Sinanaj prokuroreve Ju coj per peshk!

Sinanaj, prokuroreve: Ju coj per peshk!

Vrasësi me pagesë, që ka fituar statusin e të penduarit, ka akuzuar drejtësinë se nuk ka arrestuar të gjithë ata që ka akuzuar, madje edhe vrasësit e gjyqtarit Konomi. Ai akuzoi prokurorët se bënë pushime luksi me paratë e kriminelëve

Vrasësi i penduar i bandës së tritolit ka shpërthyer me akuza të rënda ndaj sistemit të drejtësisë, kryesisht ndaj prokurorëve, për të cilët tha se kanë bërë pushime luksi me paratë e kriminelëve. Julian Sinanaj akuzoi dje në sallën e gjyqit, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dy prokurorët e çështjes, Behar Dibra dhe Besnik Muçi, se do i çonte për peshk! Ai tha se njërin e ka çuar për gjah, duke iu referuar prokurorit Ardian Nezha, që e hetoi në fillim këtë çështje dhe disa muaj më parë u transferua në Peshkopi.

Sulmon prokurorinë


Sinanaj ka sulmuar ashpër organin e akuzës, duke kërkuar llogari se përse nuk arrestohen personat e përfshirë në krime të ndryshme dhe të denoncuar prej tij. Ai ka përmendur emrin e Eduard L. Seanca e djeshme është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa burime nga gjykata thanë për gazetën “Shqip”, se vrasësi ka thënë se “nëse ju nuk arrestoni ata që kam denoncuar, kjo tregon se ju nuk doni të zbardhni vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi”.


Me këtë frazë, Sinanaj iu drejtua pikërisht dy prokurorëve që ndodheshin në sallë, Dibra dhe Muçi, ndërsa më pas i shantazhoi duke i pohuar se njërin nga prokurorët e kësaj dosjeje e kishte dërguar për gjah (e kishte transferuar), ndërsa tashmë këta të dy me dëshminë e tij do i dërgojë për peshk. Mësohet se tonet e Sinanajt kanë qenë të larta, teksa akuzoi përfaqësuesit e organit të akuzës se kanë kaluar pushime luksoze në bregdetin e jugut të Shqipërisë me paratë e kriminelëve që nuk arrestohen.


Edhe në seancat e para, Sinanaj ka akuzuar prokurorinë se nuk ka zbardhur siç duhet krimet e treguara prej tij, ndërsa procesi gjyqësor po zvarritet, për shkak të mosbashkëpunimit të Sinanajt. Madje, seanca e djeshme ishte e 34-a dhe gjatë kësaj kohe, Gjykata e Krimeve të Rënda ka preferuar që procesin ta zhvillojë me dyer të mbyllura, për opinionin publik.

“Më kërcënohet familja”


Në seancën e djeshme, vrasësi i ka thënë gjyqtares Flora Hajredinaj, që drejton këtë proces, se ai do të heshtë përgjithmonë nëse nuk arrestohen personat e denoncuar prej tij, e veçanërisht Genis Mëhillaj. Sinanaj tha se Genisi po i kërcënon familjen, megjithëse është në arrati. Po në seancën e djeshme, Sinanaj ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk ishte ai autori i vendosjes së tritolit në makinën e Besnik Dervishit dhe në banesën e Ardian Kollozit. Sipas tij, ai ka mashtruar prokurorinë, ndërkohë që ka vijuar me deklarata se nëse nuk arrestoheshin Eduard L. dhe disa persona të tjerë që ai ka përmendur në dëshmi, nuk do të flasë.


Ndërkohë në dëshminë që Sinanaj ka dhënë në prokurori, ka rrëfyer se vetëm për ndërtimin e bombës me telekomandë që do të shpërthente makinën e Besnik Dervishit, ish-prefektit të Vlorës, ishte paguar me 20 mijë euro. Julian Sinanaj ka nisur të flasë për prokurorët, pasi u sigurua se do të marrë statusin e të penduarit dhe se e gjithë familja do t’i merrej në mbrojtje. Sipas tij, porosia për atentatin ndaj prefektit i kishte ardhur nga Marjon Mitro. Po dje, gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën e bërë nga avokatët e të pandehurve të tjerë në këtë proces për një ekspertizë psikike të Julian Sinanajt.


Banda e tritolit, e cila u prangos një vit më parë nën akuzë për një sërë vrasjesh mafioze, vendosje tritoli dhe kërcënimi, përbëhet nga Julian Sinanj, Ndriçim Gjokonaj, Andon Mëhillaj, Genis Mëhillaj ky ende i paarrestuar, Marjon Mitro, Albin Mexhaj, si dhe biznesmeni Ilir Karçini.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama