Sigurine ne jete na e ofron vetem burri

Sigurinë në jetë na e ofron vetëm burri

Sot, më shumë se kurrë, bashkëshortët dhe shokët janë bërë më të rëndësishëm se asnjëherë tjetër. Vetëm pak muaj më parë, pyetjes "se për çfarë na shërbejnë burrat", disa femra i përgjigjeshin duke kthyer sytë nga qielli, që ndryshe përkthehet: "Një Zot e di". Sot burri është një send i çmuar, i cili duhet ruajtur me shumë kujdes. Femrat që i lënë vetëm, do të gjejnë belanë, ose në të kundërt do të jenë mishërimi i asaj që thotë një psikolog i njohur: "Tabuja e fundit? Një grua e vetmuar është më keq se një fëmijë. Çdo mashkull do të dëshironte të arratisej prej saj".

Pra kjo është edhe një nga arsyet që femrat nxijnë nga inati. "Vetëm 8 për qind e tyre i braktisin bashkëshortët pas të 40-ve. Më shumë se gjysma e të intervistuarave thonë se nga mashkulli kërkojnë një gjë të vetme: sigurinë. Si në moshën 27-vjeçare, ashtu edhe në atë 37-vjeçare, femrat kanë gjithmonë nevojë për një shok. Sigurisht do të ishte mirë të zgjidhnin një tip të qeshur, që t‘u bënte gjithnjë shoqëri dhe të jetë një ‘bastun‘ për pleqërinë. Nëse femrat duan perfeksion, zgjedhja më e mirë për to do të ishte një bashkëshort homoseksual, i cili "vdes" për të bërë pazar dhe e adhuron femrën. Në Britaninë e Madhe kjo funksionon për mrekulli, por në disa vende të tjera të Europës ka ende paragjykime", thotë psikologu.

Diçka është e qartë: femrat nuk kërkojnë më mashkullin e duhur, "princin e kaltër", por atë që është pjesërisht i duhuri. "Femra duhet të dijë të kënaqet. Nëse dëshironi një bashkëshort të pasur, të zgjuar, i cili di të kërcejë tango dhe është shumë pasionant në shtrat, të jeni të sigurta se nuk ekziston", thotë një profesoreshë amerikane. Në këtë pikë edhe psikologu është dakord: "Nëse nuk dëshironi që të mbeteni vetëm, zgjidhni një shok që qëndron më poshtë jush, të paktën në një drejtim. Mund të ndiqni shembullin e Hilari Klinton, e cila nuk u nda nga Billi".

Në fund të fundit, meshkujt duhen edukuar. Në një libër të publikuar kohët e fundit, profesoresha amerikane shpjegon se si shokët tanë mund t‘i trajtojmë në një mënyrë më të thjeshtë. Ky libër ka qenë një sukses i vërtetë, madje mbi këtë temë do të prodhohet edhe një film, nga i cili femrat mund të nxjerrin shumë mësime: "Injorojini sjelljet negative të mashkullit: për shembull kur ju po lani pjatat dhe ai kërkon si i çmendur çelësat e makinës, mos i thoni ‘Zemër, do të dalin vetë‘; mos i ofroni ndihmë, por vazhdoni punën tuaj që keni në dorë", shkruan profesoresha. Kur një burrë kujdeset për gruan, veten dhe punët e shtëpisë, atëherë ai duhet admiruar dhe komplimentuar.

Duket një rrugë e gjatë, e vështirë dhe aspak romantike, por është gjithmonë e udhës që femra më mirë të bëhet një administruese e mirëfilltë e bashkëshortit, se sa në moshën 35-vjeçare të jetë e vetme, e veshur kokë e këmbë me të zeza, me një cigare në dorë, me barkun bosh dhe që orët e mbrëmjes i kalon me tri mikeshat e saj beqare në të njëjtin bar. Këtë fakt të rinjtë e kanë kuptuar dhe martohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

"Faktikisht martesa është një zgjedhje e vetëdijshme, pikënisja e një historie të re. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe gjithashtu vlerat e saj janë venitur paksa", pohon një 24-vjeçare, e cila pas pak ditësh do të vërë kurorë me njeriun që dashuron.

"Mendoj se është një kthim në origjinë, njësoj sikur brezi im dëshiron t‘i harrojë vitet ‘70. Fëmijët e prindërve të divorcuar dhe të rimartuar e marrin shumë seriozisht martesën. Unë besoj në të dhe më saktësisht dua t‘i jap emrin e duhur një marrëdhënieje bashkëjetese, që faktikisht mban emrin martesë. Moshat që e preferojnë më shumë martesën janë nga 25 deri në 35 vjeç. Në dhjetë vitet e fundit martesat janë ulur rreth 8 për qind, edhe pse 62 për qind nuk arrijnë në vitin e tretë. Shumë të tjerë e shohin si një master, një eksperiencë më shumë për t‘u shtuar në kurrikulum", shkruan një shkrimtare 33-vjeçare, që pas një bashkëjetese të gjatë ka vendosur të martohet.

"Një burrë i nevojitet çdo gruaje. Më parë do të hiqja dorë nga karriera, se sa nga martesa. Femrat mendojnë se mund t‘ia dalin mbanë vetë, të jenë të pavarura, por unë mendoj se është shumë e gabuar. Gjithmonë problemet mund të përballohen më me lehtësi kur çifti është i bashkuar", pohon një drejtuese televizioni.

Sipas profesoreshës, zgjidhja për të gjetur shpirtin binjak është një e vetme, madje shumë "borgjeze dhe konservatore": "Duhet t‘u kthehemi martesave me shkuesi, ato që kanë dominuar prej shekujsh, kur prindërit zgjidhnin një person të së njëjtës shtresë shoqërore, me të njëjtat shije, të njëjtin shkollim dhe edukim. Po në qoftë se nuk e dashuron? Dalëngadalë do të mësohesh ta duash.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama