Një variant parashikon sfondin blu me hartën e Kosovës, ndërsa dy variantet e tjera mbizotërojnë e kuqja dhe e zeza, mes tyre edhe e bardha. Komisioni i përbërë nga një grup intelektualësh dhe përfaqësues të partive politike ka punuar deri në mbrëmje për të përcaktuar tri variantet që do t‘i shkojnë për miratim Kuvendit të Kosovës. Hajredin Kuqi, zv.kryeministër thotë se simbolet do të miratohen pas shpalljes së pavarësisë. Sipas zv/kryeministrit Kuqi, është logjikë normale që shteti i bën simbolet dhe jo simbolet përbëjnë shtetit. Flamuri dhe stema e Kosovës do të kenë edhe konsensusin e serbëve, të cilët janë pjesë e komisionit përzgjedhës. 1700 flamuj dhe stema janë shqyrtuar pas përzgjedhjes së parë që është bërë para disa muajsh. Në konkurs morën pjesë shqiptarë, shtetas të huaj, por edhe disa serbë. Kriteret e konkursit u përcaktuan në bazë të pakos së Ahtisarit.
Pavarësia
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha dje se pavarësia e Kosovës është akt që duhet të ndodhë, sepse është vullnet politik i shumicës së shqiptarëve të Kosovës dhe e mbështetur nga "të tjerët dhe fuqitë e mëdha". Këto komente, Presidenti Sejdiu i bëri pas një takimi që pati me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me të cilin bisedoi për rrjedhat aktuale të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Presidenti Sejdiu ndryshe nga të tjerët nuk ka përmendur muaj apo data se kur do të shpallet pavarësia e Kosovës, por ka thënë "se kjo do të ndodhë shumë shpejt".
"Ne e themi e kemi një punë të përbashkët të një kornize të përafërt që e kemi të ditur, e kemi bërë projektin e saj të përgjithshëm dhe natyrisht do të marrim edhe një vendim të institucioneve të Kosovës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Unë them se do të jetë shumë i shpejt (shpallja e pavarësisë). Koncepti ynë për dinamikën nuk ka ndryshuar", theksoi Sejdiu. Kurse, Kryeministri Thaçi, duke përforcuar Presidentin theksoi dje se Kosova tashmë ka përgatitur Kushtetutën dhe simbolet dhe që nga sot definitivisht është gati me të gjitha kapacitetet e veta për shpallje dhe fillim të punës së mbarë në implementimin e procesit të pavarësisë si vend demokratik i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Duke i komentuar zgjedhjet e djeshme në Serbi, Kryeministri i Kosovës tha se ato nuk kanë pasur ndikim në zhvillimet në Kosovë.
"Është lajm i mirë që populli serb ka vendosur që të shikojë për të ardhmen e vet dhe të mos jetë në të kaluarën, prandaj pres bashkëpunim në të ardhmen si dy vende të pavarura", theksoi Thaçi. Kryeministri Thaçi tha se komisioni për përzgjedhjen e simboleve shtetërore do të përfundojë punën sot pas dite, i cili i ka përzgjedhur 5 propozimet e fundit më të mira të flamurit të Kosovës. Ndërkaq, ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, deklaroi se vizita e tij në Prishtinë "kishte për qëllim kontaktet me autoritetet e Kosovës dhe bashkërendimin e mëtejshëm të të gjithë veprimtarisë së Tiranës dhe Prishtinës, sigurisht në sinergji të plotë me Uashingtonin dhe Brukselin". Basha sqaroi se ka pasur mesazhe të Kryeministrit Sali Berisha për Kryeministrin Thaçi, Presidentin Sejdiu dhe Kryetarin e Kuvendit, Jakupi. "Shkëmbyem informacionet e fundit mbi takimet e bëra nga të dy qeveritë dhe përfaqësuesit e tyre ku vura re një shkallë të lartë gatishmërie nga autoritetet e Kosovës. Tashmë kanë përfunduar ose janë në përfundim përgatitjet e nevojshme për shpalljen e Pavarësisë".
Marre nga : Gazeta Shqip