Referimi juaj i është kushtuar një vepre të pabotuar të At Gjergj Fishtës. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Është një vepër e shkurtër në dorëshkrim, me rreth 30 faqe, që Gjergj Fishta ka nisur ta shkruajë në vitin 1914 dhe duket se e ka përfunduar në vitin 1924. Është shkruar në një italishte shumë elegante, standarde, ndryshe nga letërsia që Fishta shkruante mbështetur në të folmen e shkodranishtes. Mban dy tituj: "Questione Catolica e questione nazionale" ("Çështja katolike dhe Çështja shqiptare") dhe "I catolicci e questione albanese" ("Katolikët dhe çështja shqiptare"). Është shkrim shumë i bukur, kaligrafi me pak stilizim gotik. Duket qartë se Fishta nuk ka pasur ngutje për ta shkruar dhe ka qenë i qetë shpirtërisht. Mbi shkrimin bazë ka dhe një tekst të dytë në formën e anëshkrimeve. At Gjergj Fishta i është rikthyer edhe njëherë këtij dorëshkrimi, duke bërë ndonjë plotësim, saktësim dhe rrallë herë ndonjë ndreqje. Dorëshkrimin e kanë pasur në dorë edhe studiues të tjerë vendas dhe të huaj, por është përmendur shumë pak në studimet e mia dhe nga profesor Ali Xhiku në monografinë e tij, "Letërsia shqipe si polifoni". Ky dorëshkrim gjendet në Arkivin Qendror Shtetëror, në fondin emëror të At Gjergj Fishtës, në ndarjen "Veprimtari krijuese".
Cila është përmbajtja e këtij dorëshkrimi?
Është një vepër që mund të mbajë tri emra: mund të konsiderohet si një relacion drejtuar Selisë së Shenjtë, sepse i ka të gjithë elementët e relacionit. Raporton hollësisht për gjendjen demofetare në Shqipëri në rrafshin bashkëkohor dhe ndërkohor dhe kërkon, rekomandon, këshillon masat për një veprim katolik në Shqipëri. Është gjithashtu edhe në formën e një memorandumi, ku tregohet se si është gjendja fetare në Shqipëri dhe se si Shqiptarët mund të evropianizohen përmes një aksioni katolik. Por është edhe në formën e një traktati në kuptimin që shtron parimisht çështjen e raportit midis fesë dhe kombësisë te shqiptarët, duke e parë si një proces historik, gjatë të cilit parashikon se si mund të jetë e ardhmja evropiane e Shqipërisë duke menduar një veprim të fuqishëm katolik. Fishta nuk është i pari që e ka menduar këtë gjë. Për herë të parë një ide të tillë e ka hedhur Faik Konica, më pas Zef Skiroi, që është shprehur për një rikthim të kishës romane dhe i treti vjen Fishta. Kjo vepër, edhe pse është përfunduar së shkruari së paku në vitin 1924, ende vazhdon të jetë e pabotuar. Kjo ndoshta edhe për vetë temën delikate. Shqiptarët janë të ndjeshëm ndaj argumentit që ka traktati dhe kjo duket se është parë me rezerva prej atyre që e kanë lexuar dhe në të shumtën e rasteve as që e kanë përmendur.
Ju thatë se Fishta këshillon. Cilat ishin rrugët që ai propozonte për veprimin katolik në Shqipëri?
Fishta mendonte se Shqipëria e pavarur, e shkëputur nga Perandoria Otomane, do të prirej drejt një procesi rikrishtëzimi. Në fakt kështu ndodhi. Në vitin 1923, xhamia myslimane shqiptare shpalli pavarësinë e vet prej Kalifatit. Fishta vazhdon të arsyetojë se menjëherë pas këtij veprimi, i njëjti problem do të shtrohet edhe për afërsisht 800 mijë shqiptarët myslimanë në Kosovë që do të duhet të zgjedhin: të bashkohen me rrjedhat fetare të bashkëkombësve të vet, të bashkohen me skizmatikët (ortodoksët)serbë, apo të ruajnë një lidhje formale dhe të parealizueshme me Kalifatin. Sipas parashikimit të Fishtës, të gjendur mes një Kalifati të paqenë dhe skizmatikëve serbë e sllavë në përgjithësi, shqiptarët e Kosovës do të bashkohen me bashkësinë myslimane të pavarur. Këtu fillon rekomandimi i një veprimi katolik nga ana e Fishtës. Sipas tij, pavarësimi i bashkësisë myslimane shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë do të krijojë mundësinë që veprimi katolik të jetë shumë i efektshëm. Sipas thënies së tij, brenda 2-3 brezash, shumica e shqiptarëve myslimanë, tashmë pa lidhje të forta fetare me Kalifatin, por edhe pa lidhje administrative, do të jenë të gatshëm të rikrishtërohen. Fishta shkruan se kjo do të bëjë që Evropa ta shikojë me një sy tjetër botën shqiptare, si një shtet evropian dhe jo mysliman, siç ishte koncepti i asaj kohe dhe ka vazhduar deri në kohët e sotme. Fishta shkon edhe më tej kur thotë se ky mund të jetë vetëm një hap i parë i veprimit katolik, sepse pas kësaj Selia e Shenjtë mund të vazhdojë me nisma riungjëllizimi edhe në Bosnjë. Madje ai mendon se veprimi mund të përshkojë në vijë horizontale gjithë Ballkanin, për të mbërritur deri në Stamboll.
Kujt mund t‘i jetë adresuar ky traktat?
Ne nuk e dimë se në duart e kujt ka rënë, por ka shumë të ngjarë që traktati të mund të jetë hartuar për të rritur vëmendjen e Italisë ndaj Shqipërisë. Përpjekje të tilla janë të hershme, që në një traktat të Jozef Krispit më 1892, ku parashikon se një rikthim i fuqishëm italian mund ta bëjë Shqipërinë të funksionojë si një shtet i pavarur nën mbrojtjen e Italisë dhe njëkohësisht vetë Italia të përballojë konkurrencën e Austro-Hungarisë, që kishte favoret e veta në Shqipëri përmes kapitulacioneve. Ka shumë mundësi që Fishta të ketë pasur të njëjtin mendim si Krispi, se vendi ynë kishte nevojë për një mbështetje ndërkombëtare dhe aleati më i afërt për një Shqipëri evropiane ishte pikërisht Italia. Por ajo nuk duhej të shprehte interes vetëm për shqiptarët katolikë. Këtë e shihte të rrezikshme.
Parë me syrin e një studiuesi, sa rëndësi ka ky dorëshkrim? A zbulon ndonjë dimension tjetër të Fishtës?
Ky traktat vjen si një plotësim i rëndësishëm i figurës së Fishtës. Nuk është Fishta poet, polemist, satirik, por një Fishtë tjetër, ai mendimtar. Në vijim mund të thuhet se Fishta shfaqet edhe pak politikan e gjeopolitikan, sepse këshillat që u rekomandohen Fuqive të Mëdha, Italisë apo Lidhjes së Kombeve, kanë të bëjnë me pozitën e Shqipërisë në raport me Evropën, me pozitën në Ballkan dhe me botën islame. Është vështrim shumë i gjerë.
Fakti që deri më sot nuk është botuar, mund të lidhet me frikën e një debati apo errësimi të figurës së Fishtës?
Është përgjegjësi e njerëzve që merren me studime që ta botojnë e ta bëjnë pjesë të bibliografisë së studimeve shqiptare. Debati nuk përjashtohet. Ne po e shohim që shqiptarët janë bërë më të ndjeshëm se sa pritej ndaj ndjenjave fetare. Nuk ka asgjë të keqe po të ketë debat. As emri i Fishtës nuk errësohet, por paraqitet një anë e panjohur e personalitetit të tij, që nuk u bën ndonjë dëm shqiptarëve. Në fund të fundit, të fshehtat e dorëshkrimeve krijojnë mistifikim. Më mirë një dorëshkrim i botuar që shkakton debat, se një dorëshkrim i pabotuar.
A gjenden në Arkivin e Shtetit materiale të tjera në dorëshkrim që zbardhin anë të panjohura të Fishtës?
Ka mjaft dokumente të tjera. Ata që janë marrë me botimin e Fishtës, janë mjaftuar të ribotojnë, jo të prekin dorëshkrimet. Ne e njohim Fishtën në atë masë që ai është i pabotuar dhe jo ai që ka mbetur në dorëshkrim. Mes dosjeve ka letërsi, politikë, publicistikë, letërkëmbim, përkthime etj.
Gazeta Shqip