Por ndërsa gjithçka të lë të mendosh se ndodhesh përpara një ishemie, analizat e koronareve tregojnë se gjaku ndër deje rrjedh pa asnjë problem dhe se problemi i vërtetë në këtë rast është gjetkë. Mjekimet që zakonisht përdoren në rastin e infarkteve nuk funksionojnë. Më pas kur gjendja qetësohet, mjekët mësojnë se tre në katër pacientë në një rast të tillë kanë qenë të përfshirë në situata të rënda emotive, kanë kaluar goditje zemre, në kuptimin sentimental që i kanë shkaktuar simptoma shumë të rënda.
Në raste të tilla mjafton një ose dy ditë që zemra të fillojë të rrahë si më parë, pa problemin më të vogël. Sipas mjekëve, sindroma e “zemrës së copëtuar” është një sindromë që “po këmbëngul” të njihet botërisht. Të paktën kështu është thënë në kongresin e fundit të kardiologjisë botërore, të mbajtur pak ditë më parë. Kjo sindromë, në një artikull të “Wall Street Journal”, përshkruhet si një infarkt i vërtetë në të gjitha kuptimet, që shkaktohet nga një emocion i fuqishëm dhe i beftë, të cilin organizmi nuk ka fuqi për ta përballuar. Në këtë rast, goditja shkaktohet nga një emocion dhe jo nga një arterie që nuk funksionon. Japonezët, të cilët ishin të parët që shkruan për këtë sindromë në vitin 1991, e njohën atë duke i vënë emrin me të cilën njihet sot, “sindroma e zemrës së thyer”.
Elektrokardiograma e zemrës në një situatë të tillë të rënduar është shumë e çrregullt, sepse zemra nuk arrin dot që të kryejë pulsimin e zakonshëm me gjak. Ndërkaq presioni bie dhe si pasojë, furnizimi i enëve të gjakut me oksigjen nuk arrin që të kryhet. Sigurisht që është për t’u shqetësuar edhe pse bëhet fjalë për diçka kalimtare dhe jo tërësisht fiziologjike. E megjithatë, në 98% të rasteve, kjo sindromë kalon vetiu ose thuajse vetiu. Pas disa ditësh, ikën si të mos kishte qenë kurrë më parë përmes rrugëve misterioze në të cilat u shfaq. Fakti që 9 në 10 viktimat e një sindrome të tillë janë gratë, i ka vënë mjekët në kërkim e në punë për të zbuluar të fshehtat e sistemit simpatik dhe ndryshimit të funksionimit të tij mes meshkujve dhe femrave. Por ndërkohë ka edhe raste të meshkujve që kanë probleme të mëdha emotive dhe i shprehin ato përmes goditjeve të tilla të befta që i shkaktojnë simptoma të rënda.
Bëhet fjalë për gra dhe burra që nuk mund të durojnë lajmin e hidhur të vdekjes së ndonjë të afërmi, divorcin, përjashtimin nga puna. Në të gjithë rastet e mësipërme, dyshohet që sistemi simpatik pas goditjes, nis që të prodhojë një sasi jashtëzakonisht të madhe adrenaline që “mbyt” zemrën, duke çuar në bllokim të plotë të funksioneve kryesore të saj, atij të pulsimit dhe qarkullimit të gjakut në organizëm si dhe pasurimit të tij në mushkri me oksigjen. Ndryshe nga sulmi i shkaktuar nga paniku dhe frika, që zakonisht godet vajzat, viktimat e zakonshme të sindromës janë gratë në moshë më të madhe, zakonisht mbi të 30-at. Madje një pjesë e madhe e tyre janë gra që e kanë kaluar menopauzën. Madje në shumicë, gra të tilla në të shkuarën mund të mos kenë pasur fare probleme me shqetësimet e zemrës dhe emocionet, por që befas e krejt rastësisht e kuptojnë që ndjeshmëria e madhe, apo goditja emocionale u ka dëmtuar përkohësisht qarkun e funksionimit të zemrës.
Ndërkohë nuk ka shpjegime shumë të qarta në lidhje me numrin e madh “të viktimave”, që kanë një moshë të tillë, pra të grave mbi të 50-at. Për sa i takon japonezëve, ata orientohen për një numër të vogël rastesh, ndërkohë që të tjerave nuk u japin shumë shpjegim. Sipas një studimi të botuar në një revistë të specializuar shkencore, një bum i vërtetë i goditjeve të tilla të zemrës është vënë re në Japoni, pas tërmetit masiv të vitit 2004 në Niigata ku humbën jetën shumë veta. Humbje të tilla të befta janë ndër shkaqet kryesore të këtyre simptomave dhe në spitalet e të gjithë vendit u dyndën një masë e madhe, kryesisht gra, që kishin nevojë për asistencë të menjëhershme. Kjo simptomë vazhdon që t’i fusë mjekët në mendime, duke u shndërruar në një enigmë dhe mister të vërtetë shkencor, zbulimit të të cilit i janë kushtuar shumë studime. Për më tepër, në raste të tilla, nuk vlejnë ilaçet që tradicionalisht vlejnë për zemrën dhe e vetmja gjë që deri më tani u rekomandojmë pacientëve është që të qetësohen shpirtërisht dhe t’i shmangin shqetësimet.