Një kombinim i të dyjave. Një dëshirë e jona, por edhe një dhuratë e Zotit, në çdo rast e mirëpritur nga ne.
Tri vajza dhe për herë të katërt një djalë...dikush mund të mendojë se ju ka munguar djali?
Absolutisht jo. Nuk jam ndier e parealizuar asnjë çast nga mospasja e një djali. Po besoj se të mbash gjithnjë një bebe në dorë është një mrekulli. E kam kuptuar këtë kur u bëra për herë të dytë nënë. E tani ky fëmijë i katërt vjen edhe me dëshirën për të mos harruar ndjesinë e të pasurit një bebe në duar. Një djalë pas tri vajzave është sigurisht shumë mirë.
Largpamëse?! Po mendoni se do ta keni të vështirë të kuptoni një djalë... kur ai të rritet?
Ajo që di të them është se instinkti i nënës zhvillohet në momentin e duhur. Pra, pavarësisht se përvojat e mia janë përballë vajzave, besoj se do të mësoj në momentin e duhur të rris edhe djalin. Sigurisht është me vend të mendohet për sfidat me të cilat mund të përballem më vonë. Janë nga më të paimagjinueshmet.
Si e kujtoni ekskluzivitetin e herës së parë nënë. Është një moment special, apo jo, i paharrueshëm, pavarësisht nga mosha e fëmijës?
Po. E paharrueshme, edhe pse herët e tjera kanë qenë aq të magjishme dhe unike. Por, le të rrimë te hera e parë: ishte një lindje me operacion dhe unë për shumë orë qeshë nën efektin e narkozës. E meqë ishte kështu, e refuzova disa herë time bijë, sepse isha e bindur se takimi i parë me të duhet të ishte në një çast kthjelltësie absolute. Dhe, ashtu ndodhi. Kur ime më më solli Sarën, kam përjetuar një moment me të vërtetë të lumtur. Por, gjithsecila nga herët më është ngulitur në kujtesë. Nuk dua të them vetëm se vajzat e mia m’u dukën bebet më të bukura në botë. Më tepër se kjo, ai takim i parë me vajzat më është dukur shumë domethënës për karakterin e tyre edhe për marrëdhënien e mëtejshme me to. M’u duk se pikërisht herën e parë gjithsecila më paraqiti personalitetin e vet. Ka një detaj. Diçka që përsëritet me të gjithë: ani pse i presin vëllezërit me shumë dëshirë, me ardhjen e tyre fillojnë skenat e xhelozisë. Dhe, gjithçka është e përligjur.
Jeni martuar në xhami!? Si ishte rituali?
Një gjë shumë e thjeshtë, shumë e ngjashme me kurorëzimin e martesave civile për sa i përket aspektit formal, por kuptohet, e ndryshme në procedurë dhe substancë. Për atë kohë ishte një ceremoni shumë e rrallë. Ishte viti 1995 dhe në fillim u interpretua si një tekë e jona, edhe pse ishte një vendim shumë serioz.
Ju është dashur të mbuloheni? Kishit fustan të bardhë...?
Fustanin e bardhë tradicional e ruajta për ceremoninë e dasmës, një vit e gjysmë më vonë. Për ceremoninë fetare kisha një fustan të gjatë, që kur e kujtoj sot, them se ka qenë shumë i bukur dhe një shall mbi kokë.
Meqë jemi këtu: cila është marrëdhënia juaj me besimin? Jeni praktikante? Ndiqni ritet? Shkoni në xhami?
Besimi është shtylla më e fortë e jetës sime. Vajtja në xhami për femrat nuk është kusht dhe unë nuk kam preferuar gjithmonë të shijoj një ndjesi sa më personale në raportin tim me besimin. Praktikoj dhe përpiqem të përmbush rregullisht detyrimet e mia.
Marrë nga revista “Psikologjia”