Të rrisësh fëmijë të lumtur në përgjithësi është e vështirë për çdo familje dhe kjo detyrë vështirësohet edhe më në rastin kur prindërit janë të divorcuar. Kur këta prindër përballen me vështirësitë e komunikimit pas një drame personale, apo familjare duhet ta dinë se fatura e një marrëdhënieje që nuk funksionoi u shkon fëmijëve. Në momente të tilla ata duhet vetëm që të përqendrohen tek ajo që është më e rëndësishme: shëndeti dhe lumturia e fëmijëve dhe të lënë pas të gjitha shkaqet dhe sherret e së shkuarës. Dhe t’u japësh fëmijëve prioritet është shumë e vështirë në kushtet e një divorci. Por gjithsesi, nuk është një betejë e pamundur dhe e dështuar që në fillim. Me këshillat dhe drejtimin e duhur edhe prindërit e divorcuar do të dinë se do të sillen në mënyrën më të mirë të mundshme me fëmijët e tyre duke e normalizuar sa më shumë situatën. Ka raste kur divorci është shkatërrimtar për një familje, por ka edhe raste të tjera kur është zgjidhja e mirë e mundshme për një situatë konfliktuale dhe të trazuar. Ja disa nga këshillat që mund të ndjekin prindërit e divorcuar për të rritur fëmijë të qetë dhe të lumtur.
1. Qëndro larg gjykatës
Të ripërcaktosh marrëdhënien në një familje pas një “tërmeti” nuk është çështje që i takon gjykatës. Gjykata jep një zgjidhje mbi çështjet ligjore, mbi pasuritë dhe mbi personin që do të kujdeset për fëmijët, por nuk mund të merret kurrsesi me zgjidhjen e problemeve intime mes pjesëtarëve të një familjeje, apo të problemeve personale. Prindërit e sapodivorcuar duhet që në radhë të parë dhe mbi të gjitha të bëjnë një plan për funksionimin e lidhjes me fëmijët dhe marrëdhënies me ta. Kurrsesi nuk duhet që në mosmarrëveshjet e pronësisë në gjykatë të përfshijnë fizikisht fëmijët e tyre qoftë edhe në ndonjë seancë të vetme. Gjykata është shumë e rëndë për një fëmijë dhe ka një ndikim më negativ nga sa mund ta mendojmë. Në vend që të shpenzojmë kohën në gjykatë duhet që të gjejnë mënyrën që të rrinë sa më shumë me fëmijën që në këtë moment të vështirë ka nevojë të jashtëzakonshme për praninë e prindërit.
2. Informojini fëmijët
Ai që për dy të rritur, në këtë rast për dy prindër mund të jetë një ndryshim i vogël, për një fëmijë mund të jetë ndryshimi i jetës së tyre. Zakonisht fëmijëve u jepet shumë pak informacion në lidhje me situatën e vërtetë të marrëdhënieve familjare veçanërisht kur është fjala për divorcin. Fëmijët janë shumë të aftë që të perceptojnë të gjitha llojet e tensioneve mes prindërve dhe nëse ata nuk do të dinë që t’i shpjegojnë këto tensione do të krijojnë probleme me veten dhe mbi të gjitha do të krijojnë ide të gabuara për prindërit që mund të jenë larg të vërtetës. Mbi të gjitha mund të arrijnë që të gjykojnë veten, pra ta quajnë veten shkaktarë të situatave të rënda.
Fëmijët në radhë të parë kanë të drejtë që të dinë se në çfarë mënyre situata e re e ndarjes, apo divorcit do të ndikojë në jetën e tyre se si do të jenë marrëdhëniet e prindërve me ta dhe kjo është e domosdoshme për të shmangur zhgënjime të panevojshme. Të marrim për shembull rastin e një çifti që ishte i divorcuar që prej një viti, por që nuk u tha gjë në lidhje me këtë fëmijëve. Fëmijët nuk e dinin se prindërit ishin ndarë edhe pse jetonin veç nga babai dhe një ditë kur e panë mamanë e tyre në shoqërinë e një mashkulli tjetër e gjykuan keq, sepse kujtuan se ishte duke tradhtuar babanë. Mbi të gjitha, fëmijët kanë gjithmonë shpresën se prindërit e tyre mund të kthehen sërish bashkë.
3. Krijoni një jetë të parashikueshme
Divorci për nga vetë ndryshimet që mbart sjell një pështjellim të rutinës me të cilën fëmijët kanë qenë mësuar deri në atë moment. Për ta do të ishte shumë më mirë nëse do ta dinin paraprakisht se cili do të jetë ndryshimi i radhës dhe çfarë do të ndodhë. Kështu për shembull nëse për shkak të divorcit fëmija juaj do të ndjekë një shkollë të re në një vend tjetër nuk i duhet thënë ditën e fundit, por në momentin që merret vendimi i ndryshimit, sepse vënia përballë të papriturës do ta shokonte dhe trazonte. Nëse do t’i thuhet fëmijës paraprakisht atëherë gjithçka do të kalojë pa shumë trauma. Në një mënyrë më të thjeshtë mund t’i bëhet një kalendar me shumë ngjyra në të cilin do të shënohen ditët që ai do të kalojë me mamin dhe ditët që do të kalojë me babin. Prindërit që i parapërgatitin fëmijët e tyre për ndryshimet me të cilat do të përballen i përgatisin mbi të gjitha psikologjikisht për t’u përballur me situata të reja që nëse do të vinin pa pritur do të ishin të rënda dhe jo gjithmonë lehtësisht të përballueshme nga fëmijët.
4. Ndihmojini fëmijët që të ndihen “në shtëpi”
Gjuha ligjore që ka të bëjë me divorcin mund t’u krijojë probleme fëmijëve në jetën e përditshme. Për shembull, asnjë fëmijë nuk dëshiron që të ndihet si një vizitor në shtëpinë e babait, apo nënës. Fëmijët përfitojnë më shumë kur ndihen të lidhur me të dy vendbanimet. Pra, në njëfarë mënyre, në secilën prej shtëpive të prindërve të divorcuar fëmija duhet që të ketë të paktën këndin e tij në mos dhomën ku të vendosë sendet personale dhe ta dijë që ato nuk preken nga askush dhe janë tërësisht të tijat.
5. Rikrijim i ndjesisë familjare
Ndërsa prindërit ndahen ose divorcohen fëmijët mbi të gjitha frikësohen dhe shqetësohen në lidhje me faktin se nuk do të kenë më një familje. Ndaj shumë e rëndësishme në rrethanat e menjëhershme pas një situate të tillë është që t’u krijosh fëmijëve idenë e vazhdimësisë së jetës familjare, sepse kjo i bën që të përjetojnë një sens stabiliteti. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me situatën menjëherë pas divorcit mes dy prindërve të divorcuar, por edhe me të gjitha situatat e tjera që do të vijnë në të ardhmen, pra me lidhjet e reja që do të kenë prindërit me të tjerë partnerë. Kur nga lidhjet ka shumë fëmijë është edhe më mirë, sepse fëmijët gjejnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin dhe kjo i bën që të ndihen më mirë.
6. Shihi ndryshimet nga këndvështrimi i fëmijës
Një nga pikat më të forta të lidhjes mes prindërve të ndarë është paraja, pra dhënia dhe marrja e saj dhe mbajtja e fëmijëve. Zakonisht ata që janë detyruar që të paguajnë mendojnë gjithmonë se janë duke paguar më tepër nga sa është e nevojshme dhe në të kundërt ata që marrin para mendojnë se po marrin më pak nga sa është e nevojshme. Prindërit në këto raste këshillohen që të gjitha sfidat t’i shohin me sytë e fëmijëve të tyre dhe kjo aplikohet veçanërisht edhe në çështjet financiare. Kështu për shembull, fëmijët çmojnë më shumë kohën që u kushtojnë prindërit sesa paratë që shpenzojnë për ta.
7. Komunikoni me ish-in tuaj
Shkëmbimi i informacionit mund të jetë i vështirë për dy njerëz pas divorcit, por imagjinoni se çfarë situate të rëndë mund të përjetojë një adoleshent nëse ka prindër të cilët nuk i drejtojnë asnjë fjalë njëri-tjetrit dhe i kanë prerë mes tyre urat e komunikimit. Për fëmijët këto janë kohë shumë të vështira. Në këto raste këshillohet që prindërit të përpiqen në të gjitha mënyrat që të gjejnë mënyra komunikimi qofshin këto të vogla fare për hir të shëndetit shpirtëror të fëmijëve dhe për hir të komunikimit.
8. Flisni pozitivisht për ish-in tuaj
Fëmijët natyrshëm që e ndiejnë veten gjysmë të mamasë dhe gjysmë të babait. Një pjesë e madhe dhe e rëndësishme e vetëvlerësimit të fëmijëve vjen pikërisht për shkak të prindërve dhe sjelljes që kanë ata me fëmijët e tyre. Ndaj kur prindërit kritikojnë njëri-tjetrin në thelb janë duke kritikuar fëmijët e tyre. Ndaj është e këshillueshme që prindërit e divorcuar të mos shajnë apo kritikojnë njëri-tjetrin në sy të fëmijëve të tyre dhe në rastin më minimal të paktën të mos flasin fare.
9. Fli mirë, ha mirë do të jesh prind më i mirë
Nuk mund të jesh prind i mirë nëse nuk ke kujdes për veten tënde. Mirëqenia e prindërve është shumë e rëndësishme në vetë mirëqenien e fëmijëve. Fëmijët marrin shumë energji dhe shembuj nga prindërit e tyre. Nëse mami dhe babi janë të stresuar edhe fëmijët do të jenë të tillë dhe do të ndihen të çorientuar. Është e vështirë që kur divorcohesh je i ezauruar nga nervat dhe mbi të gjitha je shumë i zënë me punë, por edhe të rëndësishme që të kujdesemi për veten duke e filluar nga gjërat e vogla e nga një kohë e shkurtër. Ndryshe do të ndihemi gjithmonë se shkojmë nga një krizë në tjetrën.