Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Julian Sinanaj ka fituar statusin e të penduarit, pasi ka treguar detaje të hollësishme të aktivitetit të tij kriminal dhe të 31-vjeçarit nga Elbasani. Ndriçim Gjokona ka treguar për hetuesit se Sinanaj kryente vrasje me pagesë, ndërsa “klientët” e tij ishin biznesmenë dhe njerëz të lidhur me pushtetin. Mësohet se dëshmia e Gjokonës është realizuar disa ditë më parë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, ku është paraqitur dhe ka kërkuar ndihmë. Më pas ka shpjeguar se ai ishte furnizuesi kryesor i Sinanajt me armë dhe municione, ndërsa si shpërblim paguhej me mijëra euro.
Dëshmia në Durrës
Ditën e premte, më 24 janar, shtetasi Ndriçim Gjokona, është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Agjentëve që e kanë pritur te porta, u ka thënë se kishte diçka të rëndësishme për të rrëfyer, ndërsa kërkonte edhe oficerë të policisë gjyqësore për të dhënë dëshmi. Agjentët janë lidhur me eprorët e Policisë së Durrësit dhe brenda pak çasteve ka filluar edhe dëshmia. Që në fillim të rrëfimit, mësohet se Gjokona ka deklaruar se kishte një informacion për një vrasje që do të kryhej. Madje, ai ka shtuar se dinte edhe emrin e autorit dhe të viktimës. “Shtetasi Ndriçim Gjokona ka shpjeguar se autori ishte Julian Sinanaj, një person i rrezikshëm. Ai e përshkroi Julianin, teksa pohoi se më parë kishte bërë edhe vrasje në Greqi”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, ky dëshmitar ka pohuar se dinte edhe emrin e biznesmenit, i cili nuk publikohet nga akuza për arsye hetimore, ndërsa ka shpjeguar se biznesmeni është i fushës së hidrokarbureve. Më pas, ka qenë ndërhyrja në kohë e Policisë së Shtetit, që arrestoi Julian Sinanajn, për të shpëtuar biznesmenin, i cili vazhdon aktivitetin.
Bashkëpunimi me Sinanajn
Ndriçim Gjokona ka pohuar në polici, dhe më pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, se ka qenë më parë bashkëpunëtor i Sinanajt, madje kishte edhe njohuri për atentatet që kishte kryer, apo do të kryente. Sipas burimeve nga akuza qendrore, Sinanaj e ka pasur njeri të besuar Gjokonën. Ky i fundit i siguronte 31-vjeçarit makina, motorë, celularë apo çdo mjet që i duhej. Dëshmitari ka pohuar gjithashtu në polici, se kohët e fundit, marrëdhënia e tyre është ftohur. Madje, në një rast, Sinanaj e ka kërcënuar se do ta vriste. Duke ditur rrezikshmërinë e lartë të Sinanajt, Gjokona është drejtuar në Policinë e Durrësit, ku dhe bëri denoncim ndaj tij. Pas deponimeve të gjata në Policinë e Durrësit, të Tiranës, por edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Gjokona ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ndjekja e biznesmenit
Dëshmia e Gjokonës ka vënë në lëvizje policinë, e cila ka parandaluar në kohë ekzekutimin e biznesmenit të hidrokarbureve. Sipas të dhënave hetimore, të përfituara nga dy dëshmitarët e drejtësisë, ditën që u arrestua, Sinanaj ishte në ndjekje të këtij biznesmeni dhe në çantë iu gjet fotografia e tij. Hetuesit e Krimeve të Rënda kanë marrë edhe emrin e porositësit, ndërsa kanë mësuar edhe pagesën që duhet të kryhej për këtë vrasje. “Pagesa për këtë atentat do të ishte 150 mijë euro”, ka pohuar Sinanaj në prokurori, teksa mësohet se ka disa ditë që vazhdon të rrëfehet. Hetuesit e çështjes kanë filmuar të gjithë seancat e dëshmive, ndërsa pas përfitimit të elementëve të rëndësishëm, oficerë të tjerë shkojnë për t’i vërtetuar në terren. Krahas vrasjeve të publikuara, akuza qendrore thotë se në dëshmi, dy të penduarit kanë treguar edhe dhjetëra ekzekutime të tjera, për të cilat kanë dijeni.
Reagimi
Dervishi: Nuk e njoh porositësin e bombës
Një ditë pas arrestimit të porositësit të atentatit me bombë ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, ka reaguar ky i fundit në një deklaratë para gazetarëve në qytetin e Vlorës. Bomba që iu vu në makinë Dervishit nuk ka shpërthyer, por ngjarja bëri shumë bujë. Dervishi thotë se nuk e njeh njeriun që kishte porositur vrasjen e tij. “Unë kam besim të plotë te policia, prokuroria dhe do t’i mbetem deri në fund të jetës sime këtij parimi. Për sa u përket aspekteve të tjera, unë ju konfirmoj se në detyrën time do të bëj çfarë është e mundur për të luftuar deri në palcë krimin e organizuar, informalitetin. Emrat e personave që kanë dalë nëpër media nuk i njoh”, tha Dervishi. Marion Mitro nga Vlora rezulton të ketë punuar në Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Vlorës deri në vitin 2013. Kjo është konfirmuar për mediat edhe nga kryebashkiaku Gjika, i cili më pas, e ka larguar nga detyra.