Si te vishesh dhe gabimet qe nuk duhen bere

Si te vishesh dhe gabimet qe nuk duhen bere
Edhe pse vendi kalon një krizë ekonomike, më të përkëdhelurit në këtë fundvit vazhdojnë të jenë qendrat estetike dhe dyqanet e veshjeve e të dhuratave. Mania për t’u dukur mirë ndoshta nuk ka për t’u zbehur kurrë. Mbrëmjen e shumëpritur e Vitit të Ri, njerëzit i lejojnë vetes të shpenzojnë edhe ca nga kursimet që kanë mbledhur gjatë vitit për t’u argëtuar e zbukuruar. Tendencat çdo vit ndryshojnë. Ne kemi folur me stilistin Niko Komani që është edhe editor i imazhit në revistën “Anabel”. Ai tregon rreth veshjes ideale për natën e ndërrimit të viteve dhe gabimet që nuk duhen bërë kurrë atë natë, si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat. Ajo që bie në sy jo vetëm nga sugjerimet e stilistit,  por edhe në tendencat e fundit, është dantella. Ka dalë në modë. Fustanet, por edhe bluzat aktuale, kanë një pjesë të tyre me këtë copë. Niko jep këshillat e tij…

Ka dhe një anë të kundërt kjo natë, dhe ne ju ndihmojnë që të mos bëni gabime duke iu këshilluar se çfarë nuk duhet të përdorni në këtë mbrëmje speciale. Mbi të gjitha nuk duhet të vishni veshje të rastësishme, nuk duhet të përdorni shkëlqimin, ngarkesën në aksesorë dhe çizme, pavarësisht se janë në modë, lexoni këshillat Komanit….Ai jep këto këshilla: “Kjo është hera e dytë që këshilloj veshjen e Vitit të Ri tek Suplementi “Shekulli” dhe nuk më besohet akoma që ka kaluar një vit. Një vit plot ngjyra, tendenca dhe frymë të viteve ‘70-‘80”.

Femrat

Kadife

Këtë vit fermave ju sugjeroj 2 kombinime: Fustanin e zi me dantellë dhe mëngë të gjata e të gjëra, stil i viteve ‘70 hippie, flokë gërshet dhe të mbledhura, vath të gjatë ngjyrë floriri dhe byzylyk në të njëjtën nuancë dhe këpucë ngjyrë nude (ngjyra e mishit).

Kombinimi tjetër është një bluzë e zezë që të ketë shpatullat e hapura me një fund të zi kadife (që mos ngatërroheni, jo kadife me vija) me të çarë anash dhe gjatësia ideale do të ishte poshtë gjurit, flokët e drejta, aksesorë të vegjël por me shkëlqim dhe këpucë të kuqe.

Në të dyja rastet një çantë e vogël “Clutch” do të ishte perfekte !

Meshkujt

Për meshkujt një kostum i zi kadife ose blu e errët, këmishë e bardhë, një papijon me topa dhe një shami te xhepi i xhaketës në të njëjtën ngjyrë me papijonin dhe një palë këpucë me ngjyrë të ekzagjeruar nga kostumi në stil “masuline”.

Gabimet

Gabimet që s’duhet ABSOLUTISHT të bëhen janë : Për femrat JO fustane casual për mbrëmjen e vitit të ri, JO aksesorë të ngarkuar, JO geta me shkëlqim, JO çizme, sa do të jenë tendencë nuk vishen KURRË për mbrëmjen e Vitit të Ri dhe JO fustane tip “ballo” sepse jemi në 2011-ën.

Për meshkujt JO çorape sportive sepse kur ulemi pantallonat ngrihen dhe duket shumë keq, JO kostum me shkëlqim, le ta lëmë për një ditë modën orientale pas, JO unaza-varse floriri. Është një mbrëmje e shenjtë dhe JO këmishë me logo ose me emrin e firmës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama