Të gjithëve na ka ndodhur që të nevrikosemi me dikë dhe të ngremë zërin ndaj tij. Këto situata janë shumë të vështira dhe të dhimbshme për t’u drejtuar. Por pavarësisht asaj që e nxit sherrin, gjëja më e rrezikshme në të tilla momente është agresiviteti që mund të shfaqet gjatë zënkës, duke e bërë debatin jo vetëm të pavlerë, por edhe shkatërrues. Kjo gjë ndodh sepse shumë persona kërkojnë t’i sqarojnë keqkuptimet në momentin që janë të nxehur, gjë që shton më shumë inatin dhe rrezikon që personat të ngrenë edhe dorë kundër njeri-tjetrit. Kur jeni të nxehur duhet të shmangni debatet, sepse për shkak të mosmarrëveshjeve mund të bëheni më shumë agresivë. Duke ndjekur disa këshilla praktike, mund t’i shmangni zënkat, që kur ndodhin, mund të shndërrohen në një moment të vërtetë përballjeje.
Kështu, kur temperatura rritet, përpiquni të izoloheni. Të qëndruarit vetëm ju ndihmon që t’i mendoni më me gjakftohtësi gjërat. Pasi të jeni qetësuar, diskutojeni çështjen me personin me të cilin jeni zënë. Duke përdorur fraza si: “Je një i çmendur, budalla”, ka shumë gjasa që të rindizni debatin, prandaj përqendrohuni te gjërat konkrete, te një ngjarje ose sjellje që nuk ju ka pëlqyer. Tjetri do të jetë më i interesuar që t’ju dëgjojë. Në këtë mënyrë do të shmangni edhe reagimet e dhunshme. Kur debati po fillon të nxehet dhe ndjeni se nuk do të mund të arrini në një përfundim, tërhiquni duke kërkuar pak pushim.
Merrni pak ajër, pini një gotë ujë dhe largohuni nga vendi ku po diskutonit. Qëndroni dhjetë minuta vetëm dhe mendohuni për gjithçka që ndodhi. Vetëm kështu inati do t’ju kalojë, mendimet do t’ju qartësohen dhe mund të riktheheni për të diskutuar me një sy më objektiv dhe më të qetë. Të jeni të bindur se më pas do të ndiheni më të lehtësuar, do të keni dëshirë që të bëni gjëra të reja, nuk do të ndjeni mëri për askënd, madje do të keni shumë dëshirë të kaloni më shumë kohë me personin me të cilin keni diskutuar.
Gjërat që nuk duhet të bëni
Zënkat bëhen edhe më të bezdisshme kur personat që grinden nuk përqendrohen te faktet aktuale. Duke kujtuar të kaluarën, nuk bëni gjë tjetër vetëm se i nxehni më shumë gjakrat, duke mos i dhënë zgjidhje situatës. Pohimet e tilla si: “Ti nuk ndryshon”, apo “Edhe muajin e kaluar bëre të njëjtat gjëra”, nuk ju ndihmojnë që të debatoni qetësisht. Një “zënkë e shëndetshme” përqendrohet vetëm tek e tashmja: nëse përmendni vetëm probleme që kanë kaluar, atëherë duhet të kuptoni se keqkuptimet nuk janë zgjidhur. Kërkoni një moment tjetër për të debatuar, kur të jeni më të qetë. Gjithashtu, zgjidhni vende që edhe nëse nxeheni, të mos e ngrini zërin e të mos e humbisni toruan, për shembull një kafe do të ishte shumë e përshtatshme për të folur.
Nëse “shpërtheni”, nuk do të mësoni që t’i rregulloni gabimet
Gjatë një zënke, ruajtja e qetësisë është gjëja më e vështirë, por më e rëndësishmja. Të folurit me qetësi do t’ju ndihmojë të qartësoni mendimet, ndërkohë që i radhisni duke i thënë. Po ashtu, duke dëgjuar bashkëbiseduesin pa e ndërprerë atë, mund të fitoni kohë dhe të reflektoni. Mos lini pas dore as sinjalet e trupit: nëse frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës shpejtohen, atëherë jeni të kufi të shpërthimit nga inati, prandaj është momenti që të kontrolloheni. Për t’ju shmangur skandaleve, më mirë heshtni. Mund të ketë qenë një debat shkatërrues nëse pas tij ndiheni të lodhur, keni dhimbje në ndonjë pjesë të trupit (dhimbje stomaku, koke, barku).