasur probleme në frymëmarrje gjatë gjumit. Kjo shmang edhe zhurmën e tmerrshme të gërhimave që në shumë raste u prish gjumin edhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.
Zhurmat, drita dhe temperatura e dhomës duhet të jenë të përshtatshme dhe të pa ekzagjeruara në krijimin e atmosferës së duhur. Në rast se kemi vapë apo ftohtë, në rast se ka shumë zhurma apo dritë të fortë në dhomë, të gjitha këto shkaktojnë një zgjim të padëshiruar. Formula për një gjumë të rehatsëm është dysheku dhe jastëku i duhur. Por, nëse mendoni se cilësia e çarçafëve të krevatit nuk është e rëndësishme, gaboni. Materialet e mira na krijojnë një gjëndje të mirë emocionale.
Dushi para gjumit, masazhi i kokës, i këmbëve dhe konsumimi i ujit na ndihmon të çlirohemi nga emocionet dhe streset e ditës. Por gjithmonë duhet të mbajmë mend se nëse flemë orar pa orar, nuk kemi për të pasur ndonjëherë gjumë të mirë. Një gjumë i rregullt është kryesor për të fjetur mirë dhe për të pasur një gjumë të rehatshëm.