Si vishet nje tragjedi
- Botuar: 15 vite më parë
- Shkruar nga:
"Elektra" e Sofokliut premierë sonte në Teatër Kombëtar. Ja përshtypjet e autorëve dhe aktorëve për vlerat e veprës, punën me rolet dhe përpjekjet e tyre që finalizohen këtë mbrëmje.Blagoj Micevski zbulon si janë veshur Xhuvani, Anagnosti dhe Vasili
Sonte, ora 19.00, në Teatrin Kombëtar shfaqet premierë "Elektra" e Sofokliut, me regji të Adonis Filipit.
Dje, autorët e shfaqjes dhe aktorët pjesëmarrës bënë një prezantim të shkurtër rreth punës së tyre 2 mujore me veprën, skenën, rolet dhe me njëri-tjetrin.
"Jemi përpjekur të përcjellim para publikut një punë serioze", pohoi regjisori Filipi.
Ai vuri në dukje vlerat e tragjedisë, ato morale, estetike dhe filozofike, çfarë e bëjnë "Elektrën" ende të pëlqyeshme për regjisorët dhe për repertorët e teatrove të sotëm. "Ajo nuk është personazh, është fenomen.
Ego që thërret për vlera morale, për një familje të qëndrueshme." Këto janë sipas tij, mesazhet që përcjell tragjedia edhe sot.
Është në dorë të aktorit transmetimi i këtyre kumteve. Këtë detyrë, të interpretimit, e zunë në gojë dy aktore me peshë të "Elektrës", Luiza Xhuvani që e përmblodhi personazhin e saj me fjalët "amplitudë e lartë energjish" dhe Roza Anagnosti që pohoi se "është e rëndësishme për ne të komunikojmë nesër dhe të përcjellim mesazhin".
Mendohet që të jenë brenda këtij koncepti të regjisorit edhe skenografia e Fatbardh Markut, po edhe kostumet e artistit maqedonas Blagoj Micevski.
Micevski mendon se veshjet duhet të jenë praktike për të mos e penguar aktorin në interpretim.
Trupa e "Elektrës" ka pasur në dispozicion edhe një teatrologe që i ka ndihmuar për zbërthimin e personazheve, studiuesen e teatrit antik grek Dimitra Kokinon, që punoi me aktorët që në fillim të provave, në mes të janarit. Po ashtu, edhe koreografen Mariela Nestora, që ndihmoi për lëvizjet skenike.
Është një tragjedi që nuk i është lënë gjë mangut, ngelet vetëm të shijohet rezultati, fillimisht në katër net, më 11, 12, 13, 14 mars, në skenën e madhe të TK-së.
Kostumografi maqedonas, Blagoj Micevski para shfaqjes zbulon pak për veshjen e aktorëve protagonistë, Luiza Xhuvanit, Roza Anagnostit dhe Laert Vasilit. Micevski na thotë se do të kemi një Elektra dhe Klitemnestra gjysmë antike e gjysmë bashkëkohore, dhe një Orest më tepër bashkëkohor. Ai flet edhe për veshjet e korit, rëndësinë që ka në teatrin antik dhe specifikat e kostumeve në tragjedinë "Elektra".
Blagoj Micevski ka kryer studimet në Zagreb për kostum dizajner teatri. Punon kostumograf rezident në Bitola National Theatre, Maqedoni. Nuk është bashkëpunimi i parë që ka në Shqipëri dhe me regjisorin Adonis Filipi. Ai ka bërë kostumet e shfaqjeve "Menaxheria e Qelqtë" Tennessee Ëilliams, "Pushteti" Eduardo Pavlovsky, "Mjeshtri" Eugène Ionesco etj..
Z. Micevski, ç'lloj kostumesh keni dizenjuar për "Elektrën"?
Është i dukshëm frymëzimi nga veshjet antike, por ngadalë udhëtohet drejt veshjeve të ditëve të sotme. Do të shihni edhe veshje të sotme të grave, xhaketa lëkure. Ka një kombinim formash dhe ngjyrash të antikitetit dhe bashkëkohores.
Veshjet e mbretërve i takojnë më shumë antikitetit. Kostumi i Orestit është më i kohës, është një djalë i ri.
Pjesën e parë të shfaqjes, Elektra është një viktimë, ka veshur një fustan të zi dhe një pelerinë. Por në momentin e hakmarrjes, kur egërsohet, ajo ka një fustan të kuq dhe xhaketë lëkure. Janë kërkesa që vijnë nga zhvillimi që merr historia. Është ruajtur forma klasike e fustanit të gjatë deri në fund të këmbëve, elementet antikë, duke ruajtur balancën me dekorin.
Fillimisht kori shihet me pelerina kafe të errëta, më pas aktoret e korit i heqin ato, veshin kostume që i tregojnë më femërore. Ka një gërshetim idesh. Këtë herë jam i kënaqur me materialet që përdora dhe ngjyrat që përshtaten me skenografinë.
Si i keni veshur dy personazhet e tjerë kryesorë?
Veshja e Orestit është më bashkëkohorja. Gjithashtu, ka elementë të veshjeve antike. Pantallona dhe çizmet janë të kohës së sotme. Petku i tij mund të konsiderohet antik, por një element të tillë e gjen edhe në veshjet e burrave në Shqipëri, Maqedoni, nuk i përkasin vetëm traditës greke. Ai ka veshur gjithashtu një bluzë të thjeshtë dhe një xhaketë lëkure.
Nga përvoja ime, mendoj se nuk mund të shpikësh asnjë veshje, vetëm duhet të dish t'i kombinosh ato. Kështu që jam përqendruar më tepër tek kombinimi i ngjyrave, formave tek mesazhi që duhet t'i përcjellin publikut.
Klitemnestra, si edhe Elektra vesh dy kostume. Një fustan të gjatë ngjyrë floriri, dhe pelerinë, që i jep sharmin e një mbretëreshe. Është e rëndësishme të duket qartë kjo, në materialin e ndritshëm të veshjeve, glamurin, bizhuve. Por në momentin që ajo bëhet gati për të vrarë ka një veshje tjetër, fustan dhe një kimono sipër tij, po ashtu të kohës së sotme.
Në tragjedi, kori ka një peshë jo të vogël. Reflektohet edhe në kostume kjo gjë?
Veshjet e korit janë shumë të rëndësishme. Janë 8 aktore që qëndrojnë për një kohë të gjatë në skenë. Duhej gjetur kombinimi i veshjeve të tyre me skenografinë, por edhe me Elektrën. Aktoret e korit janë hije të vogla të Elektrës, të shpirtit të saj.
Ato mbështesin idetë dhe vendimet e saj. Në fillim të shfaqjes kori shihet me veshje kafe të errëta fustane të gjatë, shalle në kokë, një veshje që duket më antike.
Më pas kisha tendencën t'i paraqisja më femërore, të vija në pah bukurinë e tyre, nëpërmjet veshjeve bashkëkohore, të zeza dhe floriri.
Është e vështirë të përgatisësh kostumet për një vepër antikiteti?
Është e vështirë të shfaqësh një vepër të antikitetit. Në kohën kur është shkruar historia, teatri ishte komplet ndryshe, më shumë statik. Teatri i sotëm është më praktik, ka më shumë lëvizje dhe koreografi në të.
Ne flasim për veshjen antike, por nuk i kemi parë, nuk i njohim ato. Duhet të dish të zgjidhësh problemet që të dalin. Mund të shohësh realizime të ndryshme dhe modele të veshjeve, por kombinimi dhe përgatitja e tyre të përket vetëm ty.
Vepra është si një recital, e shkruar për teatro të mëdhenj antikë, ndryshe nga të sotmit, pavarësisht se problemet që ngre dhe mesazhet që përcjell janë aktuale në ditët e sotme.
Keni realizuar gjithçka keni dashur tek "Elektra"?
Unë jam pjesë e kësaj skuadre të madhe. Nuk mund të vendosësh vetëm për preferencat vetjake. Konsultohesh me idetë e regjisorit, të skenografit. Është e rëndësishme kush interpreton në një shfaqje, moshat e tyre. Përpiqesh të gjesh gjuhën e ideve të tua me të tyret.
Shumicën e rasteve, është regjisori ai që merr vendimet. Kam punuar në 5 shfaqje me regjisorin Adonis Filipi. Ai ka parë shumë punë të miat në Maqedoni dhe e ka pëlqyer estetikën time. Na kanë bashkuar shijet e përbashkëta për teatrin. Po ashtu edhe për këtë shfaqje.
Luiza Xhuvani:
Jam pjesë e teatrit dhe nuk do ta lë teatrin. As nuk kam ikur, as nuk do të rikthehem. Jam pjesë e teatrit. Nuk mund ta tradhtoj vetveten. Të braktis teatrin është si të braktis vetveten
Roza Anagnosti
Është e rëndësishme që të komunikojmë dhe të përcjellim mesazhin tek publiku.
Mendoj se do të jetë një shfaqje që do ta nderojë Teatrin Kombëtar dhe do të qëndrojë me dinjitet në repertorin e Teatrit
Jorida Pasku : Gazeta Shekulli