Sindikatat e mësuesëve kërkojnë dhënien e shpërblimit të fundvitit për mësuesit, prej10 mijë lekë, si dhe të mos preket nga shkurtimet, numri prej 36 mijë i mësuesëve në arsimin parauniversitar. Dy sindikatat, ajo e Pavarur dhe Konfederatës së Arsimit paraqitën disa kërkesa në Komisionin e Edukimit dhe Medias lidhur me projektbuxhetin e vitit 2014. Kërkesat janë të përbashkëta, pasi mësuesit kanë nënshkruar kontratën kolektive me të dy këto sindikata.
Rritja e investimeve “Kërkesa e parë ishte që të shihet mundësia e shtimit të GDP-së, Prodhimit të Brendshëm Bruto, për arsimin. Aktualisht arsimi zë 2.9 për qind të GDPsë, ne do të donim që të shkonte të paktën 3.5 për qind me synimin që në katër vitet e ardhshme të shkojë në 5 për qind e GDP/së. Fondet mund të gjenden duke shfrytëzuar të ardhurat dytësore që krijohen nga shërbimet në shkolla, nga universitetet, pushteti vendor, etj”, thotë Xhafer Dobrushi, Kryetari i Konfederatës së Arsimit. Kërkesa e dytë është shtimi i buxhetit për arsimin e mesëm profesional, nga 2.5 miliardë lekë, që është parashikuar për vitin që po vjen, në 2.7 miliardë lekë. Pra, 200 milionë lekë shtesë. Kjo të bëhet për të nxitur arsimin profesional, në mënyrë që të shtohet numri i të rinjve, që kanë një profesion duke shtuar dhe mundësinë e punësimit për ta. Kërkesa e tretë është dhënia e shanseve të barabarta dhe rritjen e cilësisë së arsimit për të gjitha shtresat. Kështu, përveç romëve, tekste falas duhet të marrin dhe fëmijët e komunitetit egjiptian, si dhe fëmijët e familjeve që marrin ndihmë ekonomike.
“Kjo, pasi nga sondazhet që kemi bërë si sindikata kemi vënë re se fëmijët që braktisin shkollën dhe punojnë janë nga këto dy shtresa. Kur familjet nuk kanë me se t’u blejnë librat fëmijëve, është më e lehtë që ata të mos frekuentojnë shkollën”, shprehet Dobrushi. Shpërblimi Një kërkesë tjetër e sindikatave është dhënia e shpërblimit për gjithë punonjësit në arsimin parauniversitar. “Duhet të shprehet qartë në buxhet çështja e shpërblimit. Në fondin prej 2.4 miliardë lekë duhet të shënohet në mënyrë të shprehur pjesa e shpërblimit, qoftë ajo për punë të mirë, qoftë shpërblimi vjetor prej 10 mijë lekësh. Ne do ta donim ta merrnim, që këtë vit, por në buxhetin e vitit të ardhshëm kërkojmë me ngulmë që të llogaritet”, shprehet kryesindikalisti Dobrushi.
Për arsimin vetëm në vitin 2001 është plotësuar kërkesa e pagës së 13-të. Në vitin 2007 sindikatat arritën në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, që paga e 13-të të shpërndahej në pagat e 12 muajve dhe pagat u rritën me 8.3 për qind. Kjo u pranua në mënyrë që çdo rritje vjetore të bëhej mbi këtë pagë dhe kështu një pagë mesatare e mësuesit ka arritur në 40 mijë lekë. “Sipas Kodit të Punës, nëse një shpërblim jepet për 3 vite rresht, ai kthehet në detyrim për qeverinë dhe nuk mund të ndërpritet. Prandaj ne kërkojmë që ky shpërblim prej 10 mijë lekë, të jepet që këtë vit”, shprehet Dobrushi. Ndërkohë një kërkesë tjetër e sindikatave është që të mos ketë ulje të numrit të mësuesëve, por të ruhet shifra totale prej 36 mijë mësues në arsimin parauniversitar.