Sinanaj refuzon ballafaqimin me Mitron dhe Karcinin

Sinanaj refuzon ballafaqimin me Mitron dhe Karcinin

Julian Sinanaj, i dyshuar nga prokuroria si vrasës me pagesë, nuk ka pranuar të përballet me asnjë prej personave që ka akuzuar si ndërmjetës apo porositës të krimeve të kryera prej tij. Të gjithë të arrestuarit pas dëshmisë së Sinanajt kanë refuzuar përfshirjen e tyre në këto ngjarje, madje duke kërkuar ballafaqim me atë që tashmë konsiderohet si i penduari i bandës së tritolit. Por një veprim i tillë nuk është kryer ende nga prokuroria, edhe pse parashikohet në ligj si veprim hetimor në rast se evidentohen dëshmi të ndryshme mes personave të përfshirë në këto ngjarje. Sipas burimeve mësohet se avokatët e të arrestuarve si ndërmjetës apo porositës të vrasjeve me pagesë dhe krimeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga Julian Sinanaj, i kanë kërkuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda të ballafaqojnë të mbrojturit prej tyre me të penduarin Sinanaj.

 

Kjo pasi, të arrestuarit mohojnë në mënyrë kategorike të kenë lidhje me ngjarjet për të cilat ata janë arrestuar. Dy të dyshuarit, Ilir Karçini dhe Marjon Mitro, tashmë të paraburgosur, kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj thënieve të Sinanajt edhe pas marrjes në pyetje nga grupi hetimor. Përveç qëndrimeve mohuese gjatë seancës së masës së sigurimit, të arrestuarit nuk kanë pranuar asnjë element të dëshmisë së Sinanajt, që i përfshin ata në të paktën dy ngjarje të rënda, siç ishte vendosja e tritolit në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, apo porositja e vrasjes së biznesmenit Pirro Bare. Askush prej avokatëve mbrojtës nuk pranoi të japë detaje rreth kërkesës për ballafaqimin me Sinanajn, por burime të prokurorisë thanë se çdo kërkesë e avokatëve mbrojtës do të merret në konsideratë.

“Nëse ka një kërkesë apo pretendim të tillë nga avokatët e të arrestuarve, ajo do të trajtohet në momentin e duhur nga ana e prokurorisë”, – tha një burim i prokurorisë. Të njëjtën kërkesë për ballafaqim me Sinanajn pritet ta bëjë edhe avokati i të arrestuarit Andon Mëhillaj, i cili nuk është marrë ende në pyetje nga prokuroria. Shtyrja e seancës së pyetjeve është bërë për shkak të gjendjes së paqëndrueshme të Mëhillajt, i cili u vetëdorëzua në polici 15 ditë pas ishte shpallur në kërkim si një nga ndërmjetësit e vrasjeve me pagesë. Duke qenë se çështja është ende në fazën fillestare të hetimit, organi i akuzës pritet të kryejë edhe një sërë verifikimesh mbi dëshminë e Sinanajt. Sipas burimeve të prokurorisë mësohet se verifikimet do të përfshijnë edhe çështje të tjera të përmendura në dëshminë e Sinanajt që tashmë konsiderohet si i penduar, por edhe ato krime për të cilat gjykata ka vendosur arrestimin e të dyshuarve.

 

Në këto kushte, kur Sinanaj ka përfituar statusin e të penduarit, prokuroria thotë se askush nuk mund të marrë kontakte me të, aq më pak në këtë fazë të hetimit. Sipas burimeve mësohet se Sinanaj është nën hetim edhe për një sërë krimesh të tjera, për të cilat grupi hetimor po mbledh provat e nevojshme. Aktualisht, Julian Sinanaj është në ruajtjen e policisë, ndërsa prokuroria ka siguruar në gjykatë dëshminë e tij. Frika e ndryshimit të deklarimeve nga i penduari ka bërë që organi i akuzës t’i kërkojë gjykatës sigurimin e dëshmisë së Sinanajt, duke i dhënë asaj vlerën e provës. Pas arrestimit, Julian Sinanaj rrëfeu për prokurorët një sërë krimesh të kryera prej tij, por të porositura dhe ndërmjetësuara nga të tjerë persona. Ai akuzoi kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj si ndërmjetës të krimeve, si dhe shtetasit Marjon Mitro dhe Ilir Karçini si porositës për të paktën dy ngjarje. Nga të katër personat e përmendur prej Sinanajt, vetëm shtetasi Genis Mëhillaj është në arrati, ndërsa tre personat e tjerë tashmë janë në paraburgim si të dyshuar për krimet e rrëfyera nga Sinanaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama