Bukuroshja Kështjalla Pepshi, e shpallur si Miss Kosova, ka pozuar në kategorinë e veshjeve kombëtare në Mandalay Bay Resort and Casino në Las Vegas, me përkrenaren e Skënderbeut dhe skeptër. Elementët e forta kombëtare kanë qenë jo vetëm pjesë e rregullave, për të gjitha vajzat konkurruese, pasi për Miss Kosovën, veshja ishte një mënyrë ideale për të promovuar vlerat dhe historinë e Kosovës. Ndërkaq, vajza shqiptare, Anxhela Martini, është shfaqur me një veshje të Victoria’s Secret me shqiponjën dykrenare.
Por nuk ka mjaftuar kaq, pasi dy ditë më pas vajza shqiptare dhe një tjetër nga Irlanda janë bërë shkak për polemika. Kanë qenë fotot e tyre që janë bërë objekt debati, pasi të dyja vajzat shfaqen topless dhe të mbuluara vetëm me bojë. Kritikat kanë goditur direkt fotografin Fadil Berisha, i cili, sipas ABC-së, ka sjellë elemente nudizmi, duke anashkaluar bukurinë dhe zgjuarsinë e vajzave. Ndërkohë, organizatorët e Miss Universe kanë reaguar duke theksuar se fotot e realizuara janë “të përsosura” dhe tregojnë dimensionet e secilës vajzë konkrete. Evenimenti më i madh i bukurisë botërore pritet të mbahet më 23 gusht, ku pritet të kurorëzohet edhe vajza më e bukur e universit, ku dy prej konkurrenteve janë shqiptare.