Me nismë të Organizatës Ndërkombëtare për Punën që prej vitit 2003 çdo 28 prill kërkohet në të gjitha vendet një mbrojtje e përmirësuar në punë. Veprimtaritë informuese qëndrojnë sivjet nën moton 'Jeta ime - puna ime e sigurt'. Organizatorët synojnë që deri në vitin 2012 ta ulin në Evropë numrin e aksidenteve në punë dhe të sëmundjeve në sajë të punës me 25 për qind.
E theksoj, në Evropë. Sepse në dallim nga kontinentet e tjera ku jeta e njeriut është më e lirë sesa pajisjet e sigurisë apo parandalimi i aksidenteve në punë, në Evropë jeta e njeriut vlen.
Vetëm në Kinë vitin e kaluar kanë humbur jetën prej aksidenteve në punë 80.000 njerëz. Këto janë shifrat zyrtare, ndërsa në raste të tjera shifrat janë sa një e katërta e atyre që japin grupet e pavarura të punëmarrësve.
Kur në minerat e Kinës zë dheu minatorë, kur në fushat me lule të Afrikës apo të Amerikës Latine helmohen gra, fëmijë dhe burra prej pesticideve, apo kur punëtorët aziatikë të ndërtimit humbin jetën në Katar, Seul ose Xhakartë: Për të gjithë vlen konstatimi, që jeta nuk ka vlerë për bilancet e firmave. Ka plot të tjerë që vënë në rrezik jetën për punën dhe të ardhurat për veten dhe për familjet e tyre.
2,2 milionë njerëz vdesin çdo vit në sajë të punës, thotë Organizata Ndërkombëtare për Punën - qoftë prej aksidenteve, sëmundjeve që lidhen me punën apo prej pasojave afatgjata të punës. Dhe numri rritet, thotë organizata, e cila tërheq njëkohësisht vëmendjen tek fakti që 270 milionë njerët pësojnë çdo vit aksidente në punë, që u kushtojnë tri apo më shumë ditë mungesë nga puna.
Për të prekurit në vendet më të varfra një aksident në punë, qoftë ky me pasojë vdekjen ose jo, kërcënon ekzistencën e gjithë familjes. Kur vdes siguruesi i të ardhurave për familjen, në shumicën e rasteve nuk ka as kompensim dhe as ndihmë. Kur ai sëmuret nuk ka as mbështetje financiare për familjen e as trajtim mjekësor për të prekurin.
Helle Jepessen (DW)