Çështja e Shën Naumit vazhdon të mbetet e diskutueshme, jo vetëm për vendimet politike, por edhe për përfshirjen e figurave të njohura shqiptare, veçanërisht Ahmet Zogu. Nga vendimi i vitit 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për kufijtë e Shqipërisë, te pushtimi i Shën Naumit nga mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, diskutimi i vazhdueshëm se Shqipërisë i takonte kufiri nga fshati Lin deri në Shën Naum, letrat e shumta të diplomatëve shqiptarë në mbrojtje të çështjes, vëzhgimet në terren, roli i Fuqive të Mëdha deri te mbledhja e Konferencës së Ambasadorëve në Londër ku vendimi i 6 dhjetorit 1922 për t’ia dhënë Shqipërisë Manastirin e Shën Naumit u duk përfundimtar. Pesë muaj më vonë, qeveria jugosllave kërkoi rishikimin e vendimit dhe çështja shkoi në Gjykatën e Hagës. Shqipëria zgjodhi një avokat francez, Zhilber Zhidel(Gilbert Gidel), profesor i të Drejtës Ndërkombëtare për të mbrojtur çështjen.
Kësaj beteje të gjatë i paraprijnë një sërë korrespondencash të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare pranë organizmave ndërkombëtare. Janë dokumente të shumta që historiania dhe studiuesja Kaliopi Naska i ka sjellë në një vëllim të vetëm. “Shën Naumi dhe diplomacia e kohës” vjen pas një pune të gjatë në arkivat shqiptare dhe të huaja, për të ndriçuar këtë çështje në gjuhën e dokumenteve. Janë mbi 249 dokumente, rreth 80% e tyre të botuara për herë të parë në shqip, por edhe në gjuhën origjinale që ndërtojnë në mënyrë kronologjike historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë me Fuqitë e Mëdha. Studiuesja shprehet se përtej interpretimeve politike që bëhen veçanërisht sot, ajo ia lë në dorë lexuesit të gjerë, por edhe studiuesve të gjykojnë mbi materiale dokumentare. Ky botim, vjen pas vëllimeve të mëparshme që studiuesja i ka kushtuar çështjes çame.
Ndonëse sa herë flitet për Shën Naumin theksi vihet te marrëveshja e shumëdiskutuar e marrëveshjes së Zogut me qeverinë jugosllave, pikë e përfshirë në botim, përmes dokumenteve të shumta, Kaliopi sjell përpjekjet e qeverisë dhe të Parlamentit shqiptar në mbrojtje të kufijve dhe sovranitetit të vendit. Një moment i tillë ishte mbrojtja në Gjykatën e Hagës që po e sjellim përmes disa pjesëve të shkëputura nga fjalimi i gjatë që mbajti avokati francez, në një kohë kur në Shqipëri ishte në fuqi Qeveria e Fan Nolit. “Rreth qëndrimit dhe angazhimit të Ahmet Zogut pro politikës jugosllave ka shumë debate. Ato janë kryesisht mbi mbështetjen e dhënë Ahmet Zogut për t’u kthyer në Shqipëri dhe mbi mbështetjen e madhe morale dhe materiale të dhënë nga qeveria jugosllave për ta sjellë në pushtet, e cila u shoqërua dhe me një lëvizje mbështetëse politike. Dokumentet dëshmojnë se kjo lëvizje ka pasur prapa shumë kushte. Më e debatuara është marrëveshja e bërë mes Ahmet Zogut dhe Pashiçit në gusht të vitit 1924, ku ndër të tjera qe shkruar edhe premtimi i tij për t’ia dhënë Shën Naumin Jugosllavisë. Rreth kësaj marrëveshjeje në botim sillen dokumente që bëjnë fjalë për të, duke u botuar edhe një variant i saj.
Po kështu ka mjaft dokumente që në brendi të tyre flitet për lëvizje të dyshimta të Ahmet Zogut. Dokumentet bëhen të besueshme, pasi janë personalitet të fushës së diplomacisë shqiptare që flasin për këto marrëdhënie dhe lëvizje të tij”, shënon në parathënie studiuesja. Sipas saj, kjo marrëveshje e kushtëzoi Zogun, edhe pse në fillim bëri rezistencë për mbrojtjen e Shën Naumit. Periudha historike që studiuesja sjell përmes dokumenteve të shumta (më parë për këtë çështje kanë shkruar Arben Puto, Paskal Milo, Monika Stafa, etj) kap si hark kohor vitet 1913-1926. Ndonëse ka herë pas herë interpretime të saj për të kuptuar rrethanat, Kaliopi Naska ka dashur ta lërë gjykimin në dorë të dokumenteve.
Fjalim i mbajtur nga Z.G.Zhidel (përfaqësues i Shtetit Shqiptar) në seancën publike të 23 korrikut 1924
Hagë, 23 korrik 1924
Shtojca 5.
Zotërinj,
Shqipëria ka nderin të marrë sot kontakt, për herë të parë, me Gjykatën e Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare. Kjo ditë do të ngelet si një datë solemne në historinë e Shqipërisë.
Populli shqiptar ka pas tij një të kaluar të gjatë dhimbjesh dhe vuajtjesh. Me gjithë mundimet, ky komb i vjetër e ruan të paprekur dëshirën për të jetuar-dhe për të jetuar i lirë-, sepse ai beson tek e drejta dhe sepse ka vetë dijen e patundshme të së drejtës së vet.
…Vendimi i 9 nëntorit 1921 kishte si pasojë për Konferencën e Ambasadorëve që ta detyrojë atë të vendosë në mënyrë të tillë që shën Naumi t’i jepej Shqipërisë, edhe nëse Protokolli i 1913-ës nuk ia kishte dhënë tashmë asaj. Vendimi i 9 nëntorit 1921 përmban një fjali të rëndësishme. Ajo përcakton një qëllim që duhej arritur dhe thotë: ‘Duhet të sigurohen, në rrëzë të liqenit të Ohrit, komunikimet ekonomike midis Elbasanit dhe Korçës.”
“Në rrëzë të liqenit të Ohrit”, shprehje shumë e përgjithshme, që nuk e kufizon territorin e dhënë Shqipërisë me dhënien e një pike speciale, por që përfshin një bashkësi të tërë krahinash, brenda së cilës duhet arritur një rezultat i caktuar. Duhet siguruar liria e komunikimeve midis Elbasanit dhe Korçës. Por kjo rrugë kalon nga Pogradeci, dhe Pogradeci dhe rruga gjenden poshtë manastirit të Shën-Naumit. pra, nëse Shën-Naumi nuk i jepej Shqipërisë, rruga do të ishte nën zjarrin e pushtuesve të Shën-Naumit, dhe ky rezultat do të ishte krejtësisht i kundërt ,e formulën e përgjithshme të përdorur me kujdes në vendimin e 9 nëntorit 1921.
***
Zotërinj, përballë këtyre argumenteve të ndryshëm, serbët, kroatët dhe sllovenët nuk mund të nxjerrin veçse një konsideratë kundër Shqipëtarëve. Është një argument i thjeshtë fakti: ata gjenden në Manastirin e Shën Naumit.
Ky argument nuk ka asnjë vlerë. Beati possidentes, nga sa di unë, nuk është një sentencë që ka hyrë në këtë sallë gjyqi, dhe ka raste ku zotërimi jo vetëm që nuk është një titull, por kthehet kundër atyre që e shprehin atë: kjo ndodh kur zotërimi është ilegal, dhe në këtë rast kështu është: Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve zotëron ilegalisht këtë manastir, sepse, – mos e harroni Zotërinj-, një zonë neutrale u krijua nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e saj të 4-5 prillit 1922. Të gjithë elementet e armatosura duhej të ishin tërhequr nga kjo zonë neutrale. Kjo zonë neutrale përfshinte manastirin e Shën- Naumit. Në kundërshtim me këtë vendim, forcat serbo-kroate-sllovene gjenden akoma në këtë manastir.
***
Zotërinj, i përfundova këto shpjegime për gjatësinë e të cilave ju lutem të më falni. Duke përfunduar, do të dëshiroja të tërheq vëmendjen tuaj mbi rëndësinë e një rishikimi. Nuk e kam fjalën për pasojat reale; flas për pasojat në fushën e së drejtës. Çfarë do të thoshte një reformim i vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të 6 dhjetorit 1922? Nuk jam dakord ta quaj këtë “rishikim”, sepse nuk do të quhej rishikim në kuptimin juridik të termit; nuk do të kishte asnjë fakt të ri, gjë e domosdoshme për të bazuar një rishikim; nuk do të kishte as pamjen e një fakti të ri me formën e një dokumenti të ri.. Ky rishikim do të ishte thjesht ndërprerja e kontratës lidhur midis Palëve në muajin tetor 1921 dhe të cilat e kanë përfunduar dhe e kanë kryer më së miri në 9 nëntor 1921. Ndërprerja e kësaj kontrate do të kishte si pasojë që të gjitha Palët të rimarrin lirinë e tyre. Duke folur për lirinë e tyre, flas dhe e vendos veten vetëm në aspektin e të drejtës. Por cilat do të ishin pasojat nëse Qeveria Shqiptare merrte sërish lirinë e saj? Ajo do t’iu kthehej ca përcaktimeve luftare të dhimbshme që janë bërë kundër saj. Ajo do të mbrojë se edhe pse ka brenda kufijve të saj një milion banorë, ngelen jashtë tyre një milion e tetëqind mijë banorë; ajo do të kujtojë se ka pësuar një zvogëlim tepër të hidhur të territorit kur një vijë, e quajtur kufitare, ndau Shqipërinë nga territoret që përmbajnë një të gjashtën e sipërfaqes së përgjithshme të Shqipërisë të 1913-ës dhe përreth 150.000 banorë. Ajo do të kërkonte të rishikohen vendimet në lidhje me Dibrën dhe me pika të tjera, të cilave ajo iu jep një rëndësi të madhe. Të gjitha këto pasoja të rënda që do të shkaktoheshin nga një “rishikim” i vendimit të 6 dhjetorit 1922 u kuptuan shkëlqyeshëm nga një numër komisarësh dhe nga qeveri të ndryshme të cilat i dhanë mbështetjen e tyre tezës shqiptare në broshurën që ju keni para jush.
Shqipëria është krenare për homazhet e drejta qoi bëhen urtësisë dhe shpirtit të saj të drejtësisë. Sidomos, ajo regjistron si një titull lavdie lëvdatën që iu dha nga lordi Robert Cecil para Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në 2 tetor 1921, dhe të cilën ju do ta gjeni në faqen 114 të broshurës suaj. Por meqë ajo pajtohet me të drejtën, ajo mendon me të drejtë se mund të shpërblehet. Për këtë është e paçmueshme për Shqipërinë të gjendet para jush, Zotërinj, që i thoni Botës të drejtën, të drejtën e njëjtë për të dobëtin ashtu si dhe për të fortin.
Marrëveshja e Zogut me jugosllavët
T. Anereti në Konsullatën Italiane në Durrës, i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë
Durrës,9 janar 1925
Reservate
Ministrisë së Jashtme
Akord sekret midis Pashiç dhe Ahmet bej Zogut.
Person i autorizuar dhe në gjendje që mund të jetë shumë më mirë i informuar më ka sjellë në mënyrë krejt rezervate, kopjen e akordit, që kam nderin të transmetoj, që ishte bërë në gusht 1924, midis Ahmet bej Zogut, që ish atëherë refugjat në Belgrad, dhe Presidentit Pashiç, në relacion të ndihmës që ngarkohesh për të dhënë Qeveria Jugosllave për të sjellë në fuqi z. Ahmet bej Zogun.
Akordi ka cilësinë e autenticitetit. Në ekzekutimin e saj pamvarësisht nga Ahmet bej Zogu kishte ose jo shpirtin e zotrimit dhe përveç disa pikave të posaçme që u kryen, nuk janë paraqitur rrethana të favorshme nga shkaku i shpejtësis për të cilën, nëpërmjet akordit midis R. Qeveris dhe atij të z. Ahmet bej Zogut, është neutralizuar fillimi i epërsisë jugosllave. Me gjith atë, kjo mund të shpjegoj aksionin e balancimit midis nesh dhe jugosllavëve, të ndjekur në këto kohët e fundit nga Presidenti i Republikës.
{nënshkruar} T. Anereti