Një e dhënë, sado e vogël që prodhohet nga çdo kompjuter, kopjohet diku tjetër. Ndryshe nga riprodhimet në masë të së kaluarës, këto kopje nuk kanë një vlerë të caktuar monetare, përkundrazi, janë falas. Madje qarkullojnë aq lirshëm, saqë na bën ta konceptojmë internetin si një sistem të fuqishëm shpërndarës, informacioni i të cilit është i pashtershëm, pak a shumë si një burim energjie bërthamore.
Dhe, mbi të gjitha, këto informacione nuk zhduken kurrë. Sot, edhe ekonomia bazohet në këtë sistem supershpërndarës: pasuria jonë mbështetet mbi një makineri gjigande, që furnizon vazhdimisht kopje të pafundme. Ndërsa në të shkuarën ekonomia bazohej në shitjen e kopjeve që kishin një vlerë të caktuar monetare. Pra qarkullimi i lirë i produkteve falas mund të krijojë një përçarje në këtë rregull që është vendosur me kohë. Po si mund të fitohet, duke ofruar produkte falas? Një përgjigje relative është se kur këto produkte shtohen me shumicë, bëhen të pavlera. Dhe ajo që nuk mund të kopjohet falas, bëhet e rrallë dhe e çmuar. Kur produktet mund t‘i gjesh falas, vetë natyra njerëzore të bën që të kërkosh diçka që nuk mund të kopjohet ose më saktë, një produkt më i përsosur se ai që ofrohet falas. Për shembull, besimi nuk mund të kopjohet apo të blihet. Duhet fituar me kalimin e kohës. Nuk mund ta shkarkosh nga interneti ose ta falsifikosh atë, të paktën për momentin. Në një botë plotë me produkte falas, besimi është një cilësi që ka një vlerë të madhe. Por ka edhe disa vlera të tjera të vështira për t‘u kopjuar, domosdoshmërisht edhe shumë të shtrenjta. Mënyra më e mirë për t‘i analizuar është jo duke u nisur nga këndvështrimi i prodhuesit, autorit ose reklamuesit, por nga interesat e përdoruesit. Le të fillojmë me një pyetje të thjeshtë: Pse duhet të paguajmë për diçka që mund ta marrim falas? Kam pikasur tetë kategori vlerash, që nuk mund të kopjohen. Dhe i kam quajtur "përftuese": një vlerë përftuese është një cilësi që lind, rritet dhe pastaj kultivohet. Nuk mund të kopjohet, klonohet ose të falsifikohet. Prodhohet vetëm një herë, në një vend dhe çast të caktuar. Por në hapësirën dixhitale, cilësitë përftuese i japin vlerë produkteve që ofrohen falas.
Pra ato mund të shiten. 1. Gatishmëria. Sot ose nesër, ne mund të shkarkojmë kopjen e një produkti pa paguar asnjë qindarkë, por ta marrim atë në çastin kur ajo është prodhuar dhe nxjerrë në rrjet, është një vlerë përftuese. Shumë njerëz shkojnë në kinema natën e parë të premierës së një filmi, kur pak kohë më vonë ai do të jetë i disponueshëm për t‘u shkarkuar në internet falas. Edhe botimi i parë i një libri, ose ekzemplari i parë i një serie, shpesh e justifikon një çmim ekstra. Si një cilësi që shitet, gatishmëria artikulohet në shumë nivele, duke filluar nga produktet me akses dhe funksion të plotë, deri te versionet "beta" (produkte që janë ende duke u testuar). Por shpesh i vlerësojmë pak versionet në testim e sipër, pasi janë të papërfunduara, por ato gëzojnë disa cilësi, të cilat mund të shiten. Gatishmëria është një term relativ dhe duhet të përshtatet si me produktin, po ashtu edhe me përdoruesin. Një "blog" ka një kuptim përkohësisht të ndryshëm nga ai i një filmi, ose i një automobili. Por gatishmëria mund të gjendet në çdo produkt. 2. Personalizimi. Në rrjet mund të shkarkojmë një koncert pa paguar, por ndoshta jemi të gatshëm të paguajmë për të pasur një version që ka një audio të përkryer, sikurse jemi duke e dëgjuar drejtpërsëdrejti në sallën ku zhvillohet koncerti. Në të njëjtën mënyrë, kopja e një libri që ofrohet falas, mund të personalizohet nga publikuesi në mënyrë që t‘i përshtatet shijeve të lexuesit. Edhe një film mund të montohet në mënyrë që të pasqyrojë dëshirat e shikuesit (pa dhunë, por fjalori mund edhe të mos ndryshohet). Aspirina është gati falas, por një e tillë, e prodhuar enkas sipas ADN-së së pacientit, mund të kushtojë disi. Personalizimi kërkon një bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet autorit e konsumatorit dhe për këtë arsye është e pamundur të kopjohet. 3. Interpretimi. Ekziston një batutë që thotë: "Software"-i është falas, manuali kushton dhjetë mijë dollarë.
Por disa kompani të famshme fitojnë para pikërisht në këtë mënyrë. Ato ofrojnë asistencë me pagesë për programet kompjuterike që ofrohen falas. Besoj se shumë informacione gjenetike do të ndjekin të njëjtën rrugë. Të bësh sot kopjen e ADN-së tënde kushton shtrenjtë, por shpejt, kompanitë farmaceutike do të paguajnë për të pasur kodin tuaj gjenetik. Kopja e tij do të jetë falas, por gjithmonë, interpretimi dhe përdorimi i saj - pra të kesh manualin gjenetik - do të ketë një kosto të mjaftueshme. 4. Autentikja. Mund edhe të shkarkoni një "software" edhe pa paguar asnjë qindarkë, madje edhe pse nuk mund të keni nevojë për manualin e tij, do të keni të domosdoshme, ose të paktën të jeni të sigurt për origjinalitetin dhe besueshmërinë e programit. Në fund të fundit, programi që keni shkarkuar falas mund të ketë edhe një "bug" (një gabim gjatë kodimit dhe programimit, i cili shkakton mosfunksionimin e tij të plotë). Verifikimi i autentikes paguhet. Në rrjet gjenden shumë regjistrime nga këngëtarë të famshëm, por nëse blini një album drejtpërdrejtë nga producenti, atëherë do të jeni të sigurt që është pikërisht ajo që po kërkonit. Edhe piktorët kanë shumë kohë që përballen me këtë problem dhe shpesh fotot ose pikturat e tyre shoqërohen me një shenjë që vërteton origjinalitetin e produktit dhe madje e rrit çmimin e tij.
Këto mënyra dixhitale ose të tjera teknologjike, nuk mund ta ulin prodhimin në masë të kopjeve, por të paktën vërtetojnë origjinalitetin e tyre. 5. Aksesi. Rregulli gjithmonë është diçka që të nervozon në një kompjuter. Duhet t‘i mbajmë gjithnjë gjërat me rregull, të përditësojmë programet dhe të bëjmë një kopje në raste nevoje të mëvonshme. Dhe në këtë botë të lëvizshme, duhet t‘i marrim gjithmonë me vete. Shumë prej nesh, edhe unë gjithashtu, do të kishim dëshirë që të kontrollonim gjërat tona ndërmjet një abonimi: jemi të gatshëm që të paguajmë një shoqëri për të pasur akses në çdo kohë dhe vend për të gjithë filmat, librat, fotot dhe çdo produkt tjetër dixhital. Ata do të bëjnë një kopje të gjithçkaje, do të paguajnë autorët dhe do të bëjnë të mundur që ne të kemi akses kudo që ndodhemi, me anë të telefonit, palmar-it, laptop-it etj. 6. Cilësia. Kopja dixhitale e një produkti, për shembull e një filmi, mund të merret falas dhe të transferohet menjëherë në ekranin tuaj. Sigurisht kjo në proporcion me shpejtësinë e lidhjes suaj. Por ndoshta do të keni dëshirë që ta shihni në rezolucion të lartë këtë film, në një ekran gjigand, dhe pse jo me një pamje tredimensionale. Kjo vlen për çfarëdolloj formati dixhital. Për shembull, edhe formati PDF nuk është keq, por shpeshherë është më e bukur të lexosh të njëjtat fjalë në një letër të bardhë, të butë dhe me një kopertinë të veshur me lëkurë. Sigurisht, sot rezolucioni i lartë - ajo çfarë na shtyn për të blerë një biletë kinemaje - në të ardhmen do të mund ta kemi edhe në shtëpi. Megjithatë do të ketë gjithmonë teknologji të shkëlqyera transmetimi, video që konsumatori nuk do t‘i ketë kurrë. Për shembull, si projektimi i filmit "Star Trek". Nuk ka gjë më të bukur sigurisht se sa të dëgjosh një koncert drejtpërsëdrejti. Kjo formulë po përdoret edhe nga autorët e librave: libri jepet falas, por të shkosh në prezantimin e autorit, duhet të paguash. 7.
Strategjia. Jam i bindur se realisht, publiku do që t‘i paguajë autorët. Fansave iu pëlqen që të vlerësojnë me para artistët, muzikantët dhe shkrimtarët, sepse në këtë mënyrë hyjnë në kontakt me idhujt e tyre. Por janë të gatshëm të paguajnë vetëm në rast se procedurat janë të thjeshta, nëse çmimi është i arsyeshëm dhe nëse kanë sigurinë që paratë e tyre do të përfundojnë në xhepat e autorëve. Një eksperiment i fundit i grupit "Radiohead" është një rast i përkryer: për të shkarkuar albumin e tyre të fundit mund të paguani shifrën që ju ju duket më e përshtatshme. Lidhja ndërmjet fansit dhe autorit ka një vlerë. Në rastin e "Radiohead", kjo vlerë është rreth 5 dollarë për një shkarkim. 8. Kërkimi. Nuk është një karakteristikë e një vepre të caktuar, por një vlerë që ka lidhje me gjithçka që ofrohet. Një kosto zero nuk ndikon në rritjen e interesit të konsumatorit mbi një produkt të caktuar. Madje do të thosha që ndonjëherë krijon skepticizëm nga ana e përdoruesit mbi cilësinë e saj. Por duke anashkaluar çmimin, një vepër nuk ka vlerë nëse qëndron në hije: një kryevepër e panjohur nuk ka asnjë vlerë. Kur ka miliona libra, këngë, filma (shpesh falas) të cilat kërkojnë vëmendjen tonë, të gjejmë atë çfarë po kërkojmë, bëhet thelbësore. Që një produkt të bëhet i kërkuar nga publiku, në radhë të parë, duhet të bëhet i pranueshëm nga producentët e mëdhenj, studiuesit ose etiketat e shtëpive diskografike shumë të famshme. Dhe në këtë mënyrë, formohet një aktivitet zinxhir i pashmangshëm, ku autorët kanë nevojë për këto kritere. Për këtë arsye, studiuesit dhe etiketat diskografike nuk do të zhduken kurrë. Natyrisht këto nuk nevojiten për shpërndarjen e kopjeve, sepse këtë funksion e kryen interneti, por nevojiten për të tërhequr vëmendjen e konsumatorit drejt këtyre veprave. Duke u nisur nga një oqean i pafund mundësish, shtëpitë diskografike kanë për detyrë që të gjejnë dhe të shtojnë punën e këtyre artistëve që, sipas tyre, kanë më shumë mundësi për të pasur sukses. Por ka edhe metoda të tjera, si kritikët dhe recensentët, të cilët kontribuojnë në orientimin e vëmendjes publike. Fansat i besojnë këtij rrjeti sugjerimesh në mënyrë që të zbulojnë gjërat më interesante ndërmjet miliona veprave që prodhohen çdo ditë.
Këto tetë vlera kërkojnë kompetenca të reja. Në kohët e sotme, ku ofrohen kopje falas, suksesi nuk varet nga mundësia për të shpërndarë më shumë, për këtë kemi "fotokopjen e madhe". Madje nuk nevojiten as njohje ligjore mbi të drejtat e autorit (gjithçka të shërbehet e gatshme). Përkundrazi, këto tetë cilësi përftuese kërkojnë një vetëdije: sasia e madhe shton shkëmbimin e anasjelltë, të qenit bujar është një model biznesi dhe sot është e domosdoshme të kultivosh dhe të rritësh gjithçka që nuk mund të merret me një klik. Në ekonominë e rrjetit, paraja nuk ndjek rrugën e kopjimit, por atë të vëmendjes, e cila ka hapësirat e saj. Lexuesit më të vëmendshëm duhet ta kenë kuptuar se nuk kam folur për publicitetin, i cili shpesh konsiderohet si mënyra e vetme për të pasus gjithçka falas. Shumë nga mënyrat që përcolla më sipër, kërkojnë një formë jo të mirëfilltë publiciteti, por besoj se në të ardhmen ky i fundit do të jetë vetëm një nga shumë mënyrat për të fituar para, duke shitur atë çfarë ofrohet falas. Por kjo është një histori tjetër.
Marre nga : Gazeta Shqip