Traktati i Bashkimit Europian, i njohur si Traktati i Mastrihtit, i nënshkruar në qytetin holandez më 7 shkurt të vitit 1992, hyri në fuqi një vit më vonë. Ky traktat krijoi strukturën për monedhën e përbashkët, që më pas u quajt euro. Simboli i kësaj monedhe të përbashkët u frymëzua nga germa greke ipsilon dhe erdhi në jetë në vitin 2001. Kjo monedhë emetohet nga Banka Qendrore Europiane me qendër në Frankfurt të Gjermanisë, si për të ngushëlluar këtë vend për humbjen e dojçmarkës, monedhës së fuqishme.
Por tani ëndrra europiane – që kishte euron në qendër të saj – është shndërrua në makth. Anëtarët e eurozonës, të drejtuar nga Gjermania, po detyrohen që të shpëtojnë financiarisht ekonomitë më të vogla të zonës që janë përfshirë në një krizë financiare që po kërcënon me përmasat dhe thellimin e saj vetë ekzistencën e bllokut.
Si funksionon euroja?
Krijimi i një monedhe që të përdorej në një numër kaq të madh ekonomish me natyra të ndryshme ka qenë gjithmonë një detyrë shumë e vështirë. Ideja e një monedhe unike u promovua nga Zhak Delors, ish-ministër i Financave të Francës që qëndroi në krye të presidencës së Komisionit Europian nga 1985-a deri në vitin 1995. Qëllimi ishte që të stampohej identiteti europian në tregje, duke sjellë kështu, ndër të tjera, edhe stabilitet të çmimeve, rritje ekonomike dhe përfitime tregtare. Raporti i Delors, i vitit 1989, e përcakton objektivin e bashkimit monetar si një “liberalizim të plotë të lëvizjes së kapitalit”. Struktura përfundimtare ishte një bllok, në të cilin integrimi politik dhe fiskal ishte minimal.
Euroja nuk ishte konceptuar për të krijuar “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Traktati i Mastrihtit krijoi kushtet specifike për monedhën e përbashkët. Mes kritereve të tjera, vendet anëtare nuk duhet që të lejonin që deficiti buxhetor vjetor të kalonte 35% të prodhimit kombëtar bruto, ndërkohë që borxhi publik duhet që të ishte nën 60%. Politika monetare duhej që të kontrollohej nga Banka Qendrore Europiane, e cila, ndër të tjera, vendos edhe përqindjet e interesit dhe kontrollon inflacionin. Megjithatë secili vend ka politikën e vet të taksave, buxhetit dhe bankave qendrore, të cilat emetojnë bonot e tyre me çmime që ndryshojnë në varësi të rreziqeve të investitorëve. Kjo është specifike për çdo vend të veçantë.
Cilat futen në eurozonë?
Nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, 17 vende me një popullsi prej 322 milionë njerëzish e përdorin euron si monedhën e tyre të përbashkët. Ekonomia më e madhe dhe më e fuqishme e eurozonës është Gjermania, që pasohet nga Franca. Ndërsa ekonomitë më problematike gjithnjë dhe veçanërisht tani, janë Greqia, Portugalia, Irlanda, Italia dhe Spanja, një grup që sipas disa analistëve tani që ndodhet në krizë po i shkakton shumë probleme gjithë zonës. Anëtare të tjera janë Austria, Belgjika, Qiproja, Finlanda, Luksemburgu, Malta, Holanda, Sllovakia, Sllovenia, me futjen e fundit atë të Estonisë që u bë pjesë e grupit këtë janar. Suedia nuk i përket eurozonës, por është e detyruar që të anëtarësohet në të ardhmen, sipas kushteve të kontratës. Ata që nuk kualifikohen për të qenë anëtare të këtij grupi, pra përdorues të monedhës euro, nuk e përdorin atë, edhe pse janë anëtare të Bashkimit Europian dhe vende me ekonomi relativisht të zhvilluar. Në vitin 2000, Danimarka e refuzoi adoptimin e euros përmes një referendumi, ndërsa Britania e Madhe ka qëndruar gjithmonë larg kësaj zone dhe opsionit për të qenë dikur anëtare e saj.
Përse Britania e Madhe nuk ka dashur që të jetë anëtare e eurozonës?
Debatet në lidhje me anëtarësimin në eurozonë kanë qenë gjithmonë të ashpra në Britaninë e Madhe. Margaret Theçer, Kryeministrja konservatore nga vitet 1979 deri në vitet 1990, ishte një Kryeministre kundër euros. Konservatorët kanë qenë zakonisht euroseptikë edhe me pasuesin e Theçerit në pushtet, Kryeministri Xhon Mejxhër. Më pas erdhi e Mërkura e Zezë e vitit 1992, dita në të cilën Britania u detyrua që të ndalonte anëtarësimin e saj në institucionin që ishte pararendës i euros: mekanizmin europian në shkëmbim të ///përnidheve. E Mërkura e Zezë u konsiderua si një provë e bashkimit monetar dhe, sipas kësaj prove, monedha europiane ende nuk mund të funksiononte.
Por rezultatet negative të së Mërkurës së Zezë mbahen mend edhe si dita që i dha mundësi Xhorxh Sorosit që të mblidhte plot 1 miliard dollarë e t’i bënte të vetët nga basti që vuri kundër paundit britanik në një spekulim gjigant që do të kujtohet gjatë në histori. Qeveria laburiste e Toni Blerit, e cila e pasoi atë konservative të Mejxhorit, ishte në favor të euros, por vetëm në rast se do të kaloheshin disa teste ekonomike. Këto teste nuk u superuan dhe Britania e Madhe qëndroi jashtë euros. Bler e ripërsëriti mbështetjen e tij ndaj euros në një intervistë që dha për BBC atë vit, por tha se kjo ishte diçka që nuk duhet të ishte detyruese për Britaninë e Madhe. Ndërkohë sondazhet e opinionit publik kanë treguar kundërshti të britanikëve për të qenë pjesë e eurozonës, madje në përqindje shumë të larta deri në 75%.
Sipas shumë analistëve, Britania e Madhe ka pasur gjithmonë një problem në lidhje me të qenët pjesë e Europës dhe këtë e ka treguar në mënyrë të vazhdueshme përmes refuzimit të euros.
Cili ishte problemi me Greqinë?
Ekonomia greke ka qenë problematike dhe jo e fortë që në momentin kur u bë pjesë e euros, për shkak të një tërësie problemesh, duke filluar nga shpenzimet e tepërta e deri te paaftësia për të pasur të ardhura të mjaftueshme. Në vitin 2004 ajo pranoi se pozicioni financiar i vendit ishte më i keq nga ai që kishte raportuar dhe se i kishte shkelur disa parime të zonës euro. Në vitin 2008 qeveria mezi arriti që të kalonte një buxhet “rrip-shtrënguar” që ishte hartuar për të reduktuar borxhin shumë të madh që kishte akumuluar vendi. Ky reduktim i buxhetit u prit me shumë protesta nga grekët. Në vitin 2009, Greqia pranoi se deficiti i saj do të ishte më shumë se 12% i Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka përbënte një përqindje shumë më të lartë nga ajo që ishte vlerësuar në fillim të vitit dhe katër herë më të madhe nga ajo që duhet për të qenë vend anëtar i eurozonës. Më pas vendi u godit nga shumë probleme imazhi, duke bërë që të rriteshin shumë me këtë rast edhe përqindjet e marrjes së financimeve. Pavarësisht futjes së shumë masave shtrënguese, që shkaktuan dhe vazhdojnë të shkaktojnë në vend vala protestash të ashpra – Greqia e ka të pamundur deri tani që të qetësojë tregjet dhe mbi të gjitha të zgjidhë problemin e borxhit të saj, pavarësisht të gjitha përpjekjeve që ka bërë deri më tani. Ka një rrezik që ajo të përjashtohet nga eurozona.
Përse po pëson çarje eurozona?
E vërteta e hidhur mbi Greqinë krijoi panik mes investitorëve, të cilët ndaluan së bleri bono greke. Në maj të vitit 2010, Greqia mori një paketë shpëtimi prej 1190 miliardë eurosh nga BE-ja dhe FMN-ja dhe pas Greqisë një paketë të tillë e mori edhe Irlanda dhe Portugalia.
Çfarë ndodh kur një anëtar i eurozonës falimenton?
Kësaj pyetje nuk mund t’i japë përgjigje kush dhe kjo paqartësi ka shkaktuar një lëkundshmëri të madhe në tregjet e të gjithë botës, duke e ulur shumë çmimin e bonove, si dhe duke çuar si Europën ashtu edhe SHBA-në - që po përballon gjithashtu probleme të mëdha – drejt një recesioni tjetër. Por rikthimi i recesionit këtë herë do të shkaktonte një tërmet më të madh se më parë, me një rritje të ndjeshme të papunësisë, si dhe me ulje të pagave. Një falimentim i Greqisë, ose një largim i saj nga eurozona, mbart me vete edhe një rrezik të infektimit të të gjithë zonës. Politikisht do t’i jepte nisje debatit në lidhje me ëndrrën europiane dhe ekzistencën e euros e madje do të bënte që të lindte pyetja më e rëndë e gjithë kësaj situate: A duhet të ishte krijuar ndonjëherë euroja?