Qëllimi i Sislejt është që t'i verë shikuesit përpara një lloj përgjegjësie morale në marrëdhënie me karakterin e Berluskonit." Ekspozimi i radhës, Italia
I pyetur si shkoi dita e parë e prezantimit të ekspozitës së Sislej Xhafës në Goteborg dhe në veçanti e "Silvios", kuratori Edi Muka i përmbajtur, le të kuptojë se gjithçka ka shkuar mirë: "Vizitorët qëndrojnë gjatë tek vepra, afrohen, e prekin, largohen sërish, pothuajse të gjithë bëjnë foto, pastaj shohin pjesën tjetër të ekspozitës dhe rikthehen para se të largohen, për ta parë si të thuash, dhe njëherë punën e çuditshme dhe provokuese të Sislejt."
Po ç'është kjo vepër që shfaqet madhështore në kryeqytetin suedez për burrin që është bërë objekt sehiri si në një teatër përtej spektatorit italian? Drejt çfarë kuptimi shkon Sislej Xhafa, ky artist që kohë pas kohë i shpraz energjitë krijuese, ironinë dhe "humorin e errët" siç e quan
Muka, në stereotipe, personazhe dhe fenomene të mjedisit italian ku emigroi në krye të herës?
Çfarë marrëdhënie do donte që të krijonte me njerëzit vepra e tij gjigante? Për realizimin e saj është përdorur 1 ton e gjysmë polistirol, gati 400 kg rërë, dhe rreth 50 litra bojë.
Muka u jep përgjigje këtyre pyetjeve duke cituar filozofin slloven Slavoj Žižek, mendimi filozofik i të cilit frymëzoi kuratorin për të temën "Eficenca simbolike e kornizës" e Bienales së fundit të Tiranës.
Muka citon një fragment nga "Berlusconi në Teheran" i Žižek-ut: "Berluskoni është një model domethënës, dhe Italia një laborator eksperimenti ku përpunohet e ardhmja jonë. Nëse zgjedhja jonë politike ndodhet në mes teknokracisë së butë liberale dhe populizmit fundamentalist, arritja më e madhe e Berluskonit ka qenë pajtimi i këtyre të dyjave, materializimi i tyre në të njëjtën kohë [...].
Basti që fshihet pas vulgariteteve të Berluskonit është nëse njerëzit do të identifikohen me të si mishërim i imazhit mitik të italianit të mesëm: Unë jam një prej jush, çik i korruptuar, në telash me ligjin, në telash me gruan time sepse më gozhdojnë gratë e botës [...]. Sidoqoftë s'mund të jemi kaq të mashtruar: përtej maskës së klounit është pushtetit i shtetit që funksionon me efikasitet të pamëshirshëm.
Ndoshta duke qeshur me Berluskonin, ne po luajmë tashmë lojën e tij. Një administratë teknokratike ekonomike e bashkuar me fasadën e vrazhdë, megjithatë, nuk mjafton: nevojitet diçka më shumë. Kjo diçka është frika, dhe këtu hyn dragoi dykrerësh i Berluskonit: emigrantët dhe "komunistët" (emri i përgjithshëm i Berluskonit për këdo që e sulmon, përfshi Economist-in)."
Nga Goteborgu ku Xhafa ekspozon për herë të parë, Edi Muka dha një intervistë të shkurtër për këtë ngjarje jo thjesht e artit pamor.
Intervista
Si u prit ekspozita e Sislejt dhe simboli i saj vepra "Silvio"?
Vepra është e një përmase fizike dhe dimension mendimi të tillë që gjithkush që ka mundur ta ndjekë përmes televizionit apo gazetës, tërhiqet për të ardhur dhe për ta parë.
Dhe në momentin e hyrjes në sallën e madhe të Roda Sten-it ku qëndron "Silvio", gjithkush shtanget nga pamja e skulpturës dhe nga përmasat e saj gjigante që të bëjnë të ndihesh i vockël, duke përcjellë kështu qëllimin e Sislejt për t'i vënë shikuesit përpara një lloj përgjegjësie morale në marrëdhënie me karakterin e Berluskonit.
Vizitorët qëndrojnë gjatë tek vepra, afrohen, e prekin, largohen sërish, pothuajse të gjithë bëjnë foto, pastaj shohin pjesën tjetër të ekspozitës dhe rikthehen sërish para se të largohen, për ta parë si të thuash dhe njëherë punën e çuditshme dhe provokuese të Sislejt.
Disa të dhëna teknike për veprën, ku dhe në çfarë kushtesh është realizuar.
"Silvio" është realizuar në polistirol dhe rërë. Ideja ishte që të krijohet një imazh prej "perëndie" i Berluskonit për të provokuar reagimin e vizitorëve, por në të njëjtën kohë duke e paraqitur atë si një "zot" prej rëre, një lloj sfinksi i paqendrueshëm, me material lehtësisht të korruptueshëm e të paqendrueshëm.
Zgjedhja e këtyre materialeve ka të bëjë edhe me kërkesën e Sislejt për ta konfrontuar Berluskonin e vërtetë me humorin e "errët" që karakterizon punët e Sislejt, duke patur parasysh se Berluskoni vetë ka marrë përsipër rolin e një kllouni, duke e bërë të vështirë krijimin e një qëndrimi kritik ndaj tij.
Për realizimin e veprës është punuar pa ndërprerje që nga data 15 Dhjetor 2009. Është përdorur 1 ton e gjysmë polistirol me ngjeshje shumë të fortë, që të mund të pritet me sharrë me korent, e të skulpturohet me gur smeril, si dhe gati 400 kg rërë, dhe rreth 50 litra bojë.
Realizimi u krye nga një grup pune i udhëhequr nga skulptori Emilio Sheikhan, dhe si zakonisht në veprat e këtyre përmasave, zgjati deri në minutat e fundit përpara hapjes së ekspozitës. Pas mbarimit të ekspozitës në "Roda Sten" në fund të muajit prill, "SILVIO" do të çmontohet dhe do të shkojë në destinacionin e tij të ardhshëm, që ka shumë të ngjarë të jetë Italia.
Përse instalacionet e Xhafës që merren me stereotipet paraqiten në trajta mbinatyreale?
Jo gjithmonë ato janë me përmasa mbinatyrale.
Shpesh here ato janë me përmasa reale (si në rastin e skulpturës "GIUSEPPE"), apo ndoshta dhe minimale (si në rastin e triptikut "If You See Something, Say Something". Por shpesh ato marrin përmasa gjigante. Në këtë rast, vetë Sislej shprehet se nuk mund ta imagjinonte ndryshe një punë të tijën në lidhje me Berluskonin.
Por nga ana tjetër është edhe domosdoshmëria e krijimit të një marrëdhënieje me hapësirën e ekspozimit (tek Roda Sten) e cila si të thuash të jep mundësinë e realizimit të një vepre të këtyre përmasave. Kjo nuk do të thotë se të gjitha produksionet e Roda Sten do të jenë gjigante. Përkundrazi, edhe ndërhyrjet e vogla e minimale në një hapësirë gjigante mund të kenë të njëjtin efekt që kanë veprat e mëdha.
Sidoqoftë, një faktor tjetër në këtë mes ishte ironia me të cilën Sislej ju qas subjektit dhe përpjekja për ta sfiduar ndërgjegjen e shikuesit apo për ta "përulur" shikuesin përpara "SILVIOS", në mënyrë që të gjenerojë reagimin e kundërt, atë të gërdisë e mospranimit të këtij nënshtrimi.
Italia dhe mjedisi politik social ekonomik janë në fokus të disa punëve të Xhafës, kujtojmë "Sistemin Ceremonial të Vajit" ekspozuar në Bienalen e Venecias para disa vitesh, apo "Kokeqethurit" në La Fontana di Trevi.
Një pjesë e mirë e veprës së Xhafës është realizuar gjatë qëndrimit të tij në Itali. Gjatë këtyre vite ai ka qenë vazhdimisht i ekspozuar dhe në kundërvënie me ksenofobinë dhe përplasjet e shumë kulturave në këtë vend të rëndësishëm të demokracisë evropiane perëndimore. Ai vendosi që këto gjendje t'i kthejë në subjekte të veprave të tij madje të përftojë prej tyre dhe metodën e tij të punës.
Shumë nga punët e Xhafës janë përpunuar me një humor të zi dhe një mprehtësi akute. Ato kanë të bëjë me mënyrat se si janë ndërtuar stereotipet e "tjetrit" - kryesisht emigrantë legalë ose jo - dhe që janë përdorur si koka turku në retorikën e ngrehinës së pushtetit.
Për shembull tek BENVENUTO (Mirëserdhe, 2000), Xhafa bën një ndërhyrje të madhe artistike në kodrat e Toskanës, duke shkruar fjalën që shpreh mikpritje, kur në fakt ajo është fjala e fundit që ka të ngjarë ta përdorë një shoqëri nën kontrollin e frikës.
Tek Giusepe (2003), një skulpturë e Giusepe Garibaldit, babai i kombit italian, është skicuar një burrë i plakur dhe i trishtuar, që kërkon kalin e tij të famshëm mbi të cilin kishte kalëruar për bashkimin e vendit. Dikush ja ka grabitur, bashkë me një pjesë të historisë së Italisë.
Çfarë domethënie ka "numri i puthjeve" 2 705, titull i ekspozitës?
Ka domethënie shumë të veçantë. 2 705 baci...është huazuar dhe i referohet këngës së Adriano Çelentanos Ventiquattromilla baci. Xhafa i ka zëvendësuar njëzet e katër mijë puthjet dashurore me numrin dy mijë e shtatëqind e pesë, që i korrespondon numrit të ditëve në pushtet të Berluskonit që prej ditës së tij të parë e deri në ditën e hapjes së ekspozitës më 6 shkurt, 2010.
Në njoftimin për shtyp theksohej se ekspozita është porositur nga Röda Sten. Na thuaj diçka për këtë përvojë konkrete të artistit pamor me mecenatin aty ku ti po jeton.
Roda Sten është një kunsthalle (Hall i artit) e pavarur në Goteborg, dhe që nga muaji nëntor unë jam kurator i saj. E veçanta e Roda Sten është se nuk është një hapësirë konvencionale galerie, me mure të bardha etj., por është një hapësirë shumë e ashpër, ish-stacion elektrik.
Pra hapësira është shumë kërkuese, dhe nën këtë aspekt, politika ime (që i propozova kësaj galerie) është që Roda Sten të përqendrohet në prodhimin e punëve të posaçme, të cilat krijohen në marrëdhënie të ngushtë me këtë hapësirë. Sislej është i pari në radhë, por gjatë këtij viti do të kemi edhe dy artistë të tjerë që do prodhojnë punë të posaçme.
Elsa Demo
Nga : Gazeta Shekulli