Teksa kërkonte në arkiva mbi këtë periudhë ai do të ndalej në një personazh kyç të politikës italiane në Shqipëri, siç ishte mjeku Pasquale Lugini. Pas përfshirjes në Partinë Fashiste Italiane në vitin 1921, Lugini do të bëhej një nga njerëzit më të besuar të kësaj force politike dhe një ndër organizuesit e krijimit të Partisë Fashiste Shqiptare. Duke dashur të bëjë një portret të këtij burri, në portretin e të cilit ca syze ia fshehin vështrimin, Nicola jep dhe një pasqyrë të asaj çfarë ka ndodhur me pushtimin italian në Shqipëri më 1939-n, funksionimin e Partisë Fashiste shqiptare, anëtarët dhe punën e saj… Studimin e tij, ai do ta botonte në librin “Pasquale Lugini Një mjek fashist”. Libri ka vetëm pak kohë që është botuar në Itali, dhe u është dhuruar një kopje dhe drejtuesve të shoqatës “Iliria”, gjatë promovimit në Komunën e Rietit dhe disa pjesë të tij janë përkthyer nga Petrit Zambaku. Përmes historisë së jetës së Pasquale Luginit, ne shohim Shqipërinë e pas viteve ‘30 dhe një histori tjetër të krizave të vazhdueshme të shtetit shqiptar, duke filluar që nga brishtësia e regjimit zogist dhe shfaqja e Gjermanisë hitleriane në skenë e gadishullit Ballkanik.
“Martesa e Zogut me konteshën hungareze, Geraldine Apponyi, (1915-2002) kishin preokupuar, madje irrituar Italinë për influencën filogjermane që mbretëresha e re do të mund të ushtronte në familjen mbretërore shqiptare. Por dhe kuadri ndërkombëtar u rëndua shumë kur disa muaj më pas (shtator 1938) sapo Hitleri hoqi Sudetët në Çekosllovaki dhe kur më 5 shkurt 1939 ra qeveria jugosllave filoitaliane e Milan Stojadinoviç. Roma në këtë pikë u vendos përballë nevojës që të përballojë zgjerimin e influencës gjermane në Ballkan dhe për këtë Mussolini kërcënoi Zogun me ndërhyrje në Shqipëri që asokohe Mbreti nuk kishte rinovuar paktet me Italinë, që po arrinin në skadencë.
Mbreti shqiptar u përgjigj duke mobilizuar ushtrinë dhe me gjeste të tjera force kundër Italisë, që bënë të riktheheshin në atdhe bashkëqytetarët tanë, zbarkoi trupat e veta në Shqipëri në natën ndërmjet 6 dhe 7 prillit. “Lufta” qe e shkurtër dhe e shpejtë. Po atë ditë më 7 prill Zogu u largua për në Greqi, pasi liroi dhe armatosi kriminelët ordinerë të Tiranës. Më 12 Prill Asambleja Kushtetuese e thirrur nga Komiteti Administrativ provizor nën kryesimin e regjent Xhafer Ypi, abrogoi Kushtetutën e vitit 1928, shpalli rënien e Zogut dhe i ofroi kurorën e vendit në bashkim personal, Viktor Emanuelit të III të Savojës, Mbret i Italisë dhe Perandor i Etiopisë. Për të drejtuar këshillin e ri të ministrave u thirr Shefqet Verlaci eksponent i moderuar dhe i shquar i fisnikërisë shqiptare”, shkruan Andrea Di Nicola.
Krijimi i Partisë Fashiste Shqiptare
Më 23 prill, pak ditë pas Bashkimit që i dha një impuls mbresëlënës angazhimit të gjerë italian në modernizimin e vendit të shqipeve (përgjithësisht i njohur), nën drejtimin e Starace themelohet në Tiranë PFSH (Partia Fashiste Shqiptare). Më 2 qershor, Luogotenente Jacomoni shpalli statutin. Ka qenë vetë Starace që solli në Shqipëri tekstin e dokumentit të partisë së re, në organizimin e së cilës u thirrën shumë bashkëkombës italianë për të bashkëpunuar. Ndër të parët dhe sigurisht ndër kryesorët që qeveria italiane dërgoi në Shqipëri qenë Pasquale Lugini dhe Piero Parini; njëri si inspektor kombëtar i PNF (Partia Nacionalfashishte Italiane) pranë PFSH (Partia Fashiste Shqiptare) dhe i dyti si këshilltar pranë Kryeministrit Verlaci, i kërkuar nga Ciano.
Roli i inspektorit ishte i përcaktuar qartë në nenin e parë të statutit: PFSH ndërtonte një milici nën urdhrat e drejtpërdrejta të Duçes, i cili i dërgonte urdhrat e tij nëpërmjet sekretarit kombëtar të PNF, përfaqësuar në territorin shqiptar nga një inspektor kombëtar. “Për këtë mision të parë të ish-federalit të Rietit në atdheun e Skënderbeut kemi pak dëshmi. Nëpërmjet një albumi të çmuar fotografik dhënë atij nga fashistët e këtij qyteti, më 28.10.1942, dimë në fakt vetëm për vizitën e inspektimit të tij në qytetin e Shkodrës nga 4 – 5 korrik 1939. Më 31 gusht 1939, Lugini emërohet) zëvendës president i Kryqit të Kuq Shqiptar, por që e ndjek aktivitetin kryesisht nga Italia, deri në zgjedhjen e zëvendësit të tij. Emërimi në majën e drejtimit të institucionit të bamirësisë e detyroi të lërë detyrën e inspektorit të PNF në Shqipëri, në të cilin u zëvendësua në fillim nga Giro, pak i pëlqyer nga Ciano për afërsinë me elementët radikalë dhe pastaj nga mikun Parini që i dha jetë të përditshmes “Tomori”, nga emri i një mali të quajtur të shenjtë nga shqiptarët dhe i dha impuls të fortë aktivitetit të propagandës radiofonike, të filluar nga Lugini”, shkruan Di Nicola.
Po si funksiononte Partia Fashiste Shqiptare. “Drejtoria qendrore e PFA ishte formuar kështu; Tefik Mborja sekretar, Kol Bib Mirakaj dhe Kostandin Kote zëvendëssekretarë, Piero Parini inspektori i PNF (pastaj zëvendësuar nga Lugini që do ta shihni nga 1 gushti 1941 deri më deri më 5 maj 1943), Fausto Cignolini sekretar federal i një fashoje të PNF dhe gjashtë pjesëtarë. Përgjegjës i shërbimit administrativ të PFA ishte Aldo Sborigi, i emëruar nga sekretari i PNF (dhe më pas i zëvendësuar) që ushtronte kontrollin mbi administrimin pasuror dhe financiar të partisë shqiptare. Inspektorët federalë të PNF emëruar nga inspektori kombëtar i PNF merrnin pjesë me të drejtat e drejtorit federal të PFA në zonat e ushtrimit të funksioneve të tyre si përgjegjës të shërbimit administrativ.
Federatat ishin dhjetë; Gjirokastra, Berati, Korça, Durrësi, Elbasani, Kukësi, Peshkopia, Shkodra, Tirana dhe Vlora. Pranë Drejtorisë Qendrore të PFA u ndërtua dhe një federatë e fashistëve italianë me në krye një sekretar federal të PNF (I përkujtuari Cingolini), prej të cilës vareshin dhjetë fashot e ngritura në kryeqendrat e provincave. Funksioni i sekretarit të këtyre seksioneve italiane ushtroheshin nga inspektori federal i zonës. E besuara kombëtare e Fashove Femërore Shqiptare gjithnjë në pranverën e vitit 1941 ishte Hadië (Hedie) Vlora, e asistuar nga e besuara e Fashove Femërore Italiane në dispozicion Lina Pizzanelli. Kolegji i revizorëve i krijuar pranë Drejtorisë Qendrore ishte i përbërë nga italianët Alfredo Fujani, Etore Melis dhe Piero Montuori”.
Nëse nuk mund të thuhet se Partia Fashiste Shqiptare nuk kishte lindur në mënyrë të parakohshme, të paktën ajo ishte krijuar me shumë nxitim dhe e improvizuar; “Pa një studim të mjaftueshëm- siç thotë Jacomoni, protagonist i kësaj ngjarjeje të realitetit shqiptar”. Vetë strukturimi i PFA, modifikuar nga PNF Italiane, presupozonte një impenjim tepër të gjerë të italianëve, duke gjeneruar edhe në mënyrë të pavullnetshme borxhe dhe pasoja në sektorë të ndryshëm të kompetencave shtetërore, duke dhënë përshtypjen e një shënjestimi për italianizmin e Shqipërisë.
“Më qartësisht, pasojat shfaqen dukshëm në brendësi të Partisë Fashiste Shqiptare dhe në ministritë, ku totalisht u kërkuan këshilltarë të përhershëm italianë (një lloj zëvendësministri) të kombësisë italiane. Por në respekt të së vërtetës duhet thënë se pak, ose aspak u modifikua në sektorin administrativ dhe gjyqësor të vendit dhe tanimë vetë PFSH nuk u transformua kurrë (dhe këtë e konfirmon vetë mëkëmbësi i Mbretit në shkrimet e tij), si instrument presioni, siç kishte ndodhur në Itali. Në fakt, nuk u kërkua kurrë tesera e partisë për të pasur një post publik. Shtrëngimi i dorës nuk u bë kurrë pengesë.
Nuk u bë e detyrueshme përshëndetja romane, por mbeti përdorimi i vjetër i dorës, i vendosur në ballë dhe në zemër në fillim dhe në mbyllje të çdo takimi. Për sa i përket ndonjë institucioni, ndoshta mund të thuhet se pa pasur ndonjë dëshirë të caktuar krijohet përshtypja e “pushtimit” me element italianë. Edhe pse nuk ka ardhur asnjë ankesë për Kryqin e Kuq Shqiptar, sigurisht do të duhej të godasim pak presidencën që iu besua gruas së Jacomonit, mëkëmbësit të Mbretit dhe zëvendëspresidentin, një tjetër italian, mjekun Pasquale Lugini.
Kryqi i Kuq Shqiptar
Më 31 gusht 1939 mëkëmbësi i Mbretit Francesco Jacomoni i San Savino, në ushtrim të pushtetit të tij kishte firmosur dekretin me të cilin me propozim të Ministrit të Brendshëm, Maliq bej Bushati, mjeku italian, Pasquale Lugini, emërohej zëvendëspresident i Kryqit të Kuq Shqiptar. Në krye të institucionit ishte vendosur Maja Cavallero, gruaja e Mëkëmbësit të Mbretit, që përbënte figurë me përfaqësim të lartë, ndaj emërimi Lugini-t pati qëllim të përcaktuar; të besonte në duart e një tekniko-politiku rolin operativ të entit. Është e qartë se mjeku italian nuk ishte akoma një personazh shumë i njohur në Shqipëri. Emri i tij kishte filluar të përhapej pas emërimit të tij si inspektor për Shqipërinë. Por mbetet dyshimi se për emërimin e marrë nga ministri i Brendshëm mund të ketë ndikuar Serena, Starace, ose Grandi.
Përgjithësisht, kjo ka qenë një zgjedhje pozitive për Italinë, sepse personi i zgjedhur ishte jo vetëm një mjek dhe një specialist i shëndetësisë, por kishte dhe një eksperiencë të mirë në fushën e asistencës sociale të përfituar gjatë drejtimit të federatës së Rietit. Gjithashtu, Lugini si fashist i bindur dhe besnik nuk përfaqësonte as liturgjinë (ritet) e sekretarit të PNF dhe as ekzekutorin e urdhrave të zbritura nga lart, por duke i parë me mirësinë dhe humanizmin e një mjeku. Në këtë rast të parë Lugini nuk qëndroi gjatë në Shqipëri. Në mesin e Nëntorit 1939 ai kishte kontakte të shpeshta me funksionarët e Kryqit Të Kuq të Tiranës, por ishte kthyer dhe qëndronte në Romë, si tregon një letër e G. Riça, këshilltar pranë drejtorisë së përgjithshme të këtij institucioni. Megjithatë, ai u kthye shumë herë në Tiranë, nën petkun e zëvendësit të Presidentes Maja Jacomoni, si p.sh. në verën e vitit 1940 dhe në maj 1941 kur siç e tregojnë fotot e kohës ishte prezent në vizitën e Vittorio Emanuele III. Por, kur në fillim të gushtit të këtij viti në rezidencën e mëkëmbësit në Durrës u mblodh komiteti qendror i Kryqit të Kuq Shqiptar për të aprovuar bilancin parashikues të entit 1941-1942, zëvendëspresident rezulton Nush Bushati, që e gjejmë përsëri në detyrë më 18 qershor 1942.
Pikërisht në këto ditë, Lugini është emëruar përsëri inspektor kombëtar i PNF për Shqipërinë. Në një promemorie të përgatitur në vitin 1942 ilustrohet aktiviteti i Kryqit të Kuq Shqiptar, duke filluar që nga themelimi i tij më 30 dhjetor 1921 dhe disa prej iniciativave të tij gjatë viteve të para të luftës. Aktivitetet kishin qenë sigurisht të pakta; në fakt ka filluar me hapjen në vitin 1922 të një shërbimi ambulator shoqëruar me një farmaci. Personeli përbëhej nga një mjek, një farmacist dhe tre infermierë dhe mori po atë vit drejtimin e një shtëpie fëmijësh jetimë e themeluar nga privatë më 1917, që u asistonte 64 fëmijëve vajza dhe djem. Më 1927 u hap një shkollë për infermierë, por që iu hoq Kryqit të Kuq dhe u vendos nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme Sanitare, që e mbylli pak më vonë. U rihap në 1937 me 14 nxënës dhe iu dha nën drejtim Kryqit të Kuq, që po në atë vit solli ambulancën e parë, që u vendos në shërbim të të sëmurëve të kryeqytetit. Gjithnjë në vitin 1937 nën shembullin e iniciativave të ngjashme italiane Kryqi i Kuq filloi shpërndarjen e 450 racioneve ditore të supës popullore dhe bukës për të varfrit.
Pas ndërhyrjes italiane kundër Mbretit Zog dhe bashkimit personal në 1939 aktiviteti esencial i Kryqit të Kuq pësoi nga Jacomoni dhe Lugini një zhvillim vërtet të dukshëm. Një kujdes vërtet i veçantë u shtri në favor të sëmurëve me tuberkuloz nëpërmjet ngritjes së një dispeçerie antituberkulare në Tiranë (që në vitin 1942 ishte e vetme) e hapur çdo mëngjes për vizita dhe analiza radiologjike të specializuara. Pasdrekeve infermieret e specializuara vizitonin në shtëpi të sëmurët e regjistruar në dispeçeri, duke iu shpërndarë ilaçe, ushqime dhe veshje. Me shpenzimet e Kryqit të Kuq pastaj dërgoheshin për kurim në sanatoriumet italiane nga 40 deri në 50 të sëmurë me turbekuloz.
Misioni i dytë në Tiranë
I emëruar për herë të dytë inspektor i PNF për Shqipërinë, Lugini u nis nga Roma bashkë me gruan dhe djalin për t’u vendosur në godinën e re, në Tiranë. Më 1 gusht 1941, Pasquale Lugini mori rregullisht detyrën të cilën e ushtroi deri më 5 maj 1943, duke zëvendësuar mikun e tij Piero Parini, që u transferua si komisar në Korfuz. Për Luginin mëkëmbësi i mbretit Francesco Jacomoni pat thënë disa vite më vonë për takimin e tyre në Tiranë një gjykim pozitiv duke e përshkruar “mjek me profesion dhe me shpirt të ekuilibruar”, duke shtuar se “i dha zhvillim të gjerë iniciativave sociale”. Për këto, Shqipëria kishte shumë nevojë, jo vetëm për komplikacionin e shkaktuar nga gjendja e luftës, por dhe për shkak të prapambetjes sociale të këtyre zonave. Ashtu siç njihet gjerësisht nga historiografia, Italia diti padyshim t’i përgjigjej nëpërmjet njerëzve të saj, ndërmjet të cilëve qe dhe Pasquale Lugini, për nevojat e kësaj popullsie, përballë së cilës kishte manifestuar kujdes gjithmonë, edhe përpara pushtimit ushtarak të vitit 1939.
Pagat dhe shpërblimet e hierarkëve
Shpërblimet në formë page për hierarkët ishin vjetore. Në marsin e vitit 1943 ishin si më poshtë; Pasquale Lugini 21.000 franga ari (1750 në muaj, e barabartë me rreth 10940 lira). Giuseppe Girgenti, 13100; Gino Delfino, 10600; Nikolla Kote, 6300; Qazim Neki Libohova, 4150; Qazim Bllaka, 3000; Ishref Frashëri, 7.700; Alush Leshanaku, 5500; Shaban Basha, 1533 plus 2395 për periudhën e kaluar si anëtar i sekretarisë politike; Lutfi Spahi, 1800. Duhet të kemi parasysh që jo vetëm monedha italiane për shkak të luftës nuk kishte më magjinë e njohur nga zëri i Gilberto Mazzi-t, por dhe inflacioni në Shqipëri nga 1939-1943 ishte 1000%, siç e tregojnë dhe dokumentet e paraqitur nga Roselli: 100 lira të janarit 1939 ishin bërë 147.4 në dhjetor të atij viti, 272.5 në dhjetor 1940, 559.3 në dhjetor të 1941 dhe 1096.9 në dhjetor të vitit 1943.
Emërimet e reja në PFSH
Arritja e Luginit në Shqipëri korrespondon me një rinovim të thellë në brendësi të fashizmit lokal, që përfshin jo vetëm federatat por edhe prefekturat. Ky ishte rinovimi i parë i këtij lloji. Në muajin gusht, Lluka Bibi ishte bërë federal i Korçës, ndërsa Xhelal Shenepremtja ish-nënprefekt i Tropojës tërhiqet, sepse duke u emëruar sekretar federal i Kosovës, kalonte në nënprefekturën e Lumës, gjithashtu Nevruz Taçi ishte emëruar nënprefekt në Kurvelesh në vend të Duro Tabaku i transferuar në nënprefekturën e Matit. Zëvendësimet në radhët e drejtuesve kanë vijuar edhe në shtator, kur Jup Kazazi vazhdonte me ngritjen me emërimin prefekt në Durrës, njëkohësisht prefekt i ri i Korçës bëhet Hysni Peja, që kishte qenë prefekt në Kukës. Lëvizja e hierarkëve bëhet më e theksuar ndërmjet vjeshtës dhe dimrit. Në nëntor, federal i ri i Durrësit në vend të Kazazit u bë Guljelm Deda, ish-federal i Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Zenel Prodani, prefekt i klasit të parë në dispozicion projektohet prefekt i Tiranës, ndërsa Lele Koci, prefekt i klasit dytë në Dibër u transferua në Vlorë, në vend të Tafil Boletinit dërguar në Pejë. Në fund Teki Rusi, nënprefekt i Kolonjës, spostohet në Leskovik në vend të Ymer Fazlisë, dërguar në Kolonjë. Një muaj më vonë ishte radha e Riza Drinit, prefekt në dispozicion të kalojë në Prishtinë; kolegu Tef Naraci nga Gjirokastra shkoi në Durrës dhe u zëvendësua nga Faik Quku prefekt në dispozicion. Zenel Prodani nga Tirana u dërgua në Dibër. Ahmet Hastopalli nga Elbasani lihet në dispozicion. Në fund Musa Puka inspektor i lartë i Ministrisë së Brendshme u bë prefekt i ngarkuar me punë (në Elbasan, ndërsa Ali Erebara podesta në Tiranë u projektua prefekt i kryeqytetit.
Gjykimet për Mustafa Krujën
(pjesë nga libri)
Vështirësitë e kaluara në fushën sociale u shoqëruan me të tjera të natyrës më delikate politike, që nga njëra anë rrezikonin të krijonin plasaritje në raportin me Italinë dhe nga ana tjetër për të favorizuar lindjen e një kryengritjeje të armatosur terroriste të nxitur nga anglezët. Jo vetëm kaq, por edhe në territoret e Veriut po bëheshin urgjente dhe të rrezikshme kërkesat destabilizuese të bullgarëve nxitur nga gjermanët. Për të përballuar këtë situatë të vështirë qeverisë italiane ju desh të ndërthurte me kujdes që gjatë vitit 1941, për të mbajtur ekuilibrin e vështirë dhe kompleks ndërmjet grupit të pronarëve të mëdhenj të tokave dhe intelektualëve të botës rinore që i kundërshtonin ato. Grupi i parë më i vogël në numër, por më ekspert në çështjet e politikës dhe të administrimit përfaqësohej nga Kryeministri Shefqet Verlaci, i dyti kishte si majë të saj senatorin Mustafa Merlika Kruja. Kështu më 3 dhjetor 1941, për shkak të dëshirës së italianëve dhe me dëshirën e Jacomoni-t, drejtimi i qeverisë ju dha senatorit Kruja, i cili me nacionalizmin e tij më të shprehur i ofronte opinionit publik shqiptar garancinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së bërë në vitin 1939 nga Roma me Tiranën. Gjykimet mbi Krujën me të cilin Lugini duket që nuk ka pasur kurrë raporte të afërta janë pak a shumë kontradiktore”.
Duke qenë kryetar i këshillit të lartë të bashkëpunimit fashist, i emëruar senator i mbretërisë së Italisë, autor i studimeve të ndryshme politike, sipas ndonjë burimi ai kishte qenë një nacionalist i dhunshëm, aq sa kishte emëruar ministër të tokave të çliruara Nuredin Bej Vlora, mbështetës i eliminimit edhe fizik të serbëve të Kosovës. Fuqia civile mbi këtë krahinë më 10 korrik 1941, pas pushtimit italian që u bë i mundur në pranverë nga rënia e Jugosllavisë, i kishin kaluar qeverisë së Tiranës. Më 3 dhjetor 1941 betoheshin përpara Mëkëmbësit të Mbretit anëtarët e qeverisë së dytë; Mustafa Merlika Kruja, Kryeministër dhe ministër i Brendshëm, Jup Kazazi në PFSH, Hasan Dosti në të Drejtësisë, Shuk Gurakuqi në të Financës, Ilias Agushi tek Punët Publike, Dhimitër Berati tek Kultura Popullore, njëkohësisht dhe i Arsimit, Fuad Dibra tek ekonomia Kombëtare, Tahir Shtylla për tokat e çliruara (më pas zëvendësuar nga Vlora), Mark Gjon Markaj zëvendësministër i Brendshëm. Tekstualisht; Tefik Mborja, Maliq Bushati, Qemal Vrioni, Anton Beça e Qazim Koculi u emëruan ministra të shtetit, në një kohë kur Ernest Koliqi mori drejtimin e Institutit të Studimeve Albanologjike në vend të Krujës.
Më 4 dhjetor, për shkak të formimit të qeverisë se re, në prezencë të inspektorit të PNF Lugini në godinë drejtorisë qendrore, u bë zëvendësimi i kreut të PFA. Vendin e Mborjes e zuri Kazazi. Jo aq i pari sa emërimi i dytë paraqet një hapje të fortë ndaj radikalizmit kombëtar të brezave më të rinj. Në vazhdimësi, pak ditë pas largimit të Kazazit zëvendësimet e Krujës u kompletuan me përballje më të kujdesshme; Hilmi Leka dhe Vincenzo Rocco u emëruan në përbërje të Drejtorisë Kombëtare të PNFA; Nikolla Kote dhe Muharrem Vllamasi u emëruan inspektorë të PNFA; Shaban Basha u bë federal i Pejës, Xhevat Kryeziu në Dibër; avokati Pandi Frashëri në Gjirokastër. Pak më pas Zef Shiroka u bë podesta (i emëruar nga PFSH si kryetar bashkie) në Shkodër në vend të Mark Kakarriqi emëruar këshilltar i lartë. Të gjithë këshilltarët e rinj të lartë; H. Leka, N. Kote, M. Vllamasi, Feridon Minarolli, P. Frashëri, Sh. Basha dhe Xh. Kryeziu u betuan më 21 maj. Në atë kohë më 22 nëntor në të njëjtën ditë në të cilën lindte lëvizja klandestine opozitare Balli Kombëtar (Fronti Kombëtar), Kruja mbante një fjalim në Teatrin Savoja të Tiranës përpara mijëra personash, duke prekur shtyllën vertebrore të politikës kombëtare shqiptare (nga lidhja me Italinë, tek identiteti kulturor dhe shpirtëror i popullit shqiptar).
Në thelb Kruja nga njëra anë theksoi dëshirën e madhe për liri dhe pavarësi që karakterizon popullin e tij dhe nga ana tjetër ju përmbajt qëndrimit se vetëm Italia e kishte në zemër fatin e Tiranës, prandaj vetëm Italia do të mund të kujdesej pasi të përfundonte lufta. Pikërisht në atë kohë Jacomoni ishte duke zhvilluar disa përpjekje në Itali për të dhënë më shumë pavarësi civile dhe ushtarake të nevojshme për të forcuar lidhjet ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, duke evituar rrjedhoja të rrezikshme. Në Vlorë u vra Qazim Koculi guvernator i këtij qyteti, mik dhe bashkëpunëtor i Kryeministrit në politikën e tij popullore të opozitës ndaj bejlerëve të vendit. Nxitësit e vrasjes ishin disa familje feudale që donin të hakmerreshin për vdekjen e një pjesëtari të tyre, vendosur ndonjë vit më parë prej vetë Koculit. Gjithashtu guvernatori i vdekur, në vitin 1920 kishte qenë një ndër kundërshtarët më të ashpër që kishte luftuar me armë kundër italianëve, prandaj përgjegjësia ra mbi italianët. Pasojat qenë të rënda. Kryeministri që e shikonte vrasjen si një përgjigje ekstremiste ndaj përpjekjeve të tij në procesin e kalimit të pushteteve në favor të Shqipërisë dha dorëheqjen më 13 janar. U dorëhoq dhe një kundërshtar i tij, kryetari i Parlamentit, Terenc Toçi, jurist i shquar dhe mik i vërtetë i Italisë. Largimi i Krujës rrezikoi ta çonte Shqipërinë në greminë, për shkak të vështirësisë së zëvendësimit të kryeministrit me një personalitet, të zotin të mbante të bashkuar nacionalistët e veriut dhe bejlerët e jugut, aq sa Jacomoni mendonte të shpallte gjendjen e pushtimit ushtarak. Megjithatë, Mëkëmbësi i dha fund krizës duke emëruar Kryeministër ish-ministrin e Mbretërisë së Zogut dhe ish- ambasador në Itali (1921-1925) Ekrem Bej Libohova.
Në vend të Toçit në Këshillin e Lartë Koperues vajti Ernest Koliqi, që kishte qenë ministër i Arsimit në qeverinë e Shefqet Verlacit dhe që në këtë moment ishte Kryetar i Institutit të Studimeve Albanologjike. Me gjithë ndryshimet dhe premtimet italiane për më shumë autonomi për vendin ballkanik, atentatet antifashiste rifilluan fuqishëm veçanërisht në Jug të vendit. Më 13 shkurt 1943, qeveria dha dorëheqjen dhe ju besua Maliq bej Bushatit të formonte një qeveri të unitetit kombëtar, duke përmirësuar marrëdhëniet me bejlerët dhe me nacionalistët. Bushati pranoi dhe mori mbështetje të gjerë (edhe pse të kushtëzuar) nga Balli Kombëtar me të cilin më 15 mars, Gjenerali Renzo Dalmazzo arriti një marrëveshje për të luftuar lëvizjen partizano-komuniste. Qeveria e re bëri përpjekjet e duhura për përmirësimin e raporteve ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, por mbi të gjitha për modifikimin e PFSH, duke e transformuar atë dhe duke përdorur një terminologji më afër mentalitetit vendas, si Roja e Shqipërisë së Madhe.
al.ba
box
Paquale Lugini
Ka lindur në Famigniano, Procinca e Rietit në vitin 1896. Pas përfundimit të liceut, në vitin 1916 ka filluar studimet për mjekësi, të cilat i ka ndërprerë për shkak të mobilizimit në ushtri. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak ka ndjekur përsëri studimet. Në vitin 1921 është regjistruar në radhët e Partisë Nacional Fashiste. Më 16 maj 1934 u bë sekretar federal i PNF për Rietin. Këtë detyrë e mbajti deri më 8 janar 1939. 1939-1943, inspektor i PNF pranë Partisë Fashiste Shqiptare. Më 10 tetor 1947, kur po kalonte në shëtitoren Colonna në Romë, pësoi një infarkt, për shkak të ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë mitingun e organizuar nga Giogio Almirante dhe vdiq sapo arriti në shtëpi.