Kjo ka qenë arsyeja, sipas kryetarit të jurisë, Alban Hajdinaj, që juria ka vlerësuar dje me çmimin më të rëndësishëm kombëtar të artit figurativ veprën titulluar “Rritësja” dhe një tjetër pa titull të artistes Alketa Ramaj. Vepra fituese titulluar “Rritësja” paraqiste një dru mbështetës për të mbajtur drejt një bimë, duke e shndërruar atë në një vepër arti. Fituesja e çmimit nuk ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që u zhvillua dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, për të folur për konceptin e veprës së saj.
Kryetari i jurisë, Alban Hajdinaj, u shpreh gjithashtu se juria nuk e ka pasur aspak të lehtë të vijë tek emri i fitueses, pasi nuk kishte diferenca mes artistëve. Alketa Ramaj ka marrë pjesë në disa ekspozita fotografike në Gjermani. Ekspozita “Ndoshta të ëndërrosh” u kurua nga artisti italian Daniele Capra. Juria e përbërë gjithashtu nga anëtarët Tomas Logoreci dhe Genti Gjikola, nuk kanë dhënë çmime të dyta apo të treta, pasi të gjithë artistët e tjerë pjesëmarrës, sipas tyre, ishin pothuaj në të njëjtin nivel. Për këtë çmim Alketa Ramaj merr dhe një çek prej 300 mijë lekësh (të reja).
Në ekspozitën “Onufri 2012”, me titull “Ndoshta të ëndërrosh”, morën pjesë Luçian Bedeni, Yllka Gjollesha, Genti Korini, Mariana Kostandini, Remijon Pronja, Violana Murataj dhe Arjan Shehaj. Titulli i ekspozitës përfaqësonte, sipas kuratorit Capra, gjendjen midis ëndrrës dhe imagjinatës në pikturë, instalacion, video dhe fotografi. “To be or not to be”, ishte një nga vargjet që përshkoi këtë ekspozitë. Koncepti është përzgjedhur nga monologu i famshëm i Hamletit të Shekspirit. Kuratori Capra zgjodhi pikërisht këto vargje, pasi, sipas tij, kishte një ngjashmëri të madhe mes Hamletit të turbulluar e të gjendur në situata të vështira personale, por që pavarësisht kësaj ai mundi të filozofonte mbi botën dhe enigmat e saj. E sipas Capra-s me punët e tyre artistët shqiptarë sfidojnë realitetin aspak të lehtë për ta dhe arrijnë të propozojnë zgjidhje personale.
“Ëndrrat dhe imagjinata janë pjesë e rëndësishme e të kuptuarit të realitetit me të cilin jeton”- tha Capra. Këtë vit pjesëmarrësit janë prezantuar disa punë. Ka qenë kjo një zgjedhje e vetë kuratorit Capra sipas të cilit kjo e ndihmoi më shumë publikun të kuptonte procesin krijues të artistëve pjesëmarrës. Ndër punët e prezantuara në edicionin e 19-të të konkursit “Onufri” artistët u përfaqësuan me piktura, videoprojeksione dhe fotografi. Veprat përcollën te publiku atë dyzim midis shqetësimeve dhe problemeve të përditshme dhe botës së ëndrrës, ku njeriu fluturon i lirë drejt dëshirave të tij. Edhe ambjenti, gjysmë i ndricuar i sallës, u krijua për të dhënë imazhin e një gjendjeje gjysmë ëndërrimtare.