Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon të stërvitet nën masa të rrepta sigurie në Francë. Pak ditë më parë u njoftua se policë të trajnuar nga Shqipëria u dërguan në Francë në kuadër të sigurisë së turneut më të madh të futbollit në Europë.
Fillimisht, ishin autoritetet franceze që i dërguan një ftesë 24 vendeve pjesëmarrëse në Europian për të kontribuuar në sigurinë e turneut.
Kësaj ftese iu përgjigjën të gjitha vendet pjesëmarrëse, përfshirë edhe Shqipërinë. Policia Shqiptare ka trajnuar gjashtë oficerë për ruajtjen e Kombëtares, por aktualisht janë zbuluar vetëm emrat e katër prej tyre: Roven Zeka, Marjo Karafilaj, Armando Mandro dhe Aldo Londo.
Oficerët do të jenë përgjegjës për sigurinë e kuqezinjve në ambientet e hotelit dhe gjatë shoqërimit të tyre për në finalet e Europianit.
Efektivët shqiptare po bashkëpunojnë me homologët e tyre nga Rumania dhe Zvicra, ndërsa forcat francezet kanë rolin parësor pasi vendi i tyre është organizatori i Europianit.
Futbollistët e Kombëtares mbërritën në fillim të kësaj jave në Francë dhe aktualisht ndodhen në fazën e përgatitjeve para sfidës së parë ndaj Zvicrës që do të luhet mesditën e së shtunës.