Agjencia e lajmeve ruse, "Ria Novosti", dhe një gazetar i AFP-së, raportuan të premte në mëngjes se një autokolonë tankesh kishte hyrë në krahinë dhe qenë pak orë larg kryeqytetit të saj, Tskhinvalit. Edhe Presidenti gjeorgjian, Mikhail Sakashvili, deklaroi se 150 mjete të blinduara ruse kishin hyrë në territorin e Osetisë së Jugut. Sakashvili deklaroi gjithashtu se gjeorgjianët kishin rrëzuar dy avionë ushtarakë rusë, ndërkohë që një oficer i lartë gjeorgjian tha për agjencinë "Reuters" se dy avionët kishin bombarduar një bazë ushtarake shumë pranë kryeqytetit të vendit, Tbilisit.
"Ka pasur bombardime përgjatë gjithë ditës, të drejtuara veçanërisht kundër popullsisë civile dhe kemi të vdekur e të plagosur në gjithë vendin", tha Sakashvili për rrjetin amerikan CNN, në një intervistë të dhënë të premten mbrëma. "Vendi im është në vetëmbrojtje", replikoi ndaj pyetjes nëse Gjeorgjia qe përfshirë në një konflikt. "Trupat ruse kanë pushtuar Gjeorgjinë".
Presidenti rus, Dimitri Medvedev, tha të premte se vendi i tij do t‘i mbronte "bashkëkombësit" në rajonin separatist, ku shumica e banorëve mbajnë pasaporta ruse.
Tensionet kanë qenë për muaj të tërë në rritje e sipër në rajonin që gjendet në kufirin jugor të Rusisë. Osetia e Jugut dhe Abkhazia, po aq e varfër, po kërkojnë pavarësinë e plotë nga Gjeorgjia, me ndihmën e Rusisë.
Mbrëmjen e së enjtes tensionet u konvertuan në luftë të armatosur, në çastin kur forcat tokësore gjeorgjiane, me përforcime nga ajri, sulmuan trupat separatiste në përpjekje për të rivendosur nën kontroll krahinën. Deri të premte kishte raportime për 15 civilë të vdekur, bashkë me dëme në njerëz mes radhëve e forcave të paqeruajtësve rusë të vendosur në rajon.
Presidenti gjeorgjian, Mikhail Sakashvili, tha të premte se ushtria e tij kishte çliruar pjesë të kryeqytetit të Osetisë së Jugut.
Por, me mbështetjen që i ofrojnë rusët krahinës separatiste, dhuna rrezikon të përhapet në gjithë rajonin. Gjeorgjia prej kohësh pretendon se trupat "paqeruajtëse" ruse, të vendosura në rajon, nuk janë të mirëpritura.
"Një agresion në shkallë të gjerë është ndërmarrë kundër Gjeorgjisë", tha Sakashvili gjatë një deklarate televizive. "Por Gjeorgjia nuk do pranojë shkëputjen e pjesëve të territorit të vet dhe nuk do heqë dorë nga liria".
Kryeministri rus, Vladimir Putin, premtoi se operacioni gjeorgjian do merrte përgjigjen ruse. "Lidershipi gjeorgjian ka ndërmarrë veprime shumë agresive në Osetinë e Jugut", tha Putin nga Pekini.
Konflikti në shkallë të gjerë vjen pas rritjes së tensionit mes separatistëve dhe ushtarëve gjeorgjianë, të cilët kanë vrarë rreth 20 njerëz. Sakashvili premton prej kohësh se do riintegrojë territoret e Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë në Gjeorgji, që të dyja të rebeluara në fillimin e viteve nëntëdhjetë dhe me lidhje shumë të ngushta me Moskën. Shumë rezidentë të Osetisë së Jugut kanë pasaporta ruse dhe agjencia ruse e lajmeve, "Interfax", raportoi të premten se qindra vullnetarë nga Osetia e Veriut - e cila gjendet nga ana ruse e kufirit - kanë kaluar në Osetinë e Jugut për të ndihmuar bashkëkombësit gjatë luftimeve.
Gjeorgjia bën me dije se ka pushtuar shumë fshatra pranë kryeqytetit të krahinës dhe se po i drejtohet qendrës së tij. Tbilisi ka mobilizuar gjithë trupat e mundshme dhe ka përfshirë në konflikt edhe rezervistët. Zyrtarë nga Osetia e Jugut deklarojnë se trupat gjeorgjiane kanë goditur me raketa kryeqytetin dhe se disa ndërtesa janë dëmtuar rëndë.
Të enjten mbrëma, Rusia kërkoi mbajtjen e një sesioni urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me shpresën e arritjes së një deklarate të përbashkët për ndalimin e zjarrit nga ana e Gjeorgjisë. Orët e para të mëngjesit të së premtes presidenti aktual i këshillit, ambasadori Jan Grauls, bëri me dije se nuk qe arritur asnjë lloj marrëveshjeje.
Sipas raporteve të tjera, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit u hodhën në mbështetje të Gjeorgjisë, e cila nën Sakashvilin ka ndjekur një vijë properëndimore.
Në Gjermani, ministri i Jashtëm, Frank-Valter Shtainmaier, ndërpreu të premte pushimet, për t‘iu tërhequr vëmendjen të dyja palëve të konfliktit. "U bëj thirrje të dyja palëve të përfshira në konflikt, të ndërpresin çdo lloj veprimi të dhunshëm dhe të ndërmarrin hapat e duhur për të paqësuar situatën", tha Shtainmaier pas bisedave telefonike me Presidentin gjeorgjian, Sakashvili, dhe ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov. Ai tha se që të dyja palët duhet të qetësojnë tonet dhe akuzat e ndërsjella, në mënyrë që të shmangin shkallëzimet e mëtejshme. "U këshilloj të dyja palëve që të nisin menjëherë dialogun", shtoi ai.
Por, diplomatët gjermanë thanë se ministri kishte përshtypjen që të dyja palët kishin "qëndrime diametralisht të kundërta". Ministri i Punëve të Jashtme e akuzon Gjeorgjinë për shkeljen e të gjitha rregullave, si edhe goditjen me armë të zonave civile. Lavrovi u kërkon gjeorgjianëve të rivendosin gjendjen në kushtet përpara shkallëzimeve.
Presidenti gjeorgjian, Sakashvili, nuk qe më pak i ashpër në deklaratat e veta, duke fajësuar rusët për shpërthimin e konfliktit. Ai e akuzoi Moskën për shkeljen e marrëveshjeve dhe për provokimin e konfliktit. Shtainmaier po kërkon vazhdimin e bisedimeve me të dyja palët.
Intervista me ministrin e Jashtëm, Sergei Shamba
Abkhazia kërcënon me front të dytë
Marshimi i Gjeorgjisë në Osetinë e Jugut ka shtyrë edhe Abkhazinë të përgatitet për luftë. Ministri i Jashtëm abkhazian tha për gjermanen "Der Spiegel" se provinca mund të hapë shpejt një front tjetër luftimesh.
Si po reagon Abkhazia ndaj ngjarjeve në Osetinë e Jugut?
Kemi një marrëveshje me Osetinë e Jugut për reagimin e përbashkët ndaj krizave. Dhe tani po mendojmë t‘i përmbahemi kësaj marrëveshjeje. Këshilli ynë i Sigurimit diskutoi gjatë gjithë natës dhe urdhëroi ushtrinë të grumbullohet pranë kufirit me Gjeorgjinë.
A do hapet një konflikt i dytë në Abkhazi?
Kjo varet nga zhvillimi i situatës në Osetinë e Jugut. E kuptojmë shumë mirë se Abkhazia është në radhë pas Osetisë së Jugut. Në rast se situata nuk stabilizohet, do detyrohemi të hapim një front të dytë.
Përse situata u përshkallëzua kaq shpejt deri në këtë pikë?
Pas njohjes së Kosovës, gjërat u intensifikuan dhe Gjeorgjia e kuptoi se mund të humbiste të dyja krahinat. Bisedimet e mëtejshme do shërbejnë vetëm për largimin e mëtejshëm të tyre nga Gjeorgjia. Kjo i shtyu gjeorgjianët ta rëndonin situatën, duke shkelur marrëveshjet dhe duke aplikuar tension të vazhdueshëm. Kjo nxiti edhe kundrareagimet dhe daljen e situatës jashtë kontrollit. Prisnim që kjo të ndodhte në Abkhazi dhe ndodhi në Osetinë e Jugut.
Çfarë reagimi prisni nga Rusia?
Presim që Rusia dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të reagojnë ashpër. Presim ta vlerësojnë situatën për atë që është. Deri tani janë bërë deklarata abstrakte, në të cilat Gjeorgjia nuk fajësohet asnjëherë konkretisht. Por nuk kemi shumë shpresa për një verdikt të ndershëm, sepse mendojmë që Gjeorgjisë i është dhënë "carte blanche" nga ana e partnerëve për nisjen e sulmit, ndryshe nuk do të kishte vepruar në këtë mënyrë, veçanërisht ditën e parë të fillimit të Lojërave Olimpike.
Mendoni se Rusia do t‘i përmbushë ato që kërkoni ju?
Nga ana e rusëve janë lëshuar një seri deklaratash, sipas të cilave ata nuk do e lejojnë agresionin gjeorgjian. Por ne jemi mbështetur gjithnjë te forcat tona.
Po mbërrijnë vullnetarë në Abkhazi nga Kaukazi i Veriut?
Tani veç po e observojmë situatën. Në rast se operacionet ushtarake zgjerohen dhe fronti i dytë hapet, do të hyjmë në kontakt me ta. Do të na ndihmojnë, ashtu si vullnetarët e tjerë që janë rrugës për në Osetinë e Jugut.
Përse mendoni që Abkhazia duhet të jetë e pavarur?
Është vullneti i popullit të saj, i cili ka luftuar përgjatë shekujve për pavarësi dhe identitet kundër fuqive të mëdha si Bizanti, Persia, Irani dhe perandoritë otomane dhe ruse. Kjo betejë vazhdon edhe sot.
Nuk keni frikë se influenca e Rusisë mbi Abkhazinë mund të kalojë caqet e duhura?
Për ne është e vështirë, por shtetet perëndimore nuk na ofrojnë kurrfarë alternativash. Na i kanë mbyllur të gjitha dyert. Ç‘mund të bëjmë? Lidhja me Rusinë na i zgjidh praktikisht të gjitha problemet.
Nuk trembeni se Rusia po e përdor Abkhazinë si një instrument për përmbushjen e interesave gjeopolitike?
Që të gjithë shfrytëzohen nga dikush. A nuk përdoret Gjeorgjia nga Shtetet e Bashkuara? Beteja e vërtetë zhvillohet mes fuqive të mëdha ndërkombëtare. Nga njëra anë Abkhazia dhe Gjeorgjia janë masha në këtë betejë, nga ana tjetër që të dyja përpiqen të nxjerrin përfitimet e tyre nga fuqitë. Shfrytëzimi është i dyanshëm.
Konflikti i Kaukazit e gjeti Evropën të papërgatitur
Diplomatët evropianë shpresonin të mbanin paqen në Gjeorgji përmes premtimesh financiare e partneriteti. Por tani që bombat kanë nisur të bien, askush në Bruksel, Paris e Berlin nuk di si të veprojë
Prej katër ditësh para të enjtes trupat gjeorgjiane dhe ato të separatistëve kishin shkëmbyer zjarr. Të enjten në mëngjes, Rusia paralajmëroi se Gjeorgjia po përgatitej për luftë.
Por kur Havier Solana komunikoi me telefon të enjten në mbrëmje me Sakashvilin, Presidenti gjeorgjian nxitoi ta qetësonte dhe t‘i tregonte se kishte urdhëruar ndërprerje të njëanshme të zjarrit. Mësohet se, gjatë asaj bisede, Sakashvili i kishte thënë që edhe ai vetë mendonte se dhuna duhej lënë mënjanë dhe gjërat duheshin zgjidhur në tavolinën e marrëveshjeve.
Sigurisht. Vetëm pas pak orësh shpërthyen luftime të ashpra. Solana tha pas kësaj se Komuniteti Evropian dhe qeveria franceze, e cila mbulon rolin e kreut të radhës në klubin e të 27-ëve, ishin "thellësisht të shqetësuara".
E vërteta është se krerët e lartë të Brukselit - në Shtabin e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian - nuk e kanë idenë çfarë po ndodh. Si nisën luftimet? Kush i përshkallëzoi? Që të gjithë ngrenë supet.
Edhe NATO u gjet po aq e papërgatitur nga shpërthimi i konfliktit. Deri vetëm para pak ditësh (30 korrik), 1 mijë ushtarë amerikanë që gjendeshin në rajon morën pjesë në një trajnim ushtarak të përbashkët me ushtrinë gjeorgjiane, të quajtur "Reagimi i menjëhershëm 2008". Qëllimi ishte trajnimi i gjeorgjianëve për një mision në Afganistan, ku Tbilisi do dërgonte 400 ushtarë.
Për tani, NATO dhe BE janë të detyruara ta kufizojnë reagimin te retorika dhe komunikimet diplomatike, duke qenë se brenda të dyja organizmave vërehen ndarje të forta opinionesh për mënyrën se si duhet vepruar në Gjeorgji. Brenda NATO-s, Gjermania dhe vende të tjera perëndimore kërkojnë të mos i ashpërsojnë marrëdhëniet me Moskën. E ngjashme situata është edhe brenda radhëve të Bashkimit Evropian: anëtarët e rinj nga Evropa Lindore e shohin me sy pozitiv përfshirjen e Gjeorgjisë në BE, por perëndimorët janë kokëfortë.
Kur ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Paet, propozoi instalimin e një force paqeruajtëse evropiane me fillimin e veprimeve të ashpra në Osetinë e Jugut, administratorët e lartë në Bruksel u pozicionuan njëherësh kundër. Thanë se një mision evropian paqeruajtës do të bëhej i mundur vetëm në rastin kur të gjitha palët e konfliktit ta pranonin bashkërisht - rusët, gjeorgjianët dhe osetianët - duke pranuar të ulnin armët. Kushte që, të paktën tani për tani, zor të përmbushen.
Marre nga : Gazeta Shqip